Nga Julia Vrapi
Pjesë të dramaturgjisë shqiptare si dhe asaj të huaj do të vijnë në skenën teatrore përmes projekteve fituese të “Fondit të Teatrit për të Rinj”. Fondi për vitin 2024 do të shpërndahet për 11 projekte fituese, që u bënë me dije nga Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” një ditë më parë. Teatri shprehet se “Fondi i Teatrit për të Rinj” nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit është në përputhje me misionin dhe politikat mbi nxitjen, promovimin dhe krijimin e hapësirave mbështetëse për skenën e pavarur artistike, e veçanërisht në fushën e teatrit. “Përmes një fondi prej 12 milionë lekësh, ne synojmë të nxisim dhe të zgjerojmë hartën kulturore, duke e shtrirë gjeografikisht këtë fond; duke krijuar lëvizjen teatrore në bazë të rajoneve nga jugu në veri, në një formë bashkëprodhimi me teatrot e rretheve; duke ofruar mundësinë që teatri si zë i së vërtetës po shkon në të gjithë hartën tonë; duke aktivizuar krijuesit dhe interpretuesit e rinj dhe adresuar ata të punojnë dhe sigurojnë mbarëvajtjen jo vetëm në infrastrukturën e në teatrit në Tiranë, por edhe në rrethe”, thuhet nga teatri. Projektet përfituese nga ky fond do të realizohen nën kujdesin e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, ndërsa teatrot e rretheve do të mbështesin projektet e këtij fondi, përmes logjistikës teatrore.
27 propozime te fondi për teatrin për të rinj.
Në këtë fond ka pasur një numër të lartë propozimesh, ku kanë qenë plot 27 të tilla, prej të cilave janë zgjedhur nga bordi artistik i TKEKS 11 projekte fituese, ku 1 është regjisore vajzë dhe 10 regjisorë djem. “Një pikë tjetër e rëndësishme në këtë thirrje ka qenë edhe promovimi dhe vënia në skenë e dramaturgjisë shqiptare përveç asaj të huaj, për të mos ngritur dorën tek regjisorët, pse nuk zgjedhin dramaturgjinë tonë”, shprehet teatri. Prej 11 projekteve që do të vihen në skenë, artistët e rinj kanë propozuar 3 pjesë të dramaturgjisë shqiptare dhe 5 të dramaturgjisë së huaj dhe 1 dance kontemporan. Shpërndarja gjeografike e projekteve është: Tiranë- 3 projekte; Korçë- 2 projekte; Vlorë -1 projekt; Shkodër- 2 projekte; Gjirokastër- 1 projekt; Berat- 1 projekt; Bulqizë – 1 projekt. Ashtu si dhe vitet e tjera, në përfundim të punës për të gjitha veprat, do të organizohet një javë e dedikuar festivalit të teatrit për të rinj që sërish do të jetë nën titullin “HAPAT”, në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” dhe në sallën Black Box të Universitetit të Arteve, duke e finalizuar me ndarjen e çmimeve për të gjitha kategoritë pjesëmarrëse, nga një juri profesioniste. Fituesit e “Fondit të teatrit për të rinj” janë: Anxhelo Dauti – vepra “Striptizë në det të hapur”, autori Jon Fosse, në Korçë; Refael Hoxhaj – vepra “Hanë gjaku”, autori Ernest Koliqi, në Shkodër; Xhuliano Briskaj- vepra “Dikush do kujdeset për mua”, autori Franc MC.Guinnes; Renis Hyka- vepra “Samara”, autori Renis Hyka, në Tiranë; Mariel Brahimllari- vepra “Terezitje”, danc kontemporan, në Korçë; Gert Palali – vepra “Një kg shegë”, autor Sued Arilla, në Shkodër; Artemis Beluli- vepra “Importum”, autor Tad Mosel, në Gjirokastër; Xhino Musollari- vepra “Marmelladov”, autor Fyodor Dostojevski , në Tiranë; Lindar Kaja -vepra “Le horla”, autor Guy de Maupaassant , në Bulqizë; Ermir Hoxhaj-vepra “Një natë në Nëntor”, autor Marie Jones, në Vlorë si dhe Marsel Greva- vepra “Në lindje të Berlinit”, autor Hannah Moscovitch, në Berat.
Projekte me Romeon? Hedi zbulon planet pas daljes nga BBV
Heidi Baci ishte e ftuara speciale mbrëmjen e djeshme të “Top Arena”. Ajo zbuloi se pas daljes nga Big Brother...
Lexo më shumë