Piktura, fotografia, dizajni dhe zhanre të tjera të artit janë pjesë e ekspozitës që bashkon disa breza artistësh. “AZK&Frends ‘24” vjen me një krijimtari të pasur, pjesë e saj janë emra të njohur të artit tonë në vend, por nuk mungojnë dhe punët e artistëve të rinj. Kjo ekspozitë vjen nën organizimin e piktores, kostumografes dhe stilistes Anila Zajmi-Katanolli. Me një aktivitet që ka spikatur në rrugëtimin e saj me artin, këtë herë piktorja organizon një ekspozitë të veçantë për publikun. Artistja Anila Zajmi -Katanolli shprehet se arti është një nga format gjeniale të komunikimit dhe bashkëpunimit, jo vetëm me publikun, por edhe midis vetë artistëve. Piktorja Anila Zajmi -Katanolli që dhe më parë është prezantuar para publikut me ekspozitat e saj, këtë herë për “AZK&Frends ‘24” thotë se ajo lindi si rrjedhojë e marrëdhënies së bukur, me artistë të talentuar (ish-studentët e saj), një pjesë e mirë e të cilëve janë edhe bashkëpunëtorët dhe kolegët e saj më të afërt. “Të shohësh arritjet dhe suksesin e tyre, si kolegë të nderuar, në fusha të ndryshme të artit, është kënaqësi dhe krenari. Karakteret dhe personalitetet e tyre i kam dalluar që në bulëzimet e para, në kohën kur isha mësuese e skenografisë, pikturës dhe e vizatimit në Liceun Artistik “Jordan Misja”. Koha tregoi ecurinë, nivelin dhe talentin e veçantë të tyre, në fusha të ndryshme”, thotë piktorja që tregon se midis tyre ka artistë ndërkombëtarë dhe kombëtarë që zhvillojnë aktivitetin artistik me kualitet dhe dinjitet; në Gjermani, Belgjikë, Itali, Kanada dhe Shqipëri.
Prezenca e skenografisë
Ekspozita “AZK&Frends ‘24” që hapet këtë qershor bën bashkë artistë të ndryshëm me punët e tyre, por skenografia ndjehet në pjesën më të madhe të tyre. Piktorja Anila Zajmi -Katanolli thotë se bazën e këtij grupimi artistësh e bëjnë studentë të skenografisë. “Ky event bashkon disa breza, ku bazën e këtij grupi e përbëjnë studentët e specialitetit të skenografisë në Lice, por jo vetëm. Zhanret që lëvrojnë janë: piktura, fotografia, dizajni, mix-media, etj. Gjithsesi skenografia ndjehet prezent në veprën e një pjese të madhe të tyre, si këndvështrim, trajtim, tematikë dhe qasje”, shprehet piktorja në tekstin e saj rreth kësaj ekspozite. Për piktoren, kostumografen dhe stilisten e njohur, sfida e vështirë e organizimit të kësaj ekspozite ishte prezantimi i artistëve me specifika, karaktere dhe dimensione të ndryshme. Ajo shprehet se aty bashkohen potenca e ngjyrës me delikatesën e detajit, gjetjet artistike me gjuhën simbolike dhe poetike të fjalës, romanticizmi me dramaticitetin, vizatimi sureal me copëza imazhi filmik, trajtimi aplikativ me dekorativitetin stilistik, etj. “Secili prej tyre ka një gjuhë dhe këndvështrim, sa të veçantë dhe personal, aq edhe të kërkuar. Veprat së bashku kanë qëllim të krijojnë një larmi harmonike të dlirë, që rrezaton fuqinë e botës shpirtërore të këtyre artistëve të përzgjedhur”, shprehet Anila Zajmi -Katanolli në materialin rreth ekspozitës. Ekspozita “AZK&Frends ‘24” hapet ditën e enjte në mbrëmje pranë “AZK-Academy” në Tiranë. Në ekspozitë do të ekspozohen punët e artistëve Anila Zajmi-Katanolli, Iriana Halimi-Papamihali, Klajd Ymeri, Alban Çela, Andi Spahia, Dastild Miluka, Denada Kadilli, Genti Hali, Evis Duraj, Marinela Halilaj, Erinda Veseli, Silvana Lubisch, Gerhard Koloneci, Fioralba Prifti, Florian Vika, Admir Përvathi, Majla Zeneli, Soela Zani, Denald Grepcka, Endri Qenanaj dhe Boiden Laço.