Nga Julia Vrapi
Filmi i restauruar “Gjeneral Gramafoni” realizuar nga regjisori Viktor Gjika do të shfaqet në Festivalin e Muzikës së Ballkanit Jugor. I titulluar “Why the Mountains are Black”, ky festival zhvillohet në Konicë, Greqi. Filmi “Gjeneral Gramafoni” që është prodhim i vitit 1978 në vendin tonë, skenari është shkruar nga Vath Koreshi dhe muzika Aleksandër Peçi. Pjesëmarrja e filmit në këtë festival bëhet me dije nga Arkivi Qëndror Shtetëror i Filmit, sipas të cilit festivali do të zhvillohet nga data 28 deri më 30 qershor. “Ky festival, i kuruar nga Christopher King, etnomuzikolog, shkrimtar, producent dhe mbështetës i muzikës folklorike, do të paraqesë, mes të tjerash, edhe performancën polifonike të Grupit Lab, krahas shfaqjes së filmit shqiptar “Gjeneral Gramafoni” që do të prezantohet nga Ester Gjika e Christopher King”, thuhet nga Arkivi Qëndror Shtetëror i Filmit. Po sipas AQSHF-së, aktivitetet artistike do të mbahen në Shtëpinë e Hamkos, që është shtëpia e muze, monument kulture, e nënës së Ali Pashë Tepelenës. Një vend me natyrë e histori magjepsëse në Konicë që evokon të kaluarën dhe ndërthuret bukur me eventet artistike tradicionale që do ndodhin aty. “Njoftojmë të gjithë shqiptarët e Konicës, Janinës dhe veriut të Greqisë të ndjekin këtë Festival tipologjik e sidomos aktivitetet e datës 28 qershor”, thuhet nga arkivi.
Ngjarjet në film
Filmi i restauruar “Gjeneral Gramafoni” është shfaqur dhe në të tjera aktivitete në vendin tonë. “Gjeneral Gramafoni” është gjithashtu edhe realizimi i dytë kinematografik i restauruar, që u ekranizua në Kinemanë e Hapur pranë DPA-së, si pjesë e repertorit të filmave të përzgjedhur për t’u shfaqur në kuadrin e Vitit Mbarëkombëtar të 80-vjetorit të Çlirimit. Në mesin e viteve ’30 fillon penetrimi dhe parapërgatitja e pushtimit Italian të vitit 1939. Halit Berati, një klarinetist virtuoz dhe Parandili ftohen nga një sipërmarrës italian të incizojnë në pllaka gramafoni, meloditë e tyre të cilat do të shiten së bashku me muzikën italiane të kohës së fashizmit. Gjatë kësaj kohe fillojnë grevat e punëtorëve të naftës ku Halil Berati është punëtor. Aktorë në role Bujar Lako, Guljelm Radoja, Sheri Mita, Reshat Arbana, Sander Prosi, Kadri Roshi, Tinka Kurti, Dhimitër Orgocka, etj.
Restaurimi i filmave
Më parë nga bashkëpunimi mes Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit dhe Fondazione Gramsci di Puglia në kuadër të projektit “Për një rrjet institucionesh kulturore midis Pulias dhe Shqipërisë”, u krye në qendrën DABIMUS srl në Bari, restaurimi digjital i filmit “Gjeneral Gramafoni”. Pas këtij procesi, Arkivi Qëndror Shtetëror i Filmit e shfaqi vitin e kaluar për publikun premierën e filmit të restauruar në Tiranë. Procesi i restaurimit të filmave të vjetër shqiptarë ka nisur para disa viteve, ku janë realizuar disa nga prodhimet më të mira shqiptare si “Përrallë nga e kaluara”, “Nëntori i dytë”, “Tana”, “Vdekja e kalit”, “Vitet e pritjes”, “Koncert në vitin 1936”, etj.