Organizimi për të parën herë në Tiranë i “Festivalit të Formacioneve Muzikore Ushtarake-FFMU, të vendeve të NATO-s të rajonit të Mesdheut”, Edicioni i I-rë”, nga data 3-6 qershor 2013 është një ngjarje kulturore shumë e veçantë, për vetë Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë e po ashtu dhe për jetën kulturore të kryeqytetit tonë. Në këtë edicion të parë marrin pjesë formacionet muzikore të: “Orkestrës Frymore Kombëtare të Forcave të Armatosura”, OKFKA-Shqipëri; “Orkestra Frymore e Aviacionit Ushtarak”-Greqi; “Orkestrës Frymore”-Turqi dhe përshëndet festivalin “Orkestra Frymore e Forcave të Sigurisë së Kosovës”, OFFSK-Kosovë. Simbolika e këtij festivali bëhet akoma më e qartë kur publiku i gjerë të njihet me muzikën më të spikatur të traditave muzikore të vendeve tona, kjo e gërshetuar me krijimet muzikore të kompozitorëve shqiptarë, grekë, turq, italianë, amerikanë, etj, të sjella mjeshtërisht në skenë nga artistët e talentuar ushtarakë. Ky festival, përmes vendosjes së urave kulturore të komunikimit, me thelbin e tij ndikon akoma më shumë në rritjen e sigurisë dhe stabilitetit në rajonin tonë.