Ekspozita “Fundi i fjalëve të trishta” prezantohet në tre salla ekspozuese, ku bazohet në mediume si fotografi, video projeksion apo instalacione. Pjesa më e madhe e këtyre punimeve në ekspozitën në Galerinë e Artit Tiranë janë frymëzuar nga Tirana, pasi që nga pjesëmarrja e çifti të artistëve Monika Deimling (Poloni) dhe BBB Johannes Deimling (Gjermani) për herë të parë në Shqipëri në Festivalin “Cloud” në Tiranë në vitin 2015, përveç kontributit të tyre vjetor në imazhin e posterit të festivalit, ata kanë prezantuar edhe disa shfaqje dhe punëtori, duke bërë kështu që pas shumë vitesh Tirana dhe Shqipëria të bëhej si një shtëpi e dytë për ta. “Fundi i fjalëve të trishta” jo domosdoshmërisht do të thotë fillimi i fjalëve të lumtura. Si do të flisnim nëse do të zhdukeshin të gjitha fjalët që na bëjnë të trishtuar? Si do të ndikonte kjo në mënyrën sesi jetojmë së bashku? A do të kishte ndonjë ndikim në përpjekjet dhe emocionet tona? Në njoftimin mbi ekspozitën thuhet se Monika Deimling dhe BBB Johannes Deimling përpiqen të gjejnë një gjuhë që shkon përtej kuptimit. “Një gjuhë që adreson emocionet tona dhe dëshirat për të ardhmen në një mënyrë të çrregullt, ndonjëherë të shpërbërë, por gjithmonë poetike. Në qendër të kësaj është pyetja e përkatësisë, ku aspektet e shtëpisë, fëmijërisë dhe lidhjet shoqërore luajnë një rol të rëndësishëm në krijimin e veprave të tyre. Fshehja e së dukshmes dhe arritja për të gjetur thesare të fshehura është e rëndësishme për të zbërthyer veprat poetike të të dy artistëve. Çifti artist ka qenë në Tiranë për tetë vjet dhe gjen frymëzim të madh në kulturën shqiptare, traditat e saj dhe stilin e saj bashkëkohor. “Shqipëria” është larg nga një fjalë e trishtë për Deimlings”, thuhet mbi ekspozitën nga njoftimi i GAT. Përgjatë shekullit të njëzetë arti i performancës u pa si një mënyrë jotradicionale për të bërë art, në periudhën e pasluftës performanca u përshtat me artin konceptual dhe që atëherë është përdorur për të përshkruar gjithashtu vepra arti filmike, video, fotografi dhe instalacione. Kohët e fundit, performanca është kuptuar si një mënyrë për t’u përfshirë drejtpërdrejt me realitetin social, specifikat e hapësirës dhe politikën e identitetit. Duke patur në vëmendje pikërisht këtë koncept, çifti i artistëve nga Monika Deimling (Poloni) dhe BBB Johannes Deimling (Gjermani), si artistë pamor dhe edukatorë, synojnë të ndryshojnë mënyrën se si është prodhuar dhe konceptuar arti i performancës me kalimin e kohës.