Piktorët e peizazhit sikurse çdo vit prezantuan edhe kësaj radhe ekspozitën “Plein air”. Hapja e një ekspozite me vepra arti është një ngjarje e bukur për kryeqytetin dhe ajo e një grupi artistësh të njohur merr një vlerë të madhe. E tillë është dhe ekspozita “Plein air” që në edicionin e nëntë u hap në Muzeun Historik Kombëtar me pjesëmarrjen e artistëve të njohur të peizazhit në Shqipëri. Një koleksion me vepra të përzgjedhura nga krijimtaria e këtij viti e 12 piktorëve. Piktorët Agim Kadillari, Agim Dervishi, Anastas Kostandini, Agron Polovina, Buron Kaceli, Pashk Përvathi, Nikolin Ivanaj, Rikarda Nova, Sadik Kasa, Sefedin Stafa, Xheneta Kadillari e Zaim Elezi prezantojnë veprat e tyre në këtë ekspozitë. Në tablo pikture qytetet, malet, deti dhe lumi, fshatrat, etj, ku punët e 12 artistëve prezantohen për herë të parë për publikun. Piktorja e njohur Xheneta Kadillari tregon se këtë edicion për publikun në Tiranë është hapur një ekspozitë mjaft e larmishme. Piktorja thotë se këta autorë kanë shumë punë nëpër studio dhe mes tyre kanë përzgjedhur nga 4 vepra për ti ekspozuar këtë herë në ekspozitë. “Janë punë në pikturë që janë përzgjedhur nga krijimtaria gjithë këtë vit. Ka një specifikë më të veçantë, sepse përzgjidhen peizazhet që janë të bëra direkt në natyrë. Kjo ka rëndësi që peizazhet këtu kanë ajrin e natyrës, e kanë atë tingullin që nuk mund të bëhet brenda 4 mureve të studios. Ndihet ajri, freskia, dhe kombinuar këtë me stilin e tyre që tashmë janë të afirmuar, ku gjithsecili ka mjetin shprehës të vet. 12 piktorë të prezantuar me nga 4 punime në pikturë”, tregon piktorja e njohur.
48 punë të ekspozuara
“Plein air” vjen me punime me një kolorit të pasur, ku bie në sy mjeshtëria e këtyre artistëve që kanë përzgjedhur disa nga tablotë e tyre më të bukura. Piktorja Xheneta Kadillari thotë se rëndësi ka dhe niveli artistik që prezanton “Plein air” me tablotë e ekspozuara. “Në piktura kemi Beratin, Gjirokastrën, Ulqinin, Tiranën, etj, por gjen dhe bregdet dhe male. Këtu i gjen të gjitha stinët, llojet e peizazheve dhe është shumë e larmishme kjo ekspozitë. Shumë njerëz nga të pranishmit në hapje e ekspozitës na uruan, sepse ka dhe ngritje të nivelit artistik”, thotë piktorja Kadillari, njëkohësisht dhe një nga organizatoret e ekspozitës. Në këtë ekspozitë janë ekspozuar 48 vepra, ku për herë të parë merr pjesë dhe piktori Anastas Kostandini (Taso). Piktori shprehet se kjo është një ekspozitë e rëndësishme. “Detyrë e piktorit është të gjejë mundësi për të prezantuar punët e tij. Unë e kam vokacion natyrën dhe nuk i jam ndarë peizazheve. Edhe pse pikturoj kompozime, merrem me grafikë, etj, por vazhdoj të merrem me peizazhin. Ishte fat për mua që ata që e organizoni të më ftonin, duke pasur parasysh dhe kontributin tim. Unë në piktura kam rajonin tim. Peizazh nga qyteti i Korçës dhe disa peizazhe janë të natyrës rurale të rrethinave të qyteti tim Pogradecit”, tregon piktori Kostandini. “Plein air” u hap në Tiranë në edicionin e nëntë, por sipas organizatorëve mendohet që në vijim të jetë edhe si një ekspozitë shëtitëse ku veprat të ekspozohen dhe në qytete të tjera. Ekspozita “Plein air” në edicionin e nëntë do të qëndrojë deri më 14 dhjetor në Muzeun Historik Kombëtar.