Peizazhet, kompozimet, portrete dhe nudot në pikturë janë pjesë e ekspozitës “Dreams Within a Dream”. Ekspozita e piktorit të njohur Nazmi Hoxha, i cili jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës prej më shumë se 15 vitesh përmban 123 punime në pikturë. “Dreams Within a Dream” u hap në mjediset e Qendrës për Hapje dhe Dialog dhe ndahet në disa cikle në pikturë si “Blinds”, “Tako Artistin”, “Central Park”-u i Nju-Jorkut, “Nudo” dhe “Eden”. Ekspozita e piktorit Namzi Hoxha vjen e kuruar nga Eridana Çano dhe mblodhi në çeljen e saj artdashës dhe miq të artistit në COD. Në ceremoninë e hapjes së ekspozitës ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, i cili tha se është mik i hershëm i Nazmi Hoxhës e rrjedhimisht një njohës i krijimtarisë së tij. Arti i Nazmi Hoxhës nuk mund të kufizohet vetëm nëpërmjet një zhanri të vetëm. Kuratorja Çano shprehet në tekstin kuratorial, se ai është mjeshtër i kompozimeve, i peizazheve, i nudove dhe i portreteve, të cilat të bëra bashkë sjellin një dëshmi të shkathtësisë dhe të thellësisë së tij si artist, pjesëza të ndryshme ëndrrash brenda një ëndrre të madhe arti. “Me një zotësi të jashtëzakonshme, ai i vesh veprat e tij me një mantel të mistershëm”, shprehet Eridana Çano.
Pikturat në ekspozitë
E tërë ekspozita është e shtrirë nëpër të gjitha hapësirat e COD-it. Te cikli i pikturave “Nudo” vërejmë aftësinë e përdorimit të ngjyrës në sipërfaqen e telajos, efekte herë të dukshme e herë të padukshme sjellin një ngarkesë unike emocionale. “Ngjyra është elementi i vetëm kompozues që prek trupat e zhveshur, të cilët duket sikur po tentojnë të shkëputen nga sipërfaqja, ashtu si nëpër ëndrra, ku vëllimet qëndrojnë pezull”, shprehet Eridana Çano kuratore. Cikli “Eden” vijon ajo mbart të njëjtat gjurmë, të njëjtën frymë emocionale, me ndryshimin e vetëm se Nazmiu nis të eksperimentojë duke na shfaqur tashmë mikrokozmosin e tij. Mikrotrupa qiellorë të stilizuar në një formë unike shfaqen në telajo. Cikli i portreteve në sallën “Tako Artistin” shprehet Çano, shfaq figura nga historia dhe kultura shqiptare, duke rrëmbyer thelbin e shpirtit të një kombi dhe të popullit të tij. I papërkufizuar në gjininë e pikturës, gjithmonë në kërkim të mistikes dhe të të qenit i veçantë në shprehinë e tij artistike, kuratorja thotë se Nazmiu bën një kapërcim horizontal në artin e tij, që pas ikjes në Amerikë dhe jetesës atje. “Mënyra e jetesës dhe e gjithë dinamika se si funksionon qyteti i Nju-Jorkut ku ai jeton, reflektohet te cikli i pikturave “Blinds””, shprehet Çano. Ndërsa cikli “Central Park”-u i Nju-Jorkut është “parku i madh artistik i peizazhit”, nga ku sipas kuratores, pasqyrohet ndërthurja e teknikës tradicionale me praktikat bashkëkohore, duke krijuar vepra të reja dhe inovative. Ekspozita e piktorit do të qëndrojë në COD deri më 10 maj.
Aktiviteti artistik
Piktori Nazmi Hoxha jeton sot në SHBA dhe ushtron aktivitetin e tij artistik me ekspozita vetjake dhe në grup. Veprat e tij gjenden të përhapura në një hapësirë të gjerë studiosh, koleksionistësh, mjedisesh dhe familjesh artdashëse në Shqipëri, Kosovë, Ballkan, Europë dhe në SHBA. Në aktivitetin e tij ndër vite është vlerësuar dhe me çmime të ndryshme. Nazmi Hoxha lindi në Tropojë të vjetër, më 15 tetor, 1955. Pasi mbaroi shkollën 8-vjeçare në qytetin e Bajram Currit, fitoi konkursin në liceun artistik “Jordan Misja”, Tiranë, dega pikturë. Pas përfundimit të liceut, në vitin 1979 vazhdon “Akademinë e Arteve të Bukura”, Tiranë. Pas rrëzimit të regjimit komunist ai punoi si piktor filmash në Radio Televizionin Publik dhe prej vitit 2008 jeton në SHBA.