Baleti “Arrëthyesi” erdhi me interpretimin e artistëve të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Muzika e pakrahasueshme e Tchaikovsky-t u interpretua nga Orkestra Simfonike e TKOB-së nën dirigjimin e maestros Jacopo Sipari di Pescasseroli. Përralla në skenë erdhi nën interpretimin e trupës së baletit, të veshur me kostumet e mrekullueshëm të krijuar nga Edlira Qyshka. “Arrëthyesi” u shfaq këtë dhjetor në datat 22- 23- 24, por sipas institucionit u përcoll me emocione. “Ëmbëlsirat, kostumet përrallorë, muzika e pa përsëritshme e Tchaikovsky-t dhe kërcimet magjepsëse të trupës së baletit, emocionuan të madh e të vogël, në sallën e tejmbushur me publikun që mezi priste “Arrëthyesin”. Pjesë e publikut ishin 60 artdashës me vështirësi në shikim, për të cilët kjo shfaqje u mundësua me përshkrim zanor”, thuhet nga Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit në faqen e tij, që ka ndarë dhe disa foto nga shfaqja që u dha në skenë. Balet maestër Alisa Gjoni, dirigjent kori Dritan Lumshi, skenografia Platon Bardhi. Shkruar nga Çajkovski, baleti me dy akte është bazuar në historinë “Arrëthyesi dhe Mbreti Miush” nga E.T.A. Hoffmann, libreti sipas Marius Petipa. Historia te “Arrëthyesi”, flet për një të re me emrin Klara, e cila zvogëlohet sa një miush dhe Arrëthyesi i saj i dashur shkon në luftë së bashku me lodrat e tjera kundër miut të lig. Më vonë ai transformohet në një princ të bukur dhe ata shkojnë së bashku në mbretërinë e zanave floksheqer (Confiturembourg) për të mbretëruar përgjithnjë. Në fillim një balet i porositur nga drejtori i teatrit të Moskës me kërkesën specifike të mbretërve rusë, “Arrëthyesi” menjëherë u bë një nga veprat më popullore që vihet në skena të teatrove të ndryshëm në botë. Çajkovski kompozoi muzikën e baletit mes viteve 1891 e 1892.