Institucionet kulturore janë në prag të mbylljes së zonit artistik, dhe duket se pas disa javësh asgjë nuk do të ketë më në skenat teatrore. Por kur vetëm pak ditë na ndajnë nga mbyllja e sezonit, drejtues të institucioneve teatrore duket se janë ndarë në dy pjesë, të kënaqur dhe të pakënaqur me buxhetin që kanë marrë për sezonin artistik. Me disa premiera teatrore shumë pak vepra repertori kjo ka qenë ajo që ka mbizotëruar në skenat e teatrove të kryeqytetit. Të tre teatrot, Teatri Kombëtar, Teatri i Metropolit dhe Teatri Kombëtar i Komedisë tashmë janë drejt mbylljes së sezonit, por edhe pse pak flitet për probleme ato nuk mungojnë. Mes institucioneve, duket se Teatri Kombëtar i Komedisë ka qenë më në vështirësi financiare për të zhvilluar jetën artistike. Në këtë institucion, sezoni artistik shtator 2012-maj 2013 ka qenë vetëm me dy premiera, por me një publik i cili ka mbushur sallën. Buxheti që i ka akorduar MTKRS ka qenë vetëm 5 milionë lekë të reja, por duke hequr dhe borxhet sezoni artistik mbetet me 3.3 milionë lekë të reja, nga kjo TKK mezi arriti të vinte në skenë një premierë. Ndërkaq që Teatri Kombëtar edhe pse ka pasur një buxhet për projektet artistike prej 10 milionë lekësh të reja për vitin 2013 i njëjtë me atë të vitit që shkoi, ka mundur të sjellë disa premiera, një pjesë e tyre janë bashkëpunime, por edhe këtu nuk kanë munguar vështirësitë financiare. Ndërkaq që Teatri i Metropolit, si pjesë e Qendrës Kulturore “Tirana” që varet nga Bashkia e Tiranës duket se ka pasur një sezon më të pasur artistik. Kjo gjë shihet në premierat, apo dhe shfaqjet e tjera që janë vënë në skenë.
Teatri Kombëtar mbyll vitin artistik me 6 premiera
Këto ditë në skenën e Teatrit Kombëtar po shfaqet premiera “Ëndrra e një nate vere”, e cila është vënë në skenë nga regjisori amerikan John Blondell. Kjo vepër së bashku me të tjerat që janë vënë më herët në skenë e çon në numrin e 6 premierave në skenën e TK. Por drejtori i Kristaq Skrami shprehet se në skenën e TK është menduar për produksione të mëdha, duke treguar dhe një cilësi të lartë artistike. “E kam thënë dhe më herët që TK duhet të fokusohet në dramaturgjitë e mëdha botërore, tek regjisorët e huaj, sepse ata sjellin eksperiencën dhe kjo është shumë e rëndësishme. Por sigurisht që TK ka nevojë për më shumë buxhet, sepse dhe ju po e shikoni që po vë në skenë produksione të mëdha, vepra me shumë personazhe”, shprehet drejtori Kristaq Skrami. Në skenën e TK, veç “Ëndrra e një nate vere” gjatë këtij sezoni kanë qenë dhe “Përjetësisht dashuria”, “Ëndrra e Ismail Qemalit”, “Edipi Mbert”, “Skica për dramë, konflikt dhe personazhe” dhe “Ne vijmë për ajër”. Veprat një pjesë kanë qenë dhe bashkëpunime me Teatrin e Kosovës dhe janë shfaqur dhe në skenën kosovare.
Teatri i Komedisë, vetëm 2 premiera
Teatri Kombëtar i Komedisë e mbyll sezonin artistik me dy premiera, “Harroje dashurinë” dhe “Kasollja e vogël”. Të dyja këto vepra janë mirëpritur nga publiku, por drejtori Kastriot Çipi rikthekson dhe një herë vështirësitë financiare të teatrit. “Publiku i ka mirëpritur shfaqjet, por vështirësitë financiare tashmë dihen. Ne nuk jemi lejuar as të përdorim të ardhurat nga biletat. Kemi një bllokim financiar nga kjo” shprehet drejtori i TKK. Më tej sipas tij, nga 5 milionë lekë të reja, sezoni artistik për shkak të likuidimeve gjatë 2012 arrit me një buxhet prej 3.3 milionë lekësh të reja. “Nëse ky buxhet ne nuk do të na shkurtohet mund të kemi 3 premiera, duke përdorur dhe fondin pagave”, shprehet drejtori Çipi. Ndërkaq që shfaqja “Kasollja e vogël” dhe pak ditë do të jetë në skenë për të rinisur sërish në sezonin e ri artistik.
Teatri i Metropolit, 4 premiera për të rritur, 4 për fëmijë
Mes dy teatrove të tjerë, Teatri i Metropolit ka pasur më shumë premiera. Qendra Kulturore “Tirana” (Teatri i Metropolit) gjatë periudhës janar-qershor 2013, ka sjellë 8 premiera. Teatri për të rritur në këtë sezon artistik ka nisur me premierat, komedia “14 vjeç dhëndër” me regji nga Elma Doresi, komedia e zezë “Dorëzimi”, me regji nga Genti Bejko, tragjikomedia “Hajdutja e bukur” me regji nga Enver Petrovci, komedi dramatike “Tri mendje ne ankand” me regji nga Elma Doresi. Por në datën 3 qershor do të nisë puna përgatitore (audicione) për shfaqjen “Konkursi” me regji nga Kushtrim Bekteshi, ndërsa në vijim do të vijë dhe “Performancë interpretative – Mbrëmje poetike” nën drejtimin e Erenestina Halilit. Gjatë këtij sezoni sa i takon teatrit kanë qenë dhe bashkëpunime me Kosovën. Nga ky bashkëpunim për publikun erdhi në skenë “Gjaku i Arbrit” me regji nga Besford Berberi, “Ameba” me regji të Orhan Kerkezit. Pjesë e këtij sezoni, teatri i fëmijëve solli premierat “Në qytetin e kafshëve” me regji nga Genti Deçka, “Kopshti i çudirave” me regji e koreografi dhe libret nga Llaqi Nako, “Thesari” me regji nga Genti Deçka, “E shtuna e Çufos” dramatizim nga Llukan Xhagjika. Nga Julia Vrapi