Zef Deda një nga komedianët më të mirë të Shqipërisë u nda nga jeta në moshën 73 vjeçare, pasi prej disa kohësh vuante nga një sëmundje e rëndë. Aktori i humorit i cilësuar edhe si “Charlie Chaplini” i Shqipërisë ka spikatur me rolet e të tij ndër vite. Kolegë dhe miq të aktorit Zef Deda “Mjeshtër i Madh” shprehen se me artin e tij ai ishte i pranishëm në të gjitha familjet shqiptare. Aktorja Dana Xhaj e cila ka qenë partnere e tij në skenë thotë se Shqipëria humbi gjigantin e humorit. “Vlerësoj gjithçka, ishte aktor me dhunti të rralla, aktrimin, veshin muzikor, plastikën e rrallë, elegancën në skenë, imitimin brilant. Shqipëria humbi gjigantin e humorit. Zefi ka vulos histori në fushën e humorit. Do të thonë gjithmonë kam jetuar në kohën e Zef Dedës”, shprehet aktorja e njohur. Ndërsa regjisori Mevlan Shanaj thotë se Zef Deda ishte një aset kombëtar, një artist që nuk ka krahasim. “I ka ikur Shqipërisë një aset kombëtar i përjetshëm! Zef Deda erdhi në skenë në rininë e hershme si zbulim i Gjosho Vasisë nga grupet amatore të Vaut Dejës! Që në daljen e parë nuk ishte një zbulim, por një magji me sukses të përjetshëm! I lindur artist! Nuk ka krahasim, pasi ishte krijues me dhunti përrallore! Dikush në jetë të mos habitet nga përrallat që kanë fuqi mbinjerëzore! Ai ishte i magjishëm në fjalë xhest muzikë!”, shprehet Shanaj për aktorin. Aktorja Merita Smaja në një postim në rrjete sociale shkruan se Zef Deda është i përjetshëm me artin e tij. “Do jetë gjithmonë me ne, sepse është i përjetshëm me artin e tij”, shkruan aktorja. Regjisori dhe dramaturgu Naser Shatrolli nga Kosova thotë se Zef Deda ka krijuar epokën e tij të quajtur kulturë. “Në rast se ju kujtohet sot e kaluara e tij d.m.th. që Zef Deda ka bërë diçka të vyeshme për të tashmen tonë! Dhe në rast se nuk harrohet puna e tij, i bie që Deda ka krijuar epokën e tij të quajtur kulturë të humorit në skenë dhe televizion…!”, thotë Shatrolli. Zef Deda artist i madh që solli dhe figura ndërkombëtare, krijoi portretin e humorit shkodran. Regjisorja Eliona Thomaraj thotë se ai kornizoi epokën në të cilën krijoi si një Charlie Chaplin i epokës së vet. “Zefi do të mbetet i përjetshëm në memorien e popullit tonë, si aktori që ironizoj korrupsionin e kohës me skeçin “Kunati i shokut Xhemal”, thotë Thomaraj. Shkodra dhe Shqipëria humbën një emër të madh të artit dhe humorit, ku mesazhe për artistin ndanë dje dhe ministrja e Kulturës Elva Margariti, kryetari i bashkisë së Shkodrës Benet Beci, etj.
Zef Deda realizoi shumë figura artistike
Teatri “Migjeni” i Shkodrës përmes një materiali në faqen e tij sjell në vëmendje jetën dhe aktivitetin e aktorit Zef Deda. “Në teatrin “ Migjeni”, aty ku ai nisi rrugëtimin e tij të ëndrrës për t’u bërë ai që vërtetë u bë, një nga komedianët më të mirë të traditës sonë të artit komik, i cilësuar edhe si “Charlie Chaplini” i Shqipërisë”, thuhet nga teatri ndër të tjera. Zef Deda lindi në Shkodër më 27 korrik 1950 dhe u shua po në qytetin e tij të lindjes. Talenti i tij spikat që në moshë të vogël. Me një shkathtësi dhe me një plastikë të shkëlqyer psiko-fizike, ai arrin të realizojë qindra figura artistike me një vërtetësi dhe sinqeritet, sikur ata dilnin nga shpirti i tij. Kjo marrëdhënie që ai pati me skenën bëri që Zef Deda të ishte edhe “Kunati i shokut Xhemal”, “Kola i dritave”, “Kushrini nga Amerika” po aq sa Charlie Chaplini. Pas një shkëputje prej 6 vitesh, për shkak te emigrimit jashtë atdheut, artisti i mirënjohur u kthye në vitin 1996 në Shqipëri për të ushtruar profesionin e aktorit. Zef Deda gjithashtu ka interpretuar edhe shumë komedi si: “Vëllai nga babai”, “Kollovari”, “Big Brother Shkodra 1”, “Big Brother Shkodra 2”, etj.