Ekspozita e përvitshme e pikturës shqiptare “Nëntor” prezanton punët e reja të një grupimi artistësh të njohur. Ekspozita u hap në galerinë FAB, ku në tre sallat e saj publiku gjen punime të ndryshme, kryesisht në gjininë e kompozimit. Ekspozita këtë vit bën bashkë rreth 30 artistë dhe është një nga aktivitetet me rëndësi në fushën e artit pamor. Pjesëmarrës në ekspozitën e pikturës është dhe piktori i njohur Anastas Kostandini, i cili merr pjesë me një kompozim me tetë pjesë. Piktori thotë se “Nëntor” që këtë vit shënon edicionin e 26 përmban punime të artistëve që njihen për trajtimin e temave të historisë dhe jetës aktuale. “Ekspozita “Nëntori” në paraqitjen e saj të 26-të dëshmon për këmbënguljen e një grupi artistësh të disa brezave për të konfirmuar vokacionin piktural mbi telajo. Ata njihen për trajtimin e temave të historisë dhe jetës aktuale përmes modernizimit të gjuhës artistike të liberalizuar në nivel profesional”, shprehet piktori Anastas Kostandini (Taso). “Nëntor 26” në jetën artistike të Tiranës është një nga aktivitetet me rëndësi në fushën e artit pamor, ku si rregull piktorët pjesëmarrës prezantohen me një apo dy punime në pikturë. Ekspozita “Nëntor” nisi më shumë se dy dekada më parë, por çdo vit është pritur me interesin e artistëve pjesëmarrës, por dhe publikut.
“Princesha Argjiro” në pikturë
Në këtë ekspozitë piktori Anastas Kostandini prezantohet me një kompozim në tetë pjesë titulluar “Princesha Argjiro”. Një punë në pikturë që siç tregon dhe vetë subjekti është marrë nga një poemë e shkrimtarit Ismail Kadare. “Te “Princesha Argjiro” janë tetë tablo që janë lidhur së bashku dhe formojnë një pikturë. Ajo ka një karakter tregimtar dhe duket si një ilustrim me figura. Por duke ndenjur të gjitha së bashku është bërë një ndërhyrje e pikturave e fortë nga pikëpamja stilistike për të krijuar një lloj uniteti, që ato mos të qëndrojnë të veçanta dhe ka një lloj kronologjie. Fillimisht prezantohet figura kryesore dhe janë disa episode që lidhen me momente kryesore të legjendës. Dëshira ime është për të nënvizuar karakteristikën kombëtare në një epokë moderne në një epokë të universalizmit dhe të jetës”, tregon piktori Anastas Kostandini për veprën që prezanton në këtë ekspozitë. Si piktor Anastas Kostandini ka një aktivitet që vijon me ekspozita të ndryshme brenda dhe jashtë vendit, ku nuk mungon dhe pjesëmarrja në ekspozitat në grup autorësh. Piktori Kostandini tregon se ka pak vite, që është bërë pjesë e “Nëntorit”. Ekspozita këtë vit vjen me pjesëmarrjen e artistëve të mirënjohur Aleksandër Filipi, Anastas Konstandini, Adrian Devolli, Andi Hila, Ardit Boriçi, Agron Mesi, Buron Kaceli, Fatmir Juka, Gazmend Leka, Hasan Çapari, Ksenofon Dilo, Nikolin Ivanaj, Zef Shoshi, Merita Selimi, etj. Ekspozita “Nëntor 2026” që u hap këto ditë në galerinë FAB pranë Universitetit të Arteve do të qëndrojë deri në fund të këtij muaji.