Veprat e fondit të Galerisë Kombëtare të Arteve pjesë e ekspozitës “Paskali, artistët e Jonit dhe mureve të gurta” për herë të parë u ekspozuan në galerinë e Sarandës. Rrugëtimi i veprimtarisë së organizuar nga Galeria Kombëtare e Arteve, në Tiranë “Psikologjia Shqiptare në artet pamore”, vazhdon me vepra dhe artistë të qyteteve Vlorë, Gjirokastër, Përmet e Sarandë. Ekspozita përmban vepra në skulpturë dhe në pikturë të rreth 50 artistëve të shquar shqiptarë të zonës së jugut, pjesë e fondit të Galerisë Kombëtare të Arteve. Ekspozita mbështet nga Ministria e Kulturës dhe drejtues i projektit është Olsi Laska, kuratore Suzana Varvarica Kuka. Në tekstin kuratorial, thuhet se ekspozita “Paskali, artistët e Jonit dhe mureve të gurta” do të gjallërojë në sytë e publikut të sotëm imazhin e veprave të artit dhe jetën e artistëve që i krijuan në situata dhe në një kohë të shkuar. Ndërsa veprat dhe artistët e tyre do të nxisin te publiku kërshërinë për të njohur trashëgiminë figurative të krijuar kryesisht në shek. XX dhe më tej. “Ekspozita në galerinë e qytetit të Sarandës “Paskali, artistët e Jonit dhe mureve të gurta” do të funksionojë përsëri nën idiomën thërritëse: “Filloni vizitën tuaj të artit! Start your Art visit!”. Shumë shpejt do të kalojë koha e restaurimit dhe e zgjerimit arkitektonik të institucionin kulturor të GKA-së dhe një Muze Arti do të funksionojë me parametra tejet bashkëkohorë. Në këtë periudhë ndërtimesh e restaurimesh lindi iniciativa për të ekspozuar veprat e fondit të GKA-së jashtë mureve të sallave të saj, për të krijuar mundësi të reja komunikimi për shikuesit dhe vizitorët shqiptarë dhe të huaj”, thuhet rreth ekspozitës.
Krijimtaria e dhjetra artistëve
“Paskali, artistët e Jonit dhe mureve të gurta” sipas organizatorëve, është prezantimi i krijimtarisë së dhjetra artistëve që u lindën e u rritën në ajrin e detit Jon dhe në qytete të mrekullueshëm me shtëpi dhe kala me mure të gurta. “Veprat artistëve të Përmetit e Gjirokastrës, të Vlorës e Sarandës, që u arsimuan dhe krijuan në aksin jugperëndimor të Shqipërisë kanë imazhe figurative, me të cilat do të njihet e do të frymëzohet brezi më i ri i kohës sonë. Këtë grup artistësh e udhëheq Odhise Paskali, artisti që në vitet 30 të shek. XX, me statujat e tij në bronz, të vendosura në Korçë, Gjirokastër, Kukës e Tiranë i ktheu vendbanimet në qytete me qendër urbane. Ai ndikoi aq shumë sa dhjetra skulptorë që përfaqësohen në këtë ekspozitë janë nga Përmeti, vendlindja e mjeshtrit të madh Paskali. Ai ndiqet nga piktorët e “Shkollës së Vlorës”, që në vitet ‘70 – të shek. XX krijuan gjuhën e tyre ekspresive figurative, e cila buronte nga temperamenti dhe atmosfera figurative e peizazheve të detit, të kodrave me brezare e me platacione agrumesh”, thuhet për ekspozitën në tekstin kuratorial. Sipas organizatorëve, veprat janë të lidhura ngushtësisht me portretin psikologjik shqiptar, që u fiksua me ngjyra e volume në një kohë të caktuar sociale dhe historike. Ekspozita që u hap para disa ditësh do të mund të vizitohet nga artdashësit deri në datën 7 janar.