Eliona Thomoraj ndërpreu vite më parë studimet në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit për të vijuar rrugën e artit. U bënë gati njëzet vjet që ajo është pjesë e jetës artistike, që siç thotë dhe vetë i ka dhuruar momente të bukura, por nuk kanë munguar dhe vështirësitë. Në intervistën për gazetën “SOT” regjisorja dhe aktorja Eliona Thomoraj vjen në një rrëfim se si hyri në rrugën e artit, roli i parë në skenë që ishte protagonist për të vijuar më pas me të tjera role në shfaqje të ndryshme. Aktorja thotë se edhe sot po të zgjidhte do të ishte sërish rruga e artit, pasi këtu e ndjen veten të përmbushur. Por me rëndësi për aktoren Thomoraj është që teatri në vend duhet të unifikohet, ku sipas saj një artisti në një teatër vendor i mohohet e drejta e titullit të diplomës. Eliona Thomoraj thotë se kjo nuk është e drejtë dhe siç trajtohen artistët e teatrove në Tiranë ashtu duhet që ministria që drejton Kulturën të tregojë vëmendje dhe për teatrot në rrethe. Në teatër si aktore Thomoraj ka role të ndryshme, mes tyre përmendim Sofia te “Budallenjtë”, Blansh tek “Tramvaji me emrin dëshirë”; Linda tek “Dëshira e tretë”; Antonia tek “Lulja e kaktusit”. Si regjisore në aktivitetin e saj përmendim shfaqjet “Të gjithë me huqe” vlerësuar me çmim në festivalin e Dibrës 2013, monodrama” Xhordan” fituese e Festivalit Ballkanik të Monodramës 2011, “Për një fjalë goje” shfaqja e parë në ambientet e amfiteatrit të liqenit të Tiranës në periudhën e pandemisë. Po ashtu si regjisore e filmit të animuar përmendim filmat ““Legjenda e vendit t’shenjtë”, si dhe “Legjenda e Argjiros”.
-Ju këtë kohë në teatrin e Vlorës po punoni për një premierë teatrore që do të vijë në skenë. Keni qenë me role të ndryshme në teatër, por këtë herë jeni me rolin e Suzanës. Çfarë ndodh me Suzanën te komedia “Natën e mirë me burrin tim” që do të vijë në teatër premierë?
Shfaqja teatrore nga regjisori Jorgaq Tushe është prodhim i teatrit “Petro Marko” të Vlorës. “Natën e mirë me burrin tim” është premiera e parë këtë vit në këtë teatër. Një vepër që merr në mbrojtje familjet, por ka dhe divorcin që vjen nga tradhtia. Në rolin e Suzanës unë jam një grua e sapo tradhtuar, që shkoj te avokati im për të bërë divorcin. Ndërkohë që shoqja ime është dhe bashkëshortja e avokatit, e cila kur dëgjon çfarë më ka ndodhur vendos që ti bëjë dhe ajo një provokim atij për të parë se sa besnik është karshi saj. Pikërisht pjesë e lojës është Suzana duke qenë shoqe e ngushtë me të dhe fillojmë dhe provokojmë avokatin që nuk bie pjesë e provokimit, por brenda vijnë persona të tjerë, si komshiu që vjen të fshehë një prostitutë me të cilën kishte vendosur të kalonte mbrëmjen në mungesë të gruas, pastaj vjen gruaja për të bërë divorcin. Pra është një komedi situate, e cila përmbledh më së miri plagën e shoqërisë që është tradhtia.
-Keni gati dy dekada me teatrin si aktore dhe regjisore. Ju nisët studimet te Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit, por nuk i vijuat më për të hyrë në rrugën e artit. Si nisi kjo rrugë?
Ka qenë një shtysë e brendshme, ku ti e ndjen që nuk mund të bësh diçka tjetër ose më saktë kjo ishte gjëja që më përmbushte. I ndjeri aktori Sulejman Dibra ka qenë personi që më zbuloi dhe inkurajoi. Unë ndërpreva studimet te Fakultetit i Inxhinierisë së Ndërtimit dhe nisa studimet në Akademinë e Arteve dega Aktrim. Ka qenë viti 2002 kur nisa studimet te artet. Disa vite pas studimeve për aktrim kam kryer dhe master për regji.
-Me studimet te artet vjen dhe roli i parë, por ishte protagonist dhe ka qenë një shfaqje në teatrin e Vlorës. Çfarë kujtoni nga ajo kohë?
Roli im i parë ka qenë në vitin 2005 te teatri i Vlorës kur isha studente në vit të tretë në Akademinë e Arteve. Kjo ka qenë dhe nisma se si unë pastaj vijova të aktivizohesha pranë këtij tetari. Roli i parë ka qenë te shfaqja “Guri i rëndë në vend të vet”. Karriera ime ka nisur në teatër si aktore me një rol protagonist. Edhe pse isha studente e gjeta veten time aq mirë pranë kësaj trupe artistike në Vlorë. Teatri më bëri kërkesën për të filluar punë dhe të isha atje më pas pjesë e përhershme e trupës së tyre artistike.
-Ndërpretë studimet te Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit dhe ndoqët rrugën e artit, që siç keni pohuar dhe vetë herë pas here nuk ka qenë e lehtë. Nëse do të zgjidhje sot, po te artet do ishte?
Unë megjithëse nuk e shikoja veten në skenë, por e shikoja veten në arkitekturë mjedisi ishte vetë universi që e solli në mënyrë të atillë që rrugëtimin tim të jetës unë ta vijoja te artet. Kur isha në vitin e tretë në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit unë hyj në punë si protokoll arshiv në Estradën e Shtetit që ishte e pashkrirë në vitin 2002 dhe atje u përballa me skenën, u përballa me aktorin Sulejman Dibra dhe fillova të bëja disa recitime për pasion, ku ai ma tha që ti je e lindur për këtë punë dhe nuk duhet ta anashkalosh diçka të tillë dhe pastaj u ngjall dëshira. Për mua ishte e paperceptueshme që duhet të shkoja në art pasi im atë ka punuar në Kinostudio për tërë jetën dhe në vitin 1999 ajo mbyllet. Im atë i zhgënjyer pas 36 vitesh kontributi nuk më lejonte që të konkurroja në shkollë artistike, pasi sipas tij artit i kishte ardhur fundi dhe Shqipëria ishte një kantier ndërtimi. Kështu m’u drejtua im atë që: “Shqipëria është një kantier ndërtimi dhe ti po lë bukën për të ngrënë thërrimet”. Por unë i thashë që këto thërrime do të mbajnë më mirë. Ka qenë një sfidë prej një 20-vjeçareje që bën rebelen, që lë shkollën që i ka rekomanduar familja. Nuk jam bërë pishman, por dhe nëse do të rikthehesha sërish do të bëja po të njëjtën gjë.
-Sa e vështirë është të jesh artist në Shqipëri?
Të jesh artist në Shqipëri? Në Shqipëri nuk ka as shpërblim monetar dhe moral. Nuk na shohin më me admirim. Nuk na kanë më idhuj. Nuk ka më në Shqipëri një të ri, që thotë unë dua të bëhem si Yllka Mujo, Luiza Xhuvani Ndriçim Xhepa, etj. Neve i kishim idhujt. Idhulli im ka qenë regjisorja Xhanfise Keko. Ajo ia kushtoi jetën filmit familjar, ku edhe fëmijët e gjenin veten të personifikuar në tema sociale.
-Ju dhe të tjerë artistë jeni shprehur se dhe pse kërkesat ripërsëriten në drejtim të institucioneve apo dikur Ministrisë së Kulturës nuk janë marrë parasysh. Çfarë ka ndodhur?
Ku janë artistët në Shqipëri? A është vërtetë e kënaqshme situata për artistët në Shqipëri? Si ka mundësi që është lënë në harresë, në një heshtje të tillë? Neve flasin po kush na dëgjon. Unë personalisht kujtoj që kur erdhi ministre Kulture Mirela Kumbaro, më pas Elva Margariti dhe tani është në krye të Kulturës Blendi Gonxhja që bëj të njëjtën kërkesë. A ka mundësi që të gjithë artistët në vend të mblidhen nën varësi të Ministrisë së Kulturës? A ka mundësi që t’u kthehet emri i tyre si artistë, aktorë apo regjisorë të teatrit në teatrot vendorë dhe jo të quhen punonjës bashkie. Na kanë hequr titullin, nuk na quajnë në emrin e profesionit tonë dhe dikush duhet të na marrë në mbrojtje. Mendoj se ajo është Ministria e Kulturës, kush më mirë se sa ajo mund ta bëjë. Kush më mirë se sa Ministria e Kulturës mund të merrte në mbrojtje teatrot që janë në bashkitë vendore? Kërkesat tona nuk janë parë fare. Ku jemi ne? Vërtetë ka halle më të mëdha Shqipëria, po ku janë dhe artistët? Si mund të presësh që të rritet niveli artistik në rrethe? Teatri duhet të unifikohet, pasi artistit në një teatër vendor i mohohet e drejta e titullit të diplomës që është e papranueshme. Siç është teatri në Tiranë të jetë në gjithë Shqipërinë.
-Jo vetëm në fushën e teatrit, por në aktivitetin tuaj ju keni sjellë si regjisore dhe filma të animuar. Çfarë mund të na thoni më shumë mbi projektet në filmin e animuar, si po vijon puna juaj?
Unë do të vijoj me filmin e animuar në aktivitetin tim dhe ky është një nga qëllimet e mia. Sikurse kam përmendur dhe më parë, legjenda e radhës në film do të jetë legjenda e Tomorrit dhe Shpiragut që janë dy viganë që vriten mes tyre për dashurinë e nimfës Osume, që dhe atë zoti e dënon, duke i kthyer vëllezërit në male dhe nimfën në lumë për të larë të gjithë mëkatin çfarë kishte bërë. Por kam dhe një ide tjetër për film, “Kostandini dhe Dhoqina” me idenë e pasurimit të fondit te muzeu “Studio Kadare”. Kjo është dhe ruajtja e trashëgimisë sonë kulturore, por dhe diçka më shumë për turistët që vijnë.
Intervistoi: Julia Vrapi