Festivali “Romanca shqiptare” edhe këtë vit do të jetë pjesë e jetës artistike në Tiranë. Një festival, i cili ka në vëmendje krijimtarinë e re shqiptare dhe që bën bashkë 15 krijues me veprat e tyre. Drejtori artistik kompozitori i njohur Endri Sina flet për punën që bëhet për këtë aktivitet, që sipas tij është shumë i rëndësishëm dhe ka vëmendje për krijuesit. Në intervistën e tij kompozitori pohon se është një festival që ka buxhet minimal dhe nëse do të ishin fondet më të mëdha kjo do të sillte dhe më shumë pjesëmarrje të krijuesve. Kompozitori Endri Sina ndalet dhe në të tjera probleme në fushën e krijimtarisë muzikore. Sipas tij kjo gjendje problematike vijon prej vitesh dhe askush nuk është kujtuar që të ketë një fond të caktuar për krijuesit në muzikë. Për këtë sipas tij është Ministria e Kulturës ajo që duhet ta ketë në vëmendje, por kjo deri tani ka munguar. Sipas tij ndër vite nuk kemi përqendrim tek krijimtaria muzikore nga institucionet dhe janë pothuajse të braktisur krijuesit e muzikës serioze. Kompozitori pohon se në këto 26 vjet janë shumë të pakta krijimet dhe ato me një lloj sakrifice nga kompozitorët për të bërë vepra shpesh pa pagesa, por kjo nuk mund të vazhdojë në këtë mënyrë.
-Festivali “Romanca shqiptare” vjen në edicionin e tretë. Si është menduar këtë vit?
Festivali “Romanca shqiptare” është viti i tretë që zhvillohet pas një pauze të gjatë. Pra që nga viti 2015 kur nisi edicioni i parë këtë vit mbërrin në edicionin e tretë. Festivali ka nisur që në 1986 në mos gaboj, në fillim e drejtonte Kozma Laro, më pas në vijoi në 1992, ‘94,’98 ku më pas është ndërprerë dhe në këtë rast është edicioni i tretë. Mos harrojmë që ky është një festival, ku çdo gjë krijohet. Në çdo vit sjell krijimtari të re për publikun. Pra për ne e rëndësishme është në çdo vit krijimtaria e re. Ne kemi një numër të limituar prej 15 romancash në festival, një gjini e vogël, por që është shumë e përhapur, e përdorshme dhe efikase dhe për procesin e mësimdhënies, që vlen dhe për studentët në fakultet. Kemi 15 romanca të reja shqiptare dhe kjo është shumë e mirë. Ne për romancat kemi gjithmonë vokal dhe piano. Ne do të donim dhe ta ndryshonim, por kjo varet dhe buxheti që kemi për festivalin.
-Buxheti mbetet problem për zhvillimin e festivalit, por projekti juaj është mbështetur nga Ministria e Kulturës. Edhe këtë vit artistët flasin për mungesë transparence, pasi mungojnë të publikuar emrat e bordit që ka bërë vlerësimin. Në gjykimin tuaj çfarë mund të na thoni?
Ne për festivalin aplikuam për herë të parë në Ministrinë e Kulturës dhe e falënderoj që na përkrahu për këtë projekt. Sigurisht që ky është një projekt që e kanë filluar të tjerë dhe unë e vazhdoj, por bordet duhet të jenë të hapura kur bëhet një përzgjedhje. Ky është mendimi im dhe nuk e di se çfarë pakënaqësish kanë të tjerët. Ajo që dua të them është që për projektet ne marrim një buxhet vetëm për ta vazhduar këtë festival. Nuk është i tillë buxheti që bën të pasur artistët. Madje është gati qesharake ajo shumë, që jepet për projektet. Por gjithsesi dhe na duhet për ta mbajtur gjallë festivalin e romancës. Është ndër aktivitetet e pakta që ka krijimtari të re. Sigurisht që është me gjini të vogla, sepse kaq është mundësia financiare.
-Më shumë buxhet çfarë do të sillte për festivalin tuaj?
Nëse do të kishim më shumë buxhet ne do ta kishim bërë me të zgjeruar nga ana e krijimtarisë festivalin, por gjithsesi po gëzohemi me këtë që të mbajmë gjallë atë krijimtari të vogël të miniaturave apo tregimeve të vogla muzikore.
-Për ju sa është bërë gjatë këtyre viteve të fundit për vepra më të mëdha të muzikës serioze? Sa ka pasur vëmendje ky problem?
Ne kemi vite që si kompozitorë kërkojmë të krijohet një fond për krijimtarinë muzikore shqiptare. Të krijohet një fond i krijimit, nuk është bërë nga asnjë qeveri deri tani. Por kjo mënjanohet ose bëhet me evente shumë të vogla. E rëndësishme është që të jetë i krijuar ky fond më vete. Ashtu si ne kemi fond më vete për teatrin, fond për kinematografinë, artet e bukura, po kështu dhe për krijimin në muzikë. Ky fond është për të krijuar muzikë, jo për ta vënë në skenë, por për ta shkruar. Ministria e Kulturës duhet ta ketë një fond të tillë në buxhet që përkrah kompozitorët për të shkruar, që nga gjinitë e vogla të muzikës serioze deri ato të mëdhatë. Kjo është alarmante për krijuesit. Është dhe një problem, që në përgjithësi artistëve iu mungon organizimi. Kjo është e meta jonë. Organizimi do të shërbente që ne të mos flisnim për këto probleme me zëra të veçantë, por do të ishim një grup që të fliste për gjithë këto probleme që hasim ne në aktivitetin tonë krijues.
-Pse ka munguar ky organizim mes krijuesve?
Nuk di çfarë t’ju them. Atmosfera që është ndikon dhe në këtë mungesë organizimi mes krijuesve.
-Ju përmendtë buxhetet që mungojnë në aktivitetin e krijuesve në muzikë. Sa e vështirë është për ju të mbani gjallë aktivitetin artistik?
Për muzikën serioze që përfshin të gjitha gjinitë në muzikë, ato të vogla apo të mëdha si opera, baletet etj, është ndoshta nga periudhat më të vështira për ne si krijues gjithë këto vite. Kjo mungesë vëmendje për krijimtarinë muzikore nga institucionet ka bërë që ne të jemi të braktisur. Është një lloj arti që nuk mund të mbahet vetëm nga sa mund të fitojmë nga biletat. Në vendet e tjera të botës kjo gjini muzikore përkrahet nga shteti, tek ne nuk ka ndihmë. Pra janë politika që duhet të financojë një art, që i bën njerëzit qytetarë. Muzika e lehtë shpesh e gjen veten e saj edhe pse ka probleme, por tek krijimtaria muzikore serioze është akoma dhe më e vështirë. Edhe ato vepra muzikore që kanë mbetur, për hir të së vërtetës kanë qenë Dekadat e Majit që i kanë mbajtur gjallë. Edhe pse zhvilloheshin në kohën e komunizmit, ato kanë vlejtur për të mbajtur gjallë këtë krijimtari muzikore, për të krijuar vepra të shumta. Ishin një lloj nxitje dhe një përkrahje për krijuesit. Gjatë këtyre viteve sado që u munduan disa shoqata që të krijojnë aktivitete të përvitshme, por nuk vazhduan gjatë për arsye të mungesës së financimeve. Çdo gjë ka ardhur në tkurrje. Ne po e mbajmë këtë festival të romancës, sepse ka buxhetin minimal, pra ky aktivitet po mundohet të mbijetojë.
-Një festival i romancave që ju pohoni probleme, por kur është zhvilluar dhe ka pasur jehonën e tij. Sa rëndësi ka kjo për ju si drejtues artistik?
Sigurisht që ka pasur vëmendje. Në festival janë vepra shumë të kapshme, e dyta angazhohen shumë krijues, janë 15. Angazhohen dhe këngëtarë lirikë apo dhe studentë, ndaj e ka mundësinë ky aktivitet që të krijojë një frymë të tillë. Nuk e di se si do të jetë në të ardhmen, por ju thashë që është një situatë shumë problematike.
-Sa problem është mungesa e konkurseve në këtë gjini muzikore dhe sa shërbejnë ato?
Konkursi është një formë shumë e mirë për të nxitur krijimtarinë muzikore dhe kjo ndodh dhe në vende të tjera. Por në kushtet ku jemi ne sot në vendin tonë konkursi për muzikën është luks. Më mirë të vendosesh një buxhet, i cili financon krijimtarinë se sa thjesht një buxhet për një konkurs. Mendoj që një konkurs për muzikën vendoset në fazën kur ne kemi sasi, krijimtari muzikore dhe vendoset për të gjetur më të mirën. Për mua është alarmante fondi i krijimtarisë muzikore, që mungon. Më pas nëse do të kemi rritje buxheti mund të krijojmë mundësinë e një konkursi, i cili përsëri duhet menduar qoftë të moshës apo gjinisë muzikore. Për mua është emergjente një fond i caktuar për krijimtarinë muzikore nga Ministria e Kulturës. Edhe gjatë këtyre viteve po vazhdon e njëjta situatë e 26 viteve, është e njëjta problematikë. Nuk kemi përqendrim tek krijimtaria muzikore, janë pothuajse të braktisur krijuesit e muzikës serioze. Në këto 26 vjet janë shumë të pakta krijimet dhe ato me një lloj sakrifice nga kompozitorët për të bërë vepra shpesh pa pagesa, por kjo nuk mund të vazhdojë në këtë mënyrë. Shteti duhet të gjejë forma që të mundësohet krijimtaria e re muzikore. Ashtu si ka për artet e tjera të gjendet dhe për krijimtarinë muzikore, sepse deri tani nuk është gjetur forma për të ndihmuar krijuesit nga Ministria e Kulturës.
Intervistoi: Julia Vrapi