“Kinemaja në Rajone” solli filmin dokumentar “Dritë”. Në vijim të aktivitetit që po shfaq filma në qytete të ndryshme të vendit tonë, u shfaq edhe filmi dokumentar “Dritë”, kushtuar mjeshtrit botëror të fotografisë me origjinë shqiptare Gjon Mili. Më shumë i njohur përtej kufijve të Shqipërisë, Yllka Gjollesha dhe Suela Bako, sollën të parin film dokumentar për Gjon Milin. “Dritë” është rrugëtimi i dy regjisoreve në gjurmët e fotografit në vendin e lindjes, Korçë, në Rumani ku jetoi deri në adoleshencë e më pas në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, atje ku ai zhvilloi artin e fotografisë e që njihet si pionieri i stroboskopizmit. Dokumentari “Dritë” në kuadër të projektit “Kinemaja në Rajone” u shfaq si një bashkëpunim mes Qendrës për Hapje dhe Dialog -COD dhe qendrës “Cinespia 67”. Filmi dokumentar “Dritë”, kushtuar fotografit me origjinë shqiptare Gjon Mili erdhi për publikun në amfiteatrin e Bibliotekës së qytetit të Korçës, ku sipas COD pati një interes të veçantë për figurën e këtij kolosi, kryesisht nga të rinjtë. Filmi dokumentar “Dritë” dedikuar mjeshtrit Gjon Mili, solli një përmbledhje të delikatesës së punës së tij, përshkruar me detaje të çdo fotografie. “Edhe pse nuk erdhi asnjëherë në Shqipëri dhe se qeveria e kohës ia refuzoi kërkesat për vizë, gjithnjë ai e ka nderuar emrin e Shqipërisë kudo në botë, duke lënë gjurmë në art dhe histori. Çdo fotografi e mjeshtrit edhe sot e kësaj dite është një dokumentar më vete, dhe nuk mjafton asnjë minutazh i përcaktuar për të eksploruar botën e tij”, thuhet nga COD për dokumentarin që u shfaq në Korçë.
Puna më shumë se dy vjet për dokumentarin
Premierën ndërkombëtare filmi dokumentar “Dritë” e pati në vitin 2017 në Festivalin e Filmit të Pavarur në New York, në Shtetet e Bashkuara aty ku zhvilloi gjithë karrierën, punoi për revistën e njohur “Life”, hapi ekspozita, njëra prej tyre e vlerësuar nga filozofi Jean Paul Sartre, fotografoi personalitete të kohës si Alfred Hitchcock, Frenk Sinatra, Sophia Loren e të famshmen “Picasso duke vizatuar me dritë”. Regjisoret Gjollesha dhe Bako më herët janë shprehur se ekipi realizues ka punuar më shumë se dy vjet. Regjisorja Yllka Gjollesha më herët ka pohuar se janë takuar me njerëz të famshëm dhe bashkëkohës të tij, të cilët kishin ndarë eksperiencat e tyre me fotografin shqiptar. Gjon Mili është marrë edhe me kinematografi, duke xhiruar me skenar të vet gjashtë filma dokumentarë. Gjon Mili në vitin 1937 mori titullin profesor. Ndërkohë Mili, bashkë me studimet dhe eksperimentet në fushë të teknikes, vazhdoi të fotografonte, duke u dalluar përherë e më shumë edhe në lëmin artistik. Veprimtaria artistike e fotografit Mili përfshin me sukses shumë zhanre të fotografisë si peizazhin, reklamën, foton dokumentare, politike, atë të arteve (teatër, kinema, koncerte, vallëzime, etj), sportive, eksperimentale, etj. Fotografitë e tij me ekspozim ultra të shkurtër, përbëjnë një nga dukuritë më interesante të lidhjes së shkencës me artin. Gjon Mili lindi më 28 nëntor 1904 në Korçë; vdiq më 14 shkurt 1984 në Stamford, Connecticut, SHBA.