Në qytetin e Mitrovicës mbrëmë startoi edicioni i pestë i Festivalit të Komedisë, ku nuk mungojnë dhe trupa teatrore nga Shqipëria. Mbrëmja e parë e festivalit, i cili do të vijojë për publikun deri më datë 6 qershor, u çel me komedinë “Auewiedersehen” (Lamtumirë), të autorit Osman Goranci, me regjisor Fazli Muharremi. Në këtë vepër u duartrokitën jo pak aktorët e Teatrit “Hasan Prishtina” nga Vushtrria. Festivali vazhdon në ditët në vijim me këto shfaqje teatrore: “Bilush Gruji”, në regji të Xhemail Lutës dhe luajnë aktorët e Teatrit të të Rinjve të Qytetit të Prishtinës; “Studentët”, në regji të Burhan Sejdiut, luajnë aktorët e “Teatrit të Ëndrrave”, nga Suhareka; “Doktoresha Hazbi”, në regji të Muharrem Hoda, ku luajnë aktorët e Teatrit “Aleksandër Moisiu”. Në mbrëmjen e pestë shfaqet komedia “Votojmë për vete”, të autorit Shkëlzen Halimi, në regji të Luan R. Kryeziut, ku luajnë aktorët e Teatrit të Qytetit në Prizren. Ndërkaq në mbrëmjen e gjashtë të fundit mjeshtrit e mëdhenj të humorit shqiptar, shkodranët Gëzim Kruja, mjeshtër i madh dhe Rajmonda Marku, aktore e teatrit “Migjeni”, Shkodër, paraqiten me grimca të ndryshme humoristike para publikut mitrovicas. Në fund të kësaj mbrëmje do të ndahen çmimet e festivalit. Të gjitha shfaqjet janë në sallën e Qendrës së Kulturës “Rexhep Mitrovica”, buzë Ibrit, duke filluar në ora 20:00 dhe hyrja për shikuesit është pa pagesë. Qëllimi i këtij festivali është komunikimi kreativ dhe teatror, afirmimi i të rinjve në fushën e artit dramatik dhe gjetja e vlerave, si dhe afirmimi i komedisë. Objektivat e këtij festivali janë gjetja dhe afirmimi i vlerave teatrore të komediografëve shqiptarë, nxitja e krijimtarisë artistike teatrore, zbulimi dhe inkurajimi i talenteve të rinj, që konsiderohet një investim në të ardhmen. Një vit më parë festivali në edicionin e katërt të tij u zhvillua në teatri e qytetit "Sandër Prosi", nga 28 Maji deri më 2 Qershor. Edicioni i katërt i Festivalit Tradicional të Komedisë kësaj radhe i dedikohej 100 vjetorit të Pavarësisë së shtetit shqiptar. Ndër vite në këtë festival janë vlerësuar jo pak aktorët nga Shqipëria. Me çmim të parë në edicionin e tretë të festivalit, juria vlerësoi teatrin “Petro Marko”, nga Vlora, ku rolin më të mirë të femrës po në atë festival, juria shpërbleu Desantila Kristo, nga teatri i Vlorës.