Drama “Negotiating Peace” me sfidat, frikën dhe shpresën që e shoqërojnë arritjen e një marrëveshjeje të paqes mbërrin në Tiranë. Vepra e dramaturgut Jeton Neziraj që është shfaqur deri tani në disa shtete shfaqet mbrëmjen e 9 dhjetorit në Teatrin Kombëtar te “ArTurbina”. Me regji nga Blerta Neziraj ky produksion është krijuar me artistë dhe grupe teatrore nga Ukraina, Kosova, Serbia, Bosnja dhe Hercegovina, Italia, Çekia, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Norvegjia, Polonia dhe Estonia. Luftërat dhe konfliktet e shumta, ngrejnë pyetje dhe lënë prapa paqartësi, të cilat e bëjnë paqen të vështirë. Duke u nisur nga negociatat e paqes, duke përfshirë marrëveshjen e Dejtonit, marrëveshjet në Irlandën Veriore dhe ato të Lindjes së Mesme, bisedimet politike- ende pa shumë rezultat- ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe duke e paramenduar si do të duket fundi i luftës ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës, Qendra Multimedia ka bërë bashkë një ansambël pan-evropian për të krijuar “Negotiating Peace” ( Negocimi i paqes). E frymëzuar nga libri i Richard Holbrooke “To End a War” dhe “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” i Ismail Kadaresë, “Negotiating Peace” shkruar nga Jeton Neziraj tenton të ballafaqojë publikun me prapavijat, sfidat, frikat dhe shpresën që e shoqërojnë arritjen e një marrëveshjeje të paqes si dhe diskuton tema të rëndësishme: Kush mund të negociojë paqen? A u takon politikanëve legjitimeti për të bërë një gjë të tillë? A pajtohen vërtet njerëzit e zakonshëm pas nënshkrimit të ‘aktit të paqes’ në emrin e tyre? A mund të ketë falje kolektive, apo falja është akt individual? Negocimi i paqes pas konflikteve të armatosura është sfidë komplekse diplomatike.
Vepra dhe aktorët në skenë
Në skenën e teatrove në Tiranë janë vënë dhe të tjera vepra të autorit Jeton Neziraj, ku këtë herë vjen “Negotiating Peace”. Regjinë e saj e ka bërë regjisorja e Qendrës Multimedia, Blerta Neziraj, në stilin e saj të gjallë e goditës, që prek temat politike në mënyrë direkte. Në një fjalë për produksionin, regjisorja Blerta Neziraj ka thënë se gjëja kryesore në të cilën përqendrohen në këtë shfaqje është: Nëse lufta i ka demonët e vet që i çojnë njerëzit drejt shkatërrimit e mjerimit, çfarë ka paqja? “Kush është antipodi i demonëve të luftës?! A janë emisarët e paqes? Udhëheqësit politikë që marrin guximin të nënshkruajnë marrëveshjet e paqes? Apo njerëzit e zakontë, të mbijetuarit, të cilët e kanë paguar çmimin më të madh në luftë”, thotë regjisorja Neziraj. Vepra në skenën teatrore do të jetë në gjuhën angleze dhe aktorë në role janë Shkumbin Istrefi, Ema Andrea, Harald Thompson Rosentrøm, Ejla Bavcic, Martin Koiv, Melihate Qena, Orest Pastukh. Kompozitor Ardo Ran Varres, skenografe Agata Skwarczynska, kostumograf Blagoj Micevski, koreograf Gjergj Prevazi, dramaturge Mina Milosevic. Vepra që do të jetë në skenën e Teatrit Kombëtar te “ArTurbina” më 9 dhjetor më parë ka qenë dhe në skena të tjera si në Prishtinë, Gjilan, Ferizaj, në Teatri Shqiptar të Shkupit në Maqedoninën e Veriut, Gjermani, Çeki.