Dorëshkrime të shkrimtarit, dramaturgut dhe përkthyesit Naum Prifti do t’i shtohen pasurisë dokumentare të Arkivit Qendror Shtetëror. Kjo bëhet me dije nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave që shprehet se në harkun kohor të këtij muaji, dokumentet do të kalojë nën zotërimin e AQSH-së. “Pas vizitës së motit 1965 në cilësinë e gazetarit, Naum Prifti “rikthehet” në Arkiv nëpërmjet veprës së tij, për t’u radhitur denjësisht krah personaliteteve më të spikatura të kulturës shqiptare. Me mijëra dorëshkrime të gazetarit, të shkrimtarit, të dramaturgut dhe të përkthyesit Prifti, do t’i shtohen pasurisë dokumentare të Arkivit Qendror Shtetëror (AQSH). Në harkun kohor të këtij muaji, kjo tërësi dokumentesh do të kalojë nën zotërimin e AQSH-së, si rezultat i aktit të dhurimit të kryer prej të bijës së shkrimtarit, znj. Julika Prifti”, thuhet nga DPA. Në sajë të digjitalizimit, të kushteve optimale të ruajtjes dhe të shërbimit, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) thotë se është e vetmja strehë e sigurt për përjetësimin e të shkuarës historike. “Besojuani të kaluarën këtij tempulli kujtese, në emër të gjeneratave që do të vijnë”, thuhet nga DPA. Krijimtaria letrare e Naum Priftit është e larmishme dhe shtrihet në disa gjini: tregime, drama, komedi, novela, skenarë filmash, pjesë për teatrin e kukullave, skenarë për filma vizatimorë, biografi, artikuj kritikë, publicistikë, etj. I njohur si skenarist, eseist, dramaturg dhe një figurë e rëndësishme e letërsisë dhe kulturës shqiptare, Prifti jetonte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që nga viti 1991. Naum Prifi lindi më 7 mars 1932. Vdiq në moshën 91-vjeçare në qershor 2023.
Spektakël në koncertin e Noizy-t, reperi surprizon në mënyrë të veçantë fansin e tij, video-ja bën xhiro në rrjet
Reperi mjaft i dashur për publikun, Noizy është gjithmonë në qendër të vëmendjes sa i përket këngëve dhe koncerteve të...
Lexo më shumë