Monumentet e kulturës duhet të jenë gjithmonë në vëzhgim për gjendjen e tyre. Për akademikun Emin Riza ndërhyrjet mirëmbajtëse janë thelbi i ruajtjes së vlerave në monumentet e kulturës. 18 prilli është shpallur Dita Ndërkombëtare e Monumenteve dhe Siteve Arkeologjike, ku një ditë më parë akademiku Emin Riza u shpreh se specialistët duhet të kenë gjithmonë në vëzhgim gjendjen e monumenteve të kulturës. Në intervistën për gazetën “SOT” akademiku Emin Riza flet për punën e bërë dikur me restaurimet dhe Institutin e Monumenteve të Kulturës, përgjegjësinë që kanë sot institucionet dhe formimin e specialistëve në fushën e restaurimit. Përgatitja e brezit të ri të restauratorëve sipas akademikut Riza ka shumë rëndësi, por sipas tij fatkeqësisht po vjen drejt rënies. Akademiku Emin Riza thotë se nuk duhet që t’i lësh monumentet e kulturës afër shkatërrimit që të ndërhysh, por duhet të ndërhysh që në shfaqjen e parë të dëmtimeve të vogla, pasi kjo bllokon degradimin më tej. Akademiku Emin Riza që përgatiti dosjet për Gjirokastrën dhe Beratin në UNESCO flet dhe për rëndësinë e këtyre dy qendrave historike në trashëgiminë kulturore, ku sipas tij janë të një rëndësie të veçantë. Dita Ndërkombëtare e Monumenteve të Kulturës dhe Siteve shënohet prej vitit 1982, kur Konferenca e Përgjithshme e UNESCO-s u rekomandoi shteteve anëtare që të shqyrtonin mundësinë e deklarimit të 18 prillit të çdo viti si “dita ndërkombëtare e monumenteve dhe vendbanimeve historike”.
-Dita Ndërkombëtare e Monumenteve të Kulturës dhe Siteve shënohet që prej vitit 1983 më 18 prill. Sa ka rëndësi kjo ditë për trashëgiminë kulturore?
Në Ditën Ndërkombëtare të Monumenteve të Kulturës dhe Siteve duhet të shikohen në përgjithësi arritjet nga një vit më përpara dhe çfarë duhet bërë për përmirësimin e mëtejshëm të përkujdesjeve teknike për monumentet e kulturës në vendin tonë.
-Jeni studiues i arkitekturës popullore, inxhinier e restaurator dhe drejtues dikur në Institutin e Monumenteve të Kulturës. Por përballë problemeve me trashëgiminë kulturore, ju herë pas here jeni shprehur dhe për punën e drejtuesve në institucione. Çfarë duhet të jetë në vëmendje?
Drejtuesi ka rëndësinë e tij në një institucion. Por në radhë të parë kryesore janë drejtuesit e sektorëve përkatës në institucionet e vetë institutit që merret me monumentet e kulturës. Dihet që puna për restaurimin, për mirëmbajtjen e monumenteve të kulturës është jashtëzakonisht e rëndësishme. Po bëjmë një krahasim me jetën njerëzore. Ashtu siç duhet vazhdimisht të kujdesesh për jetën njerëzore, ashtu duhet vazhdimisht të kujdesesh dhe për qëndrueshmërinë tekniko-statike të vlerave monumentale, që janë në përgjithësi vlerat ndërtimore dhe vepra artistike.
– Instituti i Monumenteve të Kulturës është themeluar në vitin 1965 mbi bazën e sektorit të Restaurimit të Grupit të Kulturës Materiale pranë Universitetit të Tiranës, i cili përkujdesej për mirëmbajtjen e monumenteve të kulturës para krijimit të IMK-së. Çfarë kujtoni nga ajo kohë në fillimet e tij, ku dhe ju ishit pjesë?
Kryesuesi themelor për krijimin e Institutit të Monumenteve të Kulturës për mbrojtjen e monumenteve në vendin tonë është Gani Strazimiri, sepse ai e kuptonte në mënyrë shumë njerëzore dhe kulturore rolin e profesionistëve të mbrojtjes së monumenteve, të cilët në radhë të parë duhet të ishin të përgatitur profesionalisht dhe të përkushtuar për profesionin e tyre. Kështu që Gani Strazimiri, duke vepruar si një përkushtues ndaj mbrojtjes së monumenteve e ka vënë në veprim këtë detyrë dhe në radhë të parë edhe në kriteret për përzgjedhjen profesionale të punonjësve që punonin në Institutin e Monumenteve të Kulturës.
-Ju theksoni kriteret profesionale në përzgjedhjen e punonjësve në IMK, që sot është Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, i cili u formua nga bashkimi i dy institucioneve të mëparshme në varësi të Ministrisë së Kulturës përkatësisht nga Instituti Monumenteve të Kulturës “Gani Strazimiri” dhe Agjencia e Shërbimit Arkeologjik. Por gjatë viteve të fundit ju jeni shprehur herë pas here dhe me vërejtje për këtë institut?
Vërejtje për përmirësime ka shumë nevojë, por deri tani ruhen traditat në Institutin e Monumenteve të Kulturës.
-Në reagimet tuaja ju jeni shprehur jo vetëm për punën që është bërë, por dhe problemet në trashëgiminë kulturore. Për ju shumë rëndësi ka dhe përgatitja specialistëve. Çfarë ka ndodhur?
Në radhë të parë tek ne tani është problemi me kuadrot. Brezi jonë jemi në moshë dhe jemi larguar nga IMK. Grupi i parë në Institutin e Monumenteve të Kulturës (IMK) ishte i një rëndësie europiane. Këto nuk janë fjalë që i them unë, por i kanë thënë dhe shumë specialistë të huaj nga institucionet europiane. Njëri prej tyre Xhevat Erder ka qenë drejtor i Qendrës Ndërkombëtare për Restaurimin e Monumenteve me qendër në Romë. Në vitin 1980 ai erdhi për të vizituar monumentet e kulturës në vendin tonë dhe për të parë gjendjen e tyre. Mua më caktuan për ta shoqëruar. E shoqërova në Tiranë, shkuam më pas dhe në Berat, dhe ditën e tretë e shoqërova për të ngrënë drekën. Por duke ecur ai ndaloi dhe më tha: Emin Qendrën Ndërkombëtare të Restaurimit të Monumenteve nuk duhet ta lemë në Romë, por duhet ta biem në Tiranë. Por dhe shumë të tjerë e kanë vlerësuar, sepse ashtu ishte realisht. Por kjo është merita e Gani Strazimirit. Përgatitja e brezit të ri të restauratorëve ka jashtëzakonisht shumë rëndësi, por fatkeqësisht po vjen drejt rënies. Përzgjedhja e të rinjve për t’u përfshirë si punonjës i IMK po vjen drejt rënies.
-Ndër vite specialistë të ndryshëm janë shprehur për më shumë vëmendje në monumentet e kulturës. Pse për ju ka shumë rëndësi mirëmbajtja, si ndikon kjo?
Restaurim do të thotë ta ruajmë gjendjen ekzistuese të monumentit në momentin që është shpall monument kulture. Thelbi i restaurimit është mirëmbajtja e vazhdueshme e monumenteve të kulturës. Nuk duhet që t’i lësh monumentet e kulturës afër shkatërrimit që të ndërhysh, por që në shfaqjen e parë të dëmtimeve të vogla dhe ndryshimeve të vogla duhet menjëherë për të ndërhyrë, për ti rikthyer në gjendjen origjinale. Nëse nuk ndërhyhet sapo është dëmtimi i vogël atëherë ka shumë rreziqe që ai të zhvillohet shpejt në kohë. Pas viteve ’90 ne kemi pasur në vend dëmtime dhe shkatërrime të monumenteve të kulturës. Por dëmtimet kanë ndodhur më shumë në monumentet që shfrytëzohen, që janë ndërtimet e kultit dhe në ndërtimet e banimit.
-Profesor ju jeni autor i shumë projekteve dhe drejtues i punimeve të restaurimit në vendin tonë, si dhe keni përgatitur dosjet për cilësimin e Gjirokastrës e të Beratit “Pasuri Botërore” prej UNESCO-s. Si i keni parë institucionet për këto dy qendra historike në vendin tonë?
Deri tani në përgjithësi nuk mund të them që është i përkryer kujdesi tekniko-profesional për këto vlera, por në përgjithësi gjendja është e mirë mund të themi. Por duhet që të shtohet kujdesi, ku që në deformimet e vogla menjëherë të ndërhyhet, sepse po ndërhyre në fillim e ndërpret procesin e shkatërrimit dhe e bllokon. Por problemi që kemi tani është te krijimi i brezit tjetër, brezit të specialistëve. Restauratorët formohen në punë dhe nëpërmjet punës, nëpër IMK dhe degëve të tij. Qendrat historike të Gjirokastrës dhe Beratit janë të një rëndësie shumë të madhe edhe për kulturën Europiane, por veçanërisht dhe për kulturën shqiptare, ku Gjirokastra ka të theksuar tipare vendore. Pra tipare shqiptare në kompozimin e banesave dhe në trajtimin tekniko- arkitekturor të gjithë elementëve përbërës të tyre. Berati ka një zhvillim që ndikohet shumë mbi pozicionin në të cilën ngrihet qyteti. Ngrihet në lagjen Kala, Mangalem, Goricë që janë lagje me një pjerrësi të theksuar dhe jo të barabartë me njëra- tjetrën dhe detyrojnë dhe mundësinë e krijimit të varieteteve të ndryshme të tipologjisë, që janë bërë e tashmë janë cilësuar monumente.
-Tashmë po vijojnë politikat e reja në drejtim të ministrisë së Kulturës me ministër tjetër. Për ju çfarë duhet pasur parasysh për trashëgiminë kulturore?
Në radhë të parë vetë IMK duhet nga ana profesionale të ketë të niveleve të larta dhe të mbikëqyrë vijimisht gjendjen e monumenteve të kulturës. Institucionet kanë përgjegjësi kur bëhen shkelje, por nga ato ka nevojë që ti tregohet kujdes i madh. Detyra e institucioneve është kujdesi për monumentet. Një njeri që nuk është specialist nuk mund ti japë rëndësinë e duhur ndërhyrjeve të parregullta që cënojnë vlerat origjinale të monumentit. Duhet specialisti që ta ketë gjithmonë në vëzhgim dhe vijimisht gjatë vitit të shikojë gjendjen e monumenteve të kulturës. Pra rëndësi ka njohja e vazhdueshme e gjendjes së monumenteve të kulturës, mbikëqyrja dhe ndërhyrja e menjëhershme qoftë të vogla. Ka pasur dëmtime të monumenteve të kulturës pas viteve ‘90 dhe institucionet kanë përgjegjësi, por dhe vetë IMK, se ne brezi i parë jo se jemi më të zotë por koha na ka bërë, na ka mësuar puna. Kemi qenë të lidhur ngushtësisht me atë profesion.
Intervistoi: Julia Vrapi
Studiuesi i arkitekturës popullore
Emin Riza lindi më 1937. Ai është studiues i arkitekturës popullore, inxhinier e restaurator. Profesor Emin Riza zotëron mban titujt dhe gradat shkencore Kandidat Shkencash, Bashkëpunëtor i Vjetër Shkencor, Doktor Shkencash e Profesor. Në 1962 u diplomua inxhinier ndërtimi. Në vitet 1962 deri më 1965 ishte punonjës shkencor në Grupin e Kulturës Materiale të Institutit të Historisë dhe të Gjuhësisë, më pas nga viti 1965 deri në 1993 dhe 1997 e në vijim punonjës shkencor e specialist restaurator në Institutin e Monumenteve të Kulturës, ku ka kryer dhe detyra drejtuese, si përgjegjës sektori, nëndrejtor (prej vitit 1985 deri më 1988) e drejtor (prej vitit 1988 deri më1993), kryeredaktor i revistës Monumentet. Në vitet 1993 deri më 1997 ishte njëkohësisht sekretar shkencor i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe kryeredaktor i revistës “Studia Albanica”. Ka botuar një varg monografish e artikujsh mbi arkitekturën popullore të Shqipërisë e të Kosovës, si dhe restaurimin. Ka marrë pjesë në shumë konferenca e simpoziume kombëtare e ndërkombëtare. Është autor i shumë projekteve dhe drejtues i punimeve të restaurimit. Ka përgatitur dosjet për cilësimin e Gjirokastrës e të Beratit “Pasuri Botërore” prej UNESCO-s, e gjithashtu ka qenë anëtar dhe i Këshillit Kombëtar të Restaurimit. Emin Riza ka shkruar 22 libra dhe rreth 80 artikuj në revista shkencore.