Drama “Nëna” shkruar nga autori francez Florian Zeller përcjell mesazhe të fuqishme. Me regji nga Mehmet Xhelili, interpretuar në skenë nga Ema Andrea, Helidon Fino, Enisa Hysa dhe Xhuliano Brisku kjo farsë e zezë siç e quan autori na ofron me mprehtësi të jashtëzakonshme dhe na ballafaqon, më shumë sesa me një histori, me një përvojë që krijohet nëpërmjet saj. Shfaqja teatrore rikthehet në skenë për publikun mbrëmjen e së premtes, të shtunës dhe të dielës në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahvigoli” te “ArTurbina”. “Nëna” është produksion i Teatrit Kombëtar Eksperimental, por regjisori Mehmet Xhelili ndërsa ka treguar më parë detajet rreth kësaj shfaqje që solli në skenë, theksoi se është një dramë mbi gruan dhe ankthin e ndarjeve. Ai tha se kjo shfaqje ka në qendër një nënë, e cila pas shumë vitesh e gjen veten të vetmuar, pasi fëmijët e saj janë rritur dhe janë larguar nga gjiri familjar. Sipas regjisorit është ndërtuar një shfaqje që publiku vjen në teatër dhe emocionohet. “Thelbi i pjesës “Nëna” është që një nënë pasi ka realizuar ëndrrën e saj, ka krijuar një çerdhe familjare, fëmijët rriten dhe nënën nuk e marrin në telefon. Babai thotë që djali është i zënë me jetën e tij. Është ajo ngjarja ku pas investimit që ka bërë për familjen, askush nuk është më aty. Nëna e gjen veten të pavlerë dhe të mashtruar, pikërisht aty ajo pëson një krisje mendore. Teksti trajton probleme shumë serioze, por në një mënyrë komike. Pra, pavarësisht se trajton probleme shumë serioze, i trajton në mënyrë gazmore me një buzëqeshje”, u shpreh regjisori në një nga daljet e tij në media. Vepra e autorit të njohur Florian Zeller është përkthyer nga Adriana Tolka, skenograf e video Albert Dedja, kostumografe Sofi Kara, as. regjisor Klajdi Malellari.
Shfaqja në skenë
Në qendër të shfaqjes është drama e nënës, me sëmundjen, krizën dhe dhimbjen e saj, por edhe personazheve të tjerë që e shkaktojnë apo janë edhe vetë viktima të saj. Dashuria amtare për të birin, largimin e të cilit nga shtëpia nëna e përjeton si tradhti dhe nga devijimet e mundshme patologjike që e shoqërojnë. Kësaj i shtohet situate paralele e një martese, e cila për këtë arsye dhe për arsye të tjera është duke pësuar dekadencën e saj. Mesazhet e fuqishme të veprës artikulojnë, jo përgjigjen, por pyetjen egzistenciale të klithur nga nëna në fund të pjesës: Përse u desh të ndodhte kështu? Përse u desh të ndodhte kështu? Mehmet Xhelili ka një veprimtari të pasur me shfaqje në institucione teatrore në të gjithë vendin tonë. Firmën e tij regjisoriale e mbajnë shfaqje si “Karriget”, “Këpucët”, “Kapitulli i dytë”, “Art”, “Vëllazëri e interesa”, “Magjia e verës së kuqe”, Rini e çmendur”, “Zysh e dashur”, “Klithma e një nëne të marrë” “I burgosuri i katit të 15-të”, “Loteu i stinëve” etj. Florian Zeller, novelist, skenarist, romancier dhe dramaturg francez, i konsideruar si një ndër autorët më të mirë bashkëkohorë. Florian Zeller u lind më 28 qershor 1978 në Francë. Veprat e tij janë botuar dhe vënë në skenë në teatro të ndryshëm në botë.