Nostalgjia dhe dashuria për atë që po humbiste e nxiti piktorin Anastas Kostandini që të krijojë një repertor të pasur motivesh, të cilat i përkasin dhe nuk i përkasin më qytetit të tij. Pogradeci vjen përmes vizatimeve. Në intervistën e tij për gazetën “SOT” piktori i njohur Anastas Kostadini (Taso) tregon se ekspozita “Vizatime nga vendi i jetës” përmban 70 vizatime. Ai tregon se në vitin 1966 filloi të vizatojë, ku gati çdo ditë e gjente mundësinë të linte gjurmë në fletoren e tij të vizatimit. Ekspozita që hapet këtë mbrëmje në galerinë e Pogradecit përmban vizatime që janë nxjerrë prej një dosjeje voluminoze, e cila sipas artistit pasurohet që prej 55 vitesh. Piktori thotë se ka vizatuar qytetin e tij thuajse përditë, tamam sikur të ishte një ritual. Ndërkaq që pak javë më parë u inaugurua dhe mozaiku “Iliria” vepër e piktorit. Ai thotë se është një mozaik me trajta grafike, krijuar mbi motivet e Paftës së Selcës. Anastas Kostandini (Taso) është një piktor, mozaist, vizatues, grafist, ilustrator i mirënjohur shqiptar, lindur në Pogradec. Në 1978 diplomohet në Akademinë e Arteve të bukura në Tiranë për art monumental. Në vitin 1991 i jepet titulli “Piktor i merituar”.
-Pak kohë më parë u inaugurua dhe mozaiku juaj “Iliria”, por në vijim të aktivitetit tuaj artistik hapni ekspozitën personale të radhës titulluar “Vizatime nga vendi i jetës”. Si e prezantoni në këtë ekspozitë që hapet në galerinë e Pogradecit qytetin tuaj?
Mozaiku “Iliria” ka disa javë që u inaugurua dhe ishte sadisfaksion t’ju them të drejtën edhe për mua dhe për qytetin, sepse është një vepër publike, është vënë në fasadën e bashkisë së qytetit. Pas asaj unë organizova këtë ekspozitë që hapet me vizatime. Prezantoj një Pogradec të fëmijërisë sime, të rinisë sime. Por jo vetëm timen, por dhe të gjithë moshatarëve të mi. Është një punë që krijon një lloj nostalgjie. Në vitin e largët 1966 unë fillova të vizatoj.
-Si vijoi pas këtij viti krijimtaria juaj, vizatimet tuaja të para çfarë përfshinin?
Gati çdo ditë gjeja rastin të lija gjurmë në fletoren time të vizatimit. Rrugica ime lehtësisht më çonte në liqen, në bregun e gjelbëruar të hotel-turizmit të vjetër, prej nga dukej pamja e pasqyruar e qytetit, shtëpitë e ndriçuara fort nga dielli i pasdites dhe plepat e gjatë. Ndoshta vizatimin e parë e bëra prej atij vendi, ku shpesh pikturonte edhe Vangjush Mio, veprat e të cilit zbukuronin hollin e atij hoteli. Ai gjithashtu vizatonte nëpër mëhallat e qytetit tim, madje kishte skicuar edhe rrugicën time, ku dallohej porta e shtëpisë. Butësia e lapsit të tij më sillte shumë dritë dhe atmosferë. Vizatimi i dytë që bëra ishte porta e vjetër e shtëpisë, avllia dhe dritarja e komshiut. Gjurmët e mia nisën pikërisht me këtë pamje, mes lirisë së natyrës dhe brendisë së shtëpisë. Prej asaj kohe fëminore, i rrethuar me ngrohtësinë familjare të shtëpisë por dhe të gjithë qytetit (që gjithashtu ishte, gjysma kushërinj dhe pjesa tjetër miq e të njohur), kam krijuar në një hapësirë lirie dhe paqeje. Pothuaj çdo ditë, me dosjen në dorë, endesha pranë liqenit, në mëhallën e burimeve, të lumit, dhe në Goricë; një lagje nga ku shihja panoramën e gjerë të Pogradecit. Kjo pamje ka evidentuar te unë “vizatuesin-poet”. Vizatimi është ky medium i thjeshtë, modest e i ngrohtë përmes të cilit zgjohet ndjenja e mallit dhe dëshirës për gjëra të njohura e të panjohura. Kjo gjini e lashtë e artit figurativ lindi bashkë me nevojën për të komunikuar, duke u bërë çelësi magjik drejt labirinteve të qenies. Vizatimet nuk pranojnë udhëzime, paramendime, as porosi, pasi në to shfaqet sensi i një lirie të vërtetë krijuese.
-Parisi është një nga kryeqytetet që ju e vizitoni herë pas here. Por në këto vizita në kryeqytetin e Francës, një artist si ju nuk largohet pa parë dhe ekspozita. Çfarë ju ka bërë përshtypje?
Para pak kohësh, vizitova në Paris ekspozitën mbresëlënëse të realistit Theodore Rousseau. Ai njihet për vizatimet monumentale kushtuar natyrës; pyjeve dhe drurëve. Ndërsa në Barbizon pashë studion e tij dhe të François Millet. Këta janë baballarët e realizmit natyror, të cilët shpalosin dashurinë mistike për natyrën e virgjër dhe humane. Si nxënës në liceun artistik, pata njohur në libra këta kolosë dhe shumë të tjerë si Camille Corot, Vincent Van Gogh, Paul Cezanne; kanë pasur një ndikim të madh në formimin tim që në kohën e Liceut Artistik. Kështu, arti im ka bashkërendur me njeriun dhe natyrën në një shteg të gjatë e të bukur, ku udhëheq vizatimi. Vizatimi është mjet për të mbajtur mend çaste nga jeta materiale dhe sentimentale. Ai mbetet një ditar i vend-jetës. Sa më shumë kalon koha, aq më domethënëse bëhen ato vizatime për artistin.
-Sa vizatime ka ekspozita që ju hapni më 29 qershor për publikun?
Ekspozita “Vizatime nga vendi i jetës” ka 70 vizatime, nxjerrë prej një dosjeje voluminoze e cila pasurohet që prej 55 vitesh. Kam vizatuar qytetin tim thuajse përditë, tamam sikur të ishte një ritual. Marrëdhënia ime me vizatimin ka luajtur rol thelbësor në ripërtëritjen e marrëdhënies sime me vendin ku jetoj. Përmes “ditarit” artistik, kam mundur të ndërtoj dhe rindërtoj gjithçka rrotull meje. Kështu, qyteti im është bërë një motiv i pashtershëm; gjithnjë dhe përditë më duket sikur e shoh për herë të parë. Kjo më kujton dokumentarin e famshëm francez mbi muzeun e Louvre-it, i cili mbyllet me thënien: “Kur do ta shikoj përsëri këtë muze me sytë e herës së parë!”. Ekspozita i dedikohet peizazhit. Megjithatë, veprat nuk paraqesin thjesht realizmin ekspresiv të natyrës, por shkrihen me konceptin e qytetit-shtëpi. Sipas një linje kronologjike, të parat vijnë punimet e viteve ‘60, ‘70 (rinia ime shkollore dhe akademike). Ky moment përkon me ndikimet e para nga mjeshtrat e vizatimit si Da Vinci, Rembrandt, Durer, Poussin, Rubens, etj. Në vitet ‘80, megjithë përkushtimin tim ndaj tablove në vaj, nuk rreshta së vizatuari. Besoj se krijimtaria ime erdhi e ekuilibruar përsa i përket dy mediumeve (mes pikturës dhe vizatimit), ashtu si ndodhi me Goya-n, Picasso-n, Chagall-in, Bernard Buffet apo ekspresionistët gjermanë. Vitet ‘90, sollën një qasje shumë ekspresive. Ndryshimi i sistemeve, tranzicioni, mënyra e re e jetesës, nxiti qëndrime të tjera grafike. Këndvështrimi i ri mbi realitetin, i dha jetë një tensioni të fortë në të vizatuar. Vizatimi ndryshoi bashkë me mua. Njerëzit po shkelnin mbi kulturën e tyre, duke përçmuar çdo gjë që vinte nga e kaluara. Qyteti po humbiste vetveten. Në të, po materializohej anarkia; rrugë kaotike, ndërtime arbitrare, shtëpi dhe lagje të amortizuara, natyrë e denatyralizuar. Ishte momenti kur vizatimi u kthye për mua në një mision “shpëtimi” ndaj gjërave që befas po zhdukeshin. Nostalgjia dhe dashuria për atë që po humbiste, më nxiti të krijoj brenda meje një repertor të pasur motivesh, të cilat i përkasin dhe nuk i përkasin më qytetit. Qysh atëherë, vizatimi u bë një ritual melankolik, sepse shqetësimi për zvetënimin e qytetit më bënte të krijoja një realitet tjetër. Fushat bujqësore dhe rrethinat e braktisura, u bënë një motiv i dashur. Aty, unë ende takoj lirinë e natyrës bashkë me pastërtinë e një jete të thjeshtë. Uroj që dosja ime e vizatimit të mos vijë si një arkiv i zakonshëm pamjesh, por si një koleksion gjurmësh drite, fati dhe jete. Vincent Van Gogh-u shprehet kështu për vizatimin: “Ç’do të thotë të vizatosh? Si ia arrijmë kësaj? Të vizatuarit është veprimi me të cilin çajmë tejpërtej murin prej hekuri e të padukshëm, i cili me gjasë ndodhet midis ndjenjave dhe mundësive tona. Si duhet ta përshkojmë këtë mur? Sipas meje duhet ta rrëzojmë duke e ngrënë me limën e durimit dhe pasionit, ngadalë…”.
-Në aktivitetin tuaj në vijim të veprave ishte dhe mozaiku “Iliria”, që u inaugurua pak javë më parë. Por sa kohë keni punuar për realizimin e tij?
Unë kam punuar një vit e gjysmë për mozaikun. Kam bërë një mozaik klasik të mbështetur mbi traditën e mozaikut paleokristian dhe mozaikë të themi të periudhës klasike siç jemi edukuar, kryesisht mozaikët greko-romakë që janë në vendin tonë. Ne jemi edukuar me ta dhe unë kam zgjedhur këtë teknikë. Është me pak ngjyra, nuk është një mozaik kromatik me shumë ngjyra, por me 4-5 ngjyra, dhe është në formë grafike. Unë desha që kjo të ishte e fuqishme dhe të kishte impakt dhe përshtypje të drejtpërdrejtë me kalimtarët aty, dhe është në zonë të rëndësishme të qytetit te fasada e bashkisë. Fasada e bashkisë së Pogradecit ka dhe një punë tjetër timen, por në një teknikë tjetër. Quhet “E bukura e dheut dhe era pranverore” dhe është e montuar në hekur dhe mjaft e madhe, rreth 6 metra e gjatë, kurse tjera që është mozaik quhet “Iliria”dhe i dedikohet botës Ilire. Një nga kryeqendrat ka qenë dhe Pogradeci dhe është marrë pikërisht Pafta e Selcës një nga gjetjet më të spikatura të kulturës Ilire që është gjetur në Pogradec në Selcën e poshtme dhe unë e kam përpunuar.
-Ju si artist keni një aktivitet të larmishëm artistik dhe me krijimtarinë tuaj jeni prezantuar në ekspozita të ndryshme brenda dhe jashtë vendit. Por pas kësaj ekspozite që hapet këtë qershor, çfarë mund të na tregoni mbi projektet tuaja në vijim si piktor?
Në planet e mia si piktor në vijim parashikohet një tjetër ekspozitë në përmasa të mëdha në Tiranë, që mund të hapet nga muaji shtator dhe tetor.
Intervistoi: Julia Vrapi