Festivali ndërkombëtar i monodramës “Albamono” këtë vit sjell në skenë shtatë shfaqje. Aktiviteti bën bashkë artistë nga disa shtete, ndërsa veprat që do të interpretohen kanë tematika të ndryshme. Drejtori i festivalit Edmond Xhumari thotë se këtë vit në edicionin e njëzetë “Albamono” vjen me rritje të cilësisë artistike. “Festivali është më lart nga ana artistike se vitin që kaloi. Aktorët janë të mirë që do të interpretojnë monodramat. Për të marrë pjesë në festival për këtë vit patëm 40 kërkesa , ku më pas u bë dhe një përzgjedhje nga stafi i festivalit se kush do të jetë këtë vit. Janë shfaqje cilësore që do të konkurrojnë në “Albamono”. Janë tematika të ndryshme në shfaqje, si dhe ka edhe problematika të kohës”, shprehet Edmond Xhumari drejtor i festivalit ndërkombëtar të monodramës. Këtë vit marrin pjesë edhe artistë shqiptarë në festival në shfaqjet që vijnë nga shtete të ndryshme, por mungon një shfaqje nga Shqipëria. Por drejtori Edmond Xhumari shpjegon se vëniet në skenë janë shumë interesante. “Këtë edicion janë shtatë shfaqje në konkurrim, por nuk ka nga Shqipëria. Nuk përzgjodhëm, sepse nuk e pamë të arsyeshme të ishin në festival, por kemi aktoren shqiptare Marsela Lena, si dhe një regjisore shqiptare që jeton në Itali që janë në konkurrim në festival. Vëniet në skenë janë shumë interesante”, shprehet drejtori Xhumari.
Festivali në Maliq dhe në Korçë
Edicioni i 20-të i festivalit ndërkombëtar të monodramës “Albamono” do të zhvillohet në datat 20 – 27qershor në Qendrën e Kulturës “Dhimitër Orgocka”, Maliq si dhe te Katedralja në Korçë. Drejtori i festivalit Edmond Xhumari tregon se festivali këtë vit hapet me një shfaqje bazuar mbi një ngjarje të vërtetë. “Në festival aktorja Marsela Lena vjen me një shfaqje që ka fituar çmim në Amerikë. Lena vjen me trupën greke që punon atje dhe do të performojë greqisht në festival. Por kemi dhe shfaqje spanjolle që është shumë e mirë, kemi një bullgare, etj. Por dhe dita e parë ka shfaqje me temën burrnesha dhe regjisore është një shqiptare dhe aktore një ukrainase. Një ngjarje e vërtetë në veprën shkruar nga një italiane, ku flitet për një burrneshë që ka jetuar në Shqipëri. Ne i shfaqim monodramat këtë vit në katedralen e Korçës dhe shfaqjen e fundit në Maliq te Qendra e Kulturës “Dhimitër Orgocka”, ku do të jepen dhe çmimet. Për festivalin ne kemi pasur mbështetjen e kryetarit të bashkisë Maliq z. Gëzim Topçiu. Por këtë vit na ka mbështetur financiarisht edhe Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ”, tregon drejtori Xhumari. Në juri këtë vit janë Katsiaryna Saladukha nga Bjellorusia, Eva Skenderovska nga Maqedonia e Veriut dhe Ilir Shyta nga Shqipëria. Festivali do të hapet me shfaqjen “Burrnesha” në katedralen e Korçës shkruar nga Sara Giacomelli, regjia Valbona Xibri dhe në rol Maryna Ivashchenko, në festival vjen dhe shfaqja nga Bullgaria “Qeni i vogël qeshi” shkruar nga John Fante dhe regjia Ana Bateva, në rol Sevbar Ivanov, “Burka e Medeas” shkruar nga Andreas Flourakis regjia Kyrlaki Spanou dhe në rol Marsela Lena, etj. Çmimet që do të ndahen janë aktori më i mirë, aktroja më e mirë, regjia më e mirë, si dhe çmimi “Grand Prix”.