Nga Julia Vrapi
Prodhime kinematografike shqiptare që mbajnë emrin e regjisorëve të njohur janë pjesë e rëndësishme në “Open Cinema”, që këtë vit ka nisur edicionin e tetë. Edicioni i tetë i këtij aktiviteti me filmat, muzikën, të ftuar artistë të kinemasë shqiptare e më gjerë vijon këtë vit në 12 qytete të vendit tonë. Pas bregdetit të Golemit ku dhe u bë hapja e aktivitetit, do të jetë qyteti i Kukësit vendi i radhës ku filmat do të shfaqen për publikun. Këtë aktivitet në Kukës do ta hapë filmi i restauruar shqiptar “Lulëkuqet mbi mure”, me regji nga Dhimitër Anagnosti. Producenti dhe kineasti Skënder Jaçe flet për rëndësinë e këtyre prodhimeve kinematografike në vendin tonë para viteve 1990 dhe për rëndësinë që ka restaurimi i tyre. Ai thotë se këto filma që janë restauruar vijnë me një cilësi më të mirë te publiku. “Publiku tek këto filma veç nostalgjisë, shikon dhe një ndryshim në figurë dhe tek zëri. Shikojnë një teknikë ndryshe”, thotë kineasti Jaçe. “Open Cinema 2024” kinemaja shëtitëse në Shqipëri organizohet nga shtëpia kinematografike “Production Cinemania”, e cila për këtë aktivitet që do të vijojë dhe në qytete të tjera të vendit mbështetet dhe nga bashkitë përkatëse ku zhvillohet. Kineasti Jaçe thotë se në këtë aktivitet ku veç filmit është dhe muzika, këngët interpretohen nga artistë të njohur të skenës sonë. “Në Golem ky aktivitet u prit shumë mirë. Ajo që binte në sy ishin dhe turistët e huaj, polakë, çekë e gjermanë. Filmi shqiptar dhe muzikaliteti i këngës shqiptare u prit me duartrokitje dhe kënaqësi të veçantë”, thotë kineasti Jaçe.
Filmat në “Open Cinema”
Në aktivitetin “Open Cinema” që në datën 17 korrik pritet të nisë dhe në qytetin e Kukësit, veç filmit të restauruar “Lulëkuqet mbi mure” do të shfaqen dhe të tjerë filma të restauruar të kinemasë shqiptare. Mes tyre përmendim dhe filmin “Mësonjëtorja” i prodhuar në Shqipëri në vitin 1979. Regjia Muharrem Fejzo, skenari Natasha Lako, muzika Limos Dizdari, ku filmi u shfaq premierë i restauruar vjet në shtator. Filmi “Lulëkuqet mbi mure” me regji nga Dhimitër Anagnosti u shfaq i restauruar 47 vite pas realizmit të tij vjet në dhjetor. Kjo premierë nga Arkivi Qëndror Shtetëror i Filmit bashkoi në kinema artistët, që realizuan filmin 47 vjet më parë. Filmi “Lulëkuqet mbi mure” është një prodhim i vitit 1976 me regjisor Anagnostin, skenari i të cilit u bazua në romanin “Bonjakët” të shkrimtarit Petraq Qafëzezi. Ngjarja në filmin “Lulëkuqet mbi mure” zhvillohet në një nga jetimoret e Tiranës në vitet e pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste gjatë Luftës së Dytë Botërore. Muzika e filmit është nga Kujtim Laro. Në aktivitetin “Open Cinema” janë dhe të tjerë filma të huaj dhe shqiptarë. Në prodhimet e kinemasë shqiptare përmendim dhe filmin “Mbjellja e pemëve” apo dhe ai me titull “Krimineli”. “Open Cinema” do të jetë dhe në Durrës, në Kuçovë, në Maliq për herë të parë, Ersekë, Leskovik, Pukë, etj.
Moderatorja e njohur bën deklaratën e papritur: Më është rritur barku këto kohë…
E ftuar në një emision televiziv mbrëmjen e sotme ka qenë moderatorja e njohur Argjira Spanca. Gjatë bisedës së saj...
Lexo më shumë