Vepra “Mrika”, opera e parë në historinë e artit muzikor shqiptar shkruar nga Prenkë Jakova me libret nga Llazar Siliqi. “Mrika” u shfaq për herë të parë më 1 dhjetor të 1958 në qytetin e Shkodrës, por 65 vjet nga premiera e saj artistët thonë se ishte talenti i krijuesit Prenkë Jakova që finalizoi krijimin e kësaj opere. Dirigjenti Oleg Arapi thotë se vepra “Mrika” e Jakovës ka vlera jo vetëm si opera e parë shqiptare, por dhe për dramaturgjinë e saj. “Opera “Mrika” e kompozitorit Prenkë Jakova është opera e parë shqiptare.
Ajo përfaqëson realitetin shqiptar të asaj kohe. Ka vlera jo vetëm si opera e parë shqiptare, por ka të mëshiruara më së miri dramaturgjinë, e cila shprehet në gjuhën muzikore të solove, koraleve, dueteve, etj, të cilat kompozitori me mjeshtëri profesionale ka hedhur në nota muzikore”, thotë mjeshtri Oleg Arapi. Dirigjenti Oleg Arapi shprehet se “Mrika” është një vepër që burimin e merr nga krijimtaria kombëtare, gjë e cila sipas tij i jep një karakter kombëtar. “Orkestracioni i jep një ngjyrë sa shoqëruese ashtu dhe solistike gjë që krijon një kolorit shumë të bukur muzikor të dramaturgjisë muzikore. Fakti që opera u vu në skenë për të parën herë në qytetin e Shkodrës nga artistët shkodranë, vërteton faktin që qyteti i Shkodrës jo më kot është quajtur djepi i muzikës shqiptare”, thotë mjeshtri Oleg Arapi.
1 dhjetor 1958 ditë e shënuar për muzikën kombëtare
Vepra e kompozitorit Prenkë Jakovës u shfaq për herë të parë në qytetin e Shkodrës, për të vijuar më pas në Tiranë. Akademik Vasil Tole ish drejtor i Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit shprehet në një reagim të tij se data 1 dhjetor 1958 është ditë e shënuar për muzikën tonë kombëtare. “Vihet në skenë nga muziktarët e qytetit të Shkodrës, opera e parë shqiptare “Mrika”. Ishte talenti i jashtëzakonshëm krijues i Prenkë Jakovës ai që finalizoi krijimin e kësaj opere, e sigurisht edhe aftësitë e tjera të tij si dirigjent dhe udhëheqës artistik i këtij produksioni historik. Mirënjohje krijuesve të saj, solistëve, korit dhe orkestrës, regjisorit, piktorit dhe skenografit, sektorit ndihmës, mirënjohje qytetarëve të Shkodrës, qytetit të artit e muzikës!”, shprehet Tole. Ish drejtori i TKOB thotë se një vit më vonë, më 26 nëntor 1959, opera “Mrika” preku skenën e Tiranës, ndërsa ka postuar në faqen e tij dhe një material mbi veprën. “Premierën kryeqytetase të saj mund ta shihni në këtë dokumentar të kohës, ndërsa frymën dhe personazhet e asaj magjie që quhet opera i gjeni në romanin “Një ëngjëll veshë me frak”, të shkrimtarit Stefan Çapaliku”, thotë akademiku Tole.
Solist i parë në TKOB Skënder Jazexhiu shprehet se “Mrika” është një vepër madhore me temë shqiptare. “Vepër e Prenkë Jakovës, një nga kompozitorët më të mëdhenj në vend dhe ne krenoheshim kur e shikonim atë vepër me atë tematikë të bukur, sepse ka temë të ndjerë. Vepër shumë e bukur, me këtë opera duhej të hapej sezoni operistik në TKOB”, thotë Jazexhiu. Prenkë Jakova (Shkodër, 27 qershor 1917 – 16 shtator 1969) ka qenë arsimtar, muzikant, kompozitor dhe autori i operës së parë shqiptare titulluar “Mrika”. Vepra “Mrika” në TKOB u realizua më 26 nëntor të vitit 1959, me regji të Pandi Stillut dhe dirigjent Mustafa Krantja.