Pikturat janë pjesë e ekspozitës “The Magic Mountain”. Pesë artistë kanë prezantuar punët e tyre që janë bërë gjatë viteve të fundit në këtë ekspozitë që u hap për publikun. Piktorët e njohur Hasan Nallbani, Gjon Izano, Gazmend Leka, Arben Golemi, si dhe Ardit Boriçi kanë ekspozuar në “The Magic Mountain” një përzgjedhje nga punët e tyre. Piktori Arben Golemi tregon se katër autorëve të njohur iu bashkohet dhe artisti i ri Boriçi, që e cilëson të talentuar. “Pesë autorë këtë muaj prezantojnë punët e tyre në pikturë në “Golemi Art Gallery”. Mendova të bëja një ekspozitë me katër autorë, Nallbani, Leka, unë dhe Izano, mirëpo talentet e reja i kam shumë për zemër dhe bisedova me Gazin për të qenë dhe Boriçi, më pëlqen, një piktor i talentuar. Në ekspozitë janë punime që janë bërë në 3-4 vitet e fundit”, tregon piktori Arben Golemi, organizator i ekspozitës që u hap këtë muaj. Në këtë ekspozitë piktori Hasan Nallbani prezantohet me dy punime nudo, me të njëjtin model, por në dy versione. Piktori Gjon Izano ka tre piktura në “The Magic Mountain”, që janë peizazhe nga jugu i Shqipërisë. Ndërsa Gazmend Leka prezanton dy piktura në ekspozitë dhe njëra quhet “Mali Magjik” që ka marrë dhe titullin ekspozita që u hap në “Golemi Art Gallery”. Piktori Arben Golemi prezantohet me një tablo në përmasa të mëdha që quhet “Himalajet”, ndërkohë që tre pikturat e tjera janë në pastel dhe vizatim në letër të Ardit Boriçit. Si organizator i kësaj ekspozite piktori Arben Golemi thotë se që në fillim mendoi që të ishte një ekspozitë harmonike. “Ne jemi prej kohësh miq me njëri- tjetrin, ia dimë konceptet njëri- tjetrit dhe unë kam për detyrë si galerist që të ngre një ekspozitë që të jetë harmonike, që punët e autorëve të rrinë në një unitet”, shprehet piktori Golemi.
Ekspozita me pesë artistët e para këtë vit
Ekspozita që u hap me punët e pesë artistëve është e para këtë vit në këtë galeri. Në vijim gjatë vitit në “Golemi Art Gallery” do të ketë dhe ekspozita personale të artistëve, por nuk do të mungojnë dhe ato në grup autorësh. Piktori Arben Golemi tregon se në këtë galeri që drejton ai pjesë e ekspozitave janë autorë të njohur. ““The Magic Mountain” është ekspozita e parë në vitin 2024. Unë doja të hapja vitin në galeri me një ekspozitë me peshë të rëndë. Pas kësaj ekspozite do të jetë një tjetër në galeri vetëm me vizatime e piktorit Gazmend Leka, pas tij do të jetë sërish një ekspozitë tjetër me 4-5 autorë të tjerë që janë anëtarë të galerisë. Por do të vijojë dhe me ekspozita personale dhe kolektive në vijim”, shprehet piktori Arben Golemi. Ekspozita që u hap në “Golemi Art Gallery” me punët e pesë artistëve do të qëndrojë deri në fund të muajit. Ekspozita “The Magic Mountain” vjen në vijim dhe të atyre që janë hapur më parë në këtë galeri arti.