Një histori e veçantë për pushtuesin barbar, mbretin e Hunëve, dhe dëshirës për liri të popullit italian në veprën “Attila” nga kompozitori Giuseppe Verdi. Opera premierë këto mbrëmje nëntori u ngjit në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, ku sopranoja e njohur Eva Golemi interpreton rolin e Odabellas. Sopranoja u ngjit në skenë mbrëmjen e së mërkurës, duke marrë duartrokitjet e publikut. Me një aktivitet artistik që ka nisur vite më parë, sopranoja shprehet se roli i Odabellës është i vështirë nga ana vokale, por një xhevahir më shumë në rolet që ajo ka interpretuar në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. “Odabella është rol shumë i vështirë nga ana vokale. Rol dramatik me axhilitet. Një rol që e luaj për herë të parë. Një xhevahir më shumë në 35 rolet e mia, ky është i 36-ti”, shprehet sopranoja. Eva Golemi është një nga zërat më brilante të muzikës lirike, e cila ka disa vite që është pjesë e pandarë e roleve kryesore në vepra të ndryshme operistike. Tashmë ajo e ka krijuar rrugën e saj artistike, duke u bërë një nga zërat më të talentuar edhe në skenat evropiane. Në veprën “Attila” të Verdit, sopranoja shprehet se edhe pse ky rol është i vështirë, me eksperiencën dhe punën e saj në opera bëhet më i thjeshtë. “Odabella është një rol i fortë nga ana e dramaturgjisë, po për mua është më e thjeshtë, sepse kam luajtur Abigaile tek Nabucco, që janë të përafërta nga ana vokale”, shprehet sopranoja Golemi. Sopranoja Eva Golemi e ka filluar aktivitetin e saj në vitin 1996 pa mbaruar akoma Akademinë e Arteve me rolin e “Dona Anës” në operën “Don Xhovani”. Pas këtij roli ajo vazhdoi rrugën e saj në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit, ku në vijim përmendim roli i Violetës në operën “Traviata”, roli i Xhildës në “Rigoleto”, roli i Lju në “Madam Butterfly” etj, por një nga interpretimet e shkëlqyera është edhe roli i Rosalindës tek opereta “Lakuriqi i natës”.
Opera në skenë
Pas orëve të gjata prova dhe përgatitje, Orkestra Simfonike e TKOB-së, në bashkëpunim me konservatorin “Umberto Giordano” të Foggias dhe Konservatorin “Giuseppe Martucci” të Salernos, Kori i TKOB, solistët shqiptarë e të huaj, dhe gjithë produksioni i kësaj shfaqjeje, sollën në skenë veprën e Verdit. Në TKOB tragjedia e shekullit të V të mbretit të Hunëve, Attilës, dhe rezistencën e popullit italian, me në krye guximtaren Odabella, ndjekur nga gjenerali Ezio dhe i dashuri i saj Foresto. Heroizmi i vajzës italiane, Odabellës, e cila me trimërinë e saj arrin të fusë në kurth pushtuesin barbar, duke u hakmarrë kështu ndaj vdekjes së të atit, bën që historia të shkruhet në favor të drejtësisë. Dirigjent Jacopo Sipari di Pescasseroli, regjisore Ada Gurra, kostumografi Edlira Qyshka dhe dirigjent kori Dritan Lumshi. Attila: Petar Naydenov; Ezio: Armando Likaj, Evez Abdulla; Odabella: Eva Golemi, Ramona Tullumani; Foresto: Amadi Lagha; Uldino: Matias Xhelil; Andi Istrefi; Leone: Bledar Domi; koncertmaestër: Etrita Ibrahimi, Herta Cane dhe Thanas Paskali. “Attila” u shfaq në datat 15 dhe 16 dhe do të vijojë dhe në 18 e 19 nëntor.