“Il Trittico” rikthen në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit baritonin e njohur Gëzim Myshketa. Tre opera në një. Triptiku i kompozitorit italian Giacomo Puccini nis me veprën “Il Tabarro” për të vijuar me “Sour Angelica” dhe për t’u mbyllur me operën “Gianni Schichi”, ku për këtë të fundit rikthehet në skenën tonë baritoni Myshketa. Baritoni Gëzim Myshketa një nga artistët më në zë të momentit që performon në skenat më prestigjioze të Evropës kthehet në Shqipëri në rolin e Gianni Schicchi, në “Il Trittico” në TKOB. Myshketa e quan operën një vënie skenike monumentale. “Një kënaqësi dhe emocion i veçantë që të kthehem pas disa vitesh në skenën e bekuar të TKOB në rolin Gianni Schichi në veprën me të njëjtin titull, që është pjesë e triptikut të famshëm Puçinian që do të vendoset në skenë në një vënie skenike monumentale. Një kënaqësi e madhe për mua, sepse vite më parë e kam vendosur këtë vepër dhe në rolin e regjisorit, pra është mjaft interesante dhe emocionuese të kthehem në skenën e bekuar të Operës midis kolegëve të mrekullueshëm të teatrit tonë dhe mysafirëve prestigjiozë nga jashtë shtetit”, shprehet Myshketa përmes një video të shpërndarë nga TKOB. Baritoni Myshketa kthehet në Shqipëri enkas për këtë shfaqje, së cilës do t’i japë një tjetër shkëlqim. I cilësuar nga kritika italiane si një nga talentet më interesante të brezit të tij i ftuar të debutojë në mbarë botën, që nga SHBA-ja e deri në Kore e Japoni, e nga Berlini në Romë e Madrid, Myshekta liston mbi 60 role operistike në aktivitetin e tij.
Veprat e Puçinit
Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit rreshtohet këtë vit krah për krah me teatrot botërorë, që këtë vit ia kanë dedikuar kompozitorit të madh italian, Giacomo Puccini-t (Xhakomo Puçini). Në 100-vjetorin e ndarjes nga jeta, në skenën e TKOB-së do të ngjiten veprat kryesore të Puccini-t, kjo falë bashkëpunimit me “Fondazione Festival Pucciniano” në Itali. Bashkëpunimi i parë është ai për operën “Il Trittico”, një opera që ka tri vepra brenda saj që do të interpretohen në një natë dhe përfshihen më shumë se 100 artistë. “Il Trittico” e kompozitorit italian rikthehet pas thuajse një dekade në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit. “Il Tabarro”, “Suor Angelica” dhe “Gianni Schichi” nga Puccini, tri vepra krejtësisht të ndryshme nga njëra-tjetra, që i bashkon një element i vetëm: vdekja. “Il Trittico” do të vijë nën dirigjimin e maestros Jacopo Sipari di Pescasseroli dhe as/dirigjent Nicolo Jacopo Supa. Me regji të Ada Gurrës dhe skenografi e kostumografi të ardhur nga Italia me ndihmën e “Fondazione Festival Pucciniano”. Në “Il Trittico” për tre operat në skenë janë artistë shqiptarë dhe të huaj si: Donata D’Annunzio Lombardi, Carlos Almaguer, Armando Likaj, Guo Zi Zhao, Erlind Zeraliu, Bledar Domi, Dorina Selimaj, Vikena Kamenica, Ivana Hoxha, Andi Istrefi, Viola Bakiasi, Gerald Murrja, Eva Golemi, Ramona Tullumani, Amelda Papa, Solen Alla, Renisa Laçka, Nina Muho, Matias Xheli, Denis Skura, Roel Llupo, Genc Vozga, Simona Karafili, etj. “Il Trittico” e Puçinit do të jetë në skenë më 29 shkurt dhe 1, 2, 3 mars.