Filmat më të bukur shqiptarë prodhuar para viteve ’90 në vendin tonë janë pjesë e programit gjatë muajit nëntor në Arkivin Qëndror Shtetëror të Filmit. Prodhimet kinematografike që mbajnë emrin e regjisorëve Viktor Gjika, Dhimitër Anagnosti, Rikard Ljarja, Piro Milkani, Saimir Kumbaro, Xhanfise Keko, Fehmi Hoshafi e Petrit Ruka janë pjesë e programit të muajit nëntor që shfaqen në sallën “Kinojonë”. Në faqen e AQSHF-së është publikuar dhe kalendari me filmat, ku programi në 2 nëntor vijon me filmin “Në çdo stinë” me regji nga Viktor Gjika, skenari Bashkim Hoxha dhe Viktor Gjika. Ky film artistik me ngjyra, i xhiruar në formatin me ekran të gjerë, tregon historinë e dy studentëve të universitetit që bien në dashuri, por ndeshen me rezistencën e miqve të tyre më të ngushtë. “Nëntori i dytë” në 3 nëntor, shfaqje e rezervuar nga shkolla “Skënder Çaçi” e Tiranës. Filmi nga Viktor Gjika me skenar Dhimitër Shuteriqi dhe Kiço Blushi tregon historinë e patriotit Ismail Qemal Vlora dhe kalimin e tij me karrocë nëpër Shqipërinë e pushtuar nga Osmanët për të shpallur pavarësinë e vendit në qytetin e Vlorës. Sipas programit, 6 nëntor filmi “Zonja nga qyteti”. Filmi i regjisorit Piro Milkani me skenar Ruzhdi Pulaha, rrëfen historinë e një nëne krenare nga qyteti që shoqëron vajzën e saj për jetuar e punuar në fshat. Në program AQSHF ka përzgjedhur dhe filmin “Shoku ynë Tili”. Me regji të Fehmi Hoshafit e skenar Halili Kamberi, filmi tregon historinë e një mësueseje të duruar, që ndihmon një fëmijë të prapë.
Filmat në vijim në program
Në datën 10 nëntor paradite sipas programit për filmat te “Kinojonë”, që kushdo mund ti ndjekë është dokumentari “Kryekënga e kombit”. Historia e himnit të flamurit. Si lindi, si u kompozua e si udhëtoi në Shqipëri nga Bukureshti. Dokumentar i prodhuar në vitin 2012 nga BunkerFilm me regji të Petrit Rukës. 14 nëntor “Apasionata”, drama me ngjyra e regjisorit Ibrahim Muçaj dhe Kristaq Mitro tregon historinë e një pianisteje dhe një studenti të artit, i cili ndjek shkollën e artit vetëm për të kënaqur babain e tij ministër. Bazuar në një tregim të shkrimtarit Dritëro Agolli. “Nusja dhe shtetrrethimi” në 16 nëntor. Shfaqje e filmit me rastin e 45-vjetorit të premierës. Premiera e parë e filmit u mbajt në Tiranë më 16.11.1978. Me regji nga Ibrahim Muçaj dhe Kristaq Mitro e skenar Helena Kadare, kjo dramë bardhë e zi tregon historinë e një partizaneje, e cila qëllon një zyrtar kolaboracionist dhe më pas çan rrethimin e nazistëve që kanë mbyllur qytetin duke u përpjekur të gjejnë partizanen. Në 17 nëntor programi te “Kinojonë” vijon me “Radiostacioni”. Shfaqje filmi me rastin e 79- vjetorit të çlirimit të Tiranës. Me regji nga regjisori Rikard Ljarja, kjo dramë bardhë e zi tregon historinë e një skuadre partizane që mbledh ekspertë dhe intelektualë teksa marrin radiostacionin kryesor të Shqipërisë. Filmi zhvillohet në ditët e fundit të pushtimit të vendit nga Gjermania, në fund të Luftës së Dytë Botërore. Skenari është shkruar nga Ismail Kadare. Filmi “Liri a vdekje” në 20 nëntor. Me regji të kineastëve Ibrahim Muçaj dhe Kristaq Mitro e skenar Vath Koreshi, tregon historinë e një grupi të komitësh patriotë shqiptarë, të cilët kthehen në fshat për të vizituar të afërmit e tyre përpara se të nisen për të vrarë një major në perandorinë pushtuese osmane turke. “Tomka dhe shokët e tij” në 22 nëntor. Me regji të regjisores Xhanfise Keko e skenar Nasho Jorgaqi, filmi tregon historinë e një grupi djemsh që vendosin të ndërmarrin veprime pasi një kamp nazist pushton fushën e tyre të futbollit. Filmi zhvillohet gjatë pushtimit gjerman në Luftën e Dytë Botërore, në Shqipëri. “Gjurmë në Kaltërsi” në program është më 27 nëntor. Shfaqje në përkujtim të ditëlindjes së aktorit Xhevdet Feri (26.11.1960 -16.01.2020). Me regji të Samir Kumbaros e skenar Llazar Çuçi, ky film artistik me ngjyra tregon historinë e një piloti të ri që kapërcen problemet emocionale gjatë stërvitje. Në vijim të programit janë dhe të tjerë filma, ku më 28 nëntor është “Nëntori i dytë” me regji nga Viktor Gjika, ky muaj filmin e fundit në program ka “Përrallë nga e kaluara” me regji nga Dhimitër Anagnosti në 30 nëntor. Shfaqje e versionit të restauruar për të uruar ditëlindjen e aktores Elvira Diamanti. Filmi është bazuar në një poemë të shkrimtarit shqiptar të shekullit të 19-të Andon Zako Çajupi.