Drama “Vojcek” çeli festivalin e Teatrit Shqiptar “Moisiu”, që ka nisur mbrëmjen e 20 nëntorit. Me autor Georg Büchner, regjisor i dramës është japonezi Kuniaki Ida, por në kuadër të festivalit, një takim mbi këtë vepër teatrore u zhvillua te Teatri Kombëtar te “ArTurbina”. Ky takim bëri bashkë studiues, autorë, artistë të cilët diskutuan rreth kësaj vepre teatrore, që ishte premierë në muajin shtator në skenën e TK. Në këtë takim diskutuan Primo Shllaku, Josif Papagjoni, Ben Andoni, Ardian Gurguri, Xhuljano Brisku, etj. Ndër të tjera, u nënvizuan filozofia e regjisorit, përdorimi i çdo elementi, skenografi, kostumografi, muzikë; trajtimi i personazheve nga aktorët; trajtimi i temës dhe mënyra se si shfaqja komunikon me publikun. “Vojcek”, e cila e pati premierën në muajin shtator, është një vepër e shkruar në fillim të shek. XIX. Pacienti Vojcek, funksionet normale të të cilit janë shkatërruar, vazhdon të luftojë kundër sëmundjes së tij (çmendurisë) për të rifituar identitetin e tij njerëzor. Shoqëria ku jetojmë sot është plot kaos, ankth, frikë dhe imazhe dhune. Pjesa është përkthyer nga Ardian Klosi, kompozitor Endri Sina, ndërsa në role interpretojnë: Rafael Hoxhaj, Luli Bitri, Lulzim Zeqja, Hervin Çuli, Besmir Bitraku, Donald Shehu, Genti Deçka, Erjona Kakeli, Arben Derhemi, Dori Çaushi, Elia Zaharia, Neritan Liçaj, Igli Zarka. Në vijim në skenën e festivalit që po zhvillohet në Tiranë janë shfaqur dhe vepra të tjera teatrore, ku nuk kanë munguar dhe ato nga teatrot në Kosova. Festivali i Teatrit Shqiptar “Moisiu” mbahet në datat 20-27 nëntor në Tiranë. Shfaqjet e festivalit kanë hyrje të lirë për spektatorët. Festivali është mbajtur në Shkup vitin e kaluar, këtë vit në Tiranë dhe vitin e ardhshëm do të jetë në Prishtinë.