Një ekspozitë rinore, por e ngjizur nga gjeneza e historisë dhe eposit tonë kombëtar u përurua në galerinë e Liceut Artistik “Jordan Misja”, Tiranë. Kjo ekspozitë që titullohet “Identitet” u ideua nga Elsaid Dabula, Arnold Broqi dhe Xhon Madhi dhe u bë e mundur me pjesëmarrjen e një grupi artistësh të rinj të talentuar. Ata janë diplomuar këto tri vitet e fundit në Universitetin e Arteve Tiranë. I bashkoi ideja se në kohët post- moderne ndjehet gjithmonë e më shumë nevoja e qasjes së identitetit kombëtar, i cili po humbet në vorbullat globaliste. Momentin e duhur për çeljen e ekspozitës ata menduan se do të ishin doemos 28-29 nëntori, data që vulosën ardhmërinë tonë kombëtare që në kujtesën tonë historike duhet të mbesin të skalitura, për luftën dhe gjakun e shqiptar për liri dhe dinjitet. Ekspozita është e larmishme në teknika artistike dhe mediume. Ajo rrok një tematikë që nga mitologjia dhe eposi shqiptar deri tek heroizmi i të rinjve partizanë gjatë LANÇ. Në ekspozitë në fjalën e hapjes u theksua gjithashtu puna e palodhur e pedagogëve në hapat e para të artistëve të rinj. Një falenderim për Liceun Artistik dhe stafin drejtues për mundësimin e ekspozitës dhe punës mbresëlënëse në promovimin e artistëve të rinj. Ekspozita u ndoq nga një numër i madh artdashësish midis të tjerave dhe nga nje mik special i arteve z.Alastair King-Smith, ambasadori Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë. Në këtë ekspozitë kanë prezantuar punët e tyre Albina Nuraj, Alesia Podogrica, Arbri Zhabjaku, Arlind Boriçi, Armilda Kyçyku, Arnold Broqi, Enea Ziu, Elsaid Bandula, Euro Rrasa, Gjovani Marku, Izmir Bahja, Klevis Myrta, Leonard Prela, Marsild Kyçyku, Mateo Moshi, Ola Xhaferaj, Visar Piranaj dhe Xhon Madhi. Ekspozita do të jetë e hapur deri në 15 dhjetor për publikun.