Filmi “Lulëkuqet mbi mure” i regjisorit Dhimitër Anagnosti është përzgjedhur të jetë në programin “Dallimet që na bashkojnë”. Filmi prodhim i vitit 1976 në vendin tonë është pjesë e këtij programi, që përmban dhe dy prodhime kinematografike të tjera të huaja. “Dallimet që na bashkojnë” është një program i organizuar nga Kinoteka e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Arkivi Qendror Shtetëror të Filmit, kuruar nga studiuesi Arsim Leskovica me shfaqje dhe diskutim mbi 3 filma: “Lulëkuqet mbi mure” (Anagnosti, 1976); “Uji i madh” (Ivo Trajkov, 2004); “400 goditje” (Francois Truffaut, 1959). Shfaqja e filmave do të jetë në datat 25, 26 dhe 27 këtë muaj në Kinotekën e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Shkup. Arkivi i Filmit shprehet se mes shumë arsyeve tjera, këta filma janë zgjedhur kryesisht edhe për “ngjashmëritë dhe paralelet” e tyre në tematikë, si dhe në realizimin dhe qasjen e tyre filmike. “Por, gjithashtu është e rëndësishme të theksohet se filmi “Lulëkuqet mbi mure” së fundmi është digjitalizuar dhe restauruar nga AQSHF në rezolucionin 4K, kurse filmi “Uji i madh” këtë vit feston njëzet vjetorin e premierës së tij. Dhe sigurisht, filmi “400 goditje” i Trufosë, sipas revistës franceze të filmit “Cahiers du cinema” është më shumë se një kryevepër dhe është një nga filmat më emblematikë të periudhës së pasluftës të prodhimit të filmit francez”, thuhet në materialin nga arkivi.
“Lulëkuqet mbi mure” në festivale filmi
Filmi “Lulëkuqet mbi mure” në vitin 1980 fitoi çmimin Gran Pri në Festivalin Ndërkombëtar të filmit në Beograd, ndërsa në vitin 1985 fitoi medaljen e artë në Festivalin e filmit “Xhifoni” në Salerno dhe në vitin 1977 Dhimitër Anagnosti fitoi Çmimin e Madh të Republikës së Shqipërisë, për regjinë e filmit. Skenari: Petraq Qafzezi, Dhimitër Anagnosti. Në role aktorët Timo Flloko, Agim Qirjaqi, Kadri Roshi, Alfred Kote, Liza Laska, Anastas Kristofori, Luan Qerimi, Pavlina Mani, etj. Ngjarja në filmin “Lulëkuqet mbi mure” zhvillohet në një nga jetimoret e Tiranës në vitet e pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste gjatë Luftës së Dytë Botërore. Muzika e filmit është nga Kujtim Laro. Filmi “Lulëkuqet mbi mure” me regji nga regjisori i njohur Dhimitër Anagnosti në dhjetor të vitit 2023 u shfaq i restauruar në Tiranë. “Lulëkuqet mbi mure” erdhi për publikun në format 4K, restauruar në studion Dabimus srl, një projekt i Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit, me mbështetjen financiare të “Sezoni i Filmave Klasikë” nga ACE – Association des Cinémathèques Européennes Creative Europe. Dhimitër Anagnosti (Vuno, 23 janar 1936) është një nga regjisorët shqiptarë më të rëndësishëm të shekullit XX. Në karrierën e tij ka realizuar filma artistikë, filma dokumentarë dhe është autor skenarësh.