Biblioteka vetjake e historianit Pierre Cabanes bëhet pjesë e koleksioneve të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë. Biblioteka e Cabanes-it përbëhet përafërsisht nga 1500 koleksioneve librash, revistash, albumesh, pa përllogaritur një mori letrash, fotokopjesh, letërkëmbimesh, ftesash; pra, një pjesë e jetës së tij profesionale, e cila do të jetë në dispozicion të lexuesit shqiptar në një sallë të veçantë, dedikuar profesorit të historisë së botës antike. Në Ditën Botërore të Librit, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë çeli ekspozitën e veçantë me të gjitha koleksionet e bibliotekës vetjake të historianit të antikitetit dhe epigrafistit Pierre Cabanes (1930-2023). “Kjo bibliotekë, tanimë pjesë e koleksioneve të BKSH-së, u la që në gjallje të të ndjerit P. Cabanes si amanet që t’i dhurohej shqiptarëve, me qëllimin që ajo të jetë në dispozicion të studentëve e studiuesve që janë të interesuar për historinë dhe arkeologjinë e antikitetit, duke vijuar kështu traditën e bashkëpunimit kulturor mes Shqipërisë dhe Francës”, thuhet nga BKSH. I interesuar posaçërisht për Shqipërinë që nga viti 1971, Pierre Cabanes u bë nismëtar i ripërtëritjes së marrëdhënieve midis studiuesve shqiptarë dhe francezë në fushën e arkeologjisë dhe të historisë së lashtë të Shqipërisë, faza e parë e të cilave lidhet me emrin e bashkatdhetarit të tij, Leon Rey. Ai, gjithashtu, themeloi misionin e ri arkeologjik dhe epigrafik francez në Shqipëri. Si studiues i antikitetit, ai është i njohur veçanërisht për studimet e tij themelore për Epirin Antik dhe Ilirinë e Jugut: “Epiri pas vdekjes së Pirros deri në pushtimin romak 272-167 p.e.r.” dhe “Ilirët nga Bardhyli te Genti, shekujt IV-II p.e.r.”, si dhe për botimin e “Korpusit të mbishkrimeve greke të Ilirisë së Jugut dhe të Epirit”, një vepër në katër vëllime, në bashkëpunim me studiuesit shqiptarë (Paris, vëll. I,1 1995; vëll. II, 2007); drejtues i grupit të punës për hartimin e veprës “Harta arkeologjike e Shqipërisë” (2008), etj. Drejtori i BKSH-së Piro Misha, në fjalën e tij të hapjes, falënderoi për bashkëpunimin Ambasadën e Francës në Shqipëri, Ministrinë e Kulturës së Francës dhe, në mënyrë të veçantë, z. Pierre Raynaud, këshilltar kulturor në Ambasadën Franceze, që bënë të mundur ardhjen e këtij koleksioni në Shqipëri. Një fjalim mbi veprën dhe kontributin e Cabanes-it, mbajti edhe prof. Neritan Ceka, i cili jo vetëm që e ka njohur nga afër historianin, por edhe ka bashkëpunuar me të. Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun përgjatë gjithë javës në katin e parë të BKSH-së.
Spektakël në koncertin e Noizy-t, reperi surprizon në mënyrë të veçantë fansin e tij, video-ja bën xhiro në rrjet
Reperi mjaft i dashur për publikun, Noizy është gjithmonë në qendër të vëmendjes sa i përket këngëve dhe koncerteve të...
Lexo më shumë