Dita Ndërkombëtare e Muzeve që shënohet më 18 maj sjell në vëmendje muzetë, rëndësinë e tyre apo dhe problemet me të cilat përballen disa prej këtyre institucioneve. Sot në Ditën Ndërkombëtare të Muzeve që shënohet dhe në shtete të tjera të botës, prof. ass. dr. Frederik Stamati shprehet për rëndësinë e këtyre institucioneve dhe çfarë duhet bërë më shumë për objektet muzeale. Prof. ass. dr. Frederik Stamati, i cili ka një aktivitet prej vitesh me restaurimin e objekteve të ndryshme, thotë se edhe pse është punuar për muzetë vëmendja duhet të jetë edhe te konservimi i objekteve muzeale. “Si muzetë në rrethe dhe ato që janë kombëtarë duan konservim të objekteve. Konservimi i objekteve muzeale është më kryesorja sot. Për të gjithë muzetë është problemi i konservimit, fjala konservim përfshin dhe restaurim. Muzetë duhet të kenë laboratorë ashtu si do të bëhet dhe për Muzeun Historik Kombëtar”, thotë profesor Stamati. Në vendin tonë muzetë ndahen në ato kombëtarë si dhe muzetë që janë lokalë, por për specialistin e trashëgimisë kulturore restauratorin Frederik Stamati një muze ka tre detyra kryesore. “Muzeu është një arkiv i kujtesës së historisë së popullit. Aty pasqyrohet me objekte historia e popullit. Në këtë kuptim rëndësia e tij është e madhe. Muzeumi ka tre detyra. E para të ruajë objektet në kuptimin që të pasurojë arkivat e veta; e dyta ruajë objektet që ka në koleksionet e veta dhe e treta dhe ti propagandojë me anë të ekspozimit, të botimit, konferencave dhe aktiviteteve të ndryshme”, thotë restauratori Stamati. Muzeu Historik Kombëtar, Muzetë e Krujës dhe muze të tjerë në vendin tonë kanë shënuar dhe rritje të numrit të vizitorëve siç publikohet herë pas here nga institucionet. Por profesor Frederik Stamati thotë se të gjithë duhet t’i vizitojnë muzetë. “Të gjithë duhet të shkojnë ti vizitojnë muzeumet se aty do të mësojnë shumë gjëra, si çfarë kanë bërë paraardhësit e tyre për luftën, pavarësinë, ndërtimet, etj”, thotë ai. Nëse flasim për pjesën e arkeologjisë, në Tiranë kemi Muzeun Arkeologjik, por dhe të tjerë muze janë në Durrës, Apoloni, etj. Prof. Frederik Stamati thotë se sot është Instituti i Arkeologjisë që ka arkiva të pasura me objekte. “IA i ka arkivat jo vetëm në Tiranë, por dhe në Apoloni, Butrint, etj. Arkivat janë në varësi të IA-së që janë të pasura me objekte, por muzeumet i ka ministria për Kulturën”, thotë ai.
Sot Dita Ndërkombëtare e Muzeve
Dita Ndërkombëtare e Muzeve festohet në të gjithë botën që prej vitit 1977, duke zgjedhur çdo vit nga një temë të ndryshme. Objektivi i Ditës Ndërkombëtare të Muzeve është të rrisë ndërgjegjësimin për faktin se muzetë janë një mjet i rëndësishëm i shkëmbimit kulturor, pasurimit të kulturave dhe zhvillimit të mirëkuptimit të ndërsjellë, bashkëpunimit dhe paqes mes popujve. Dita Ndërkombëtare e Muzeve ka filluar të përkujtohet për herë të parë në Shqipëri në vitin 2005. Çdo vit, International Council of Museum – Këshilli Ndërkombëtar i Muzeve (ICOM) përcakton temën për “Ditën Ndërkombëtare të Muzeve”. Tema e këtij viti, “Muzetë për edukim dhe kërkim”, synon të theksojë rëndësinë e muzeve si institucione edukative që nxisin të mësuarin dhe mirëkuptimin kulturor.