Vepra të dramaturgjisë shqiptare, por dhe asaj të huaj janë realizuar në skenën teatrore gjatë këtij viti përmes “Fondit të teatrit për të rinj”. Gjergj Prevazi drejtor i Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” thotë se inkurajimi i regjisorëve të rinj duhet të jetët detyrë e çdo institucioni teatror. Në intervistën për gazetën “SOT” drejtori Gjergj Prevazi flet për prodhimet teatrore që janë realizuar përmes këtij fondi, që finalizohet me festivalin “Hapat”. Drejtori Prevazi thotë se për këtë fond më parë ka qenë një thirrje e hapur për aplikim, ku kanë aplikuar një pjesë e madhe regjisorësh dhe koreografësh të rinj dhe në fund kanë dalë dhjetë fitues.
Prevazi thotë se në total nga ky fond teatror janë realizuar 10 premiera, ku 50 shfaqje për publikun janë dhënë jo vetëm në skenën e Tiranës, por dhe në rrethe. “Hapat” një festival me natyrë kompetitive, por Prevazi thotë se konkurrenca rrit përgjegjshmërinë për të selektuar vlera, ku dhe pse konkursi nuk është gjithçka, ai është një mjet që evidenton disa vlera, punë, kërkime që janë më interesante. “Fondi i teatrit për të rinj” është nismë e Ministrisë së Kulturës dhe TKEKS dhe këtë vit është 10 milionë lekë të reja për projektet që janë realizuar. Më herët në thirrjen për aplikime në Teatrin Eksperimental thuhej se përmes “Fondit të teatrit për të rinj” synohet dhe gjallërimi e lëvizja teatrore në rang vendi.
-Festivali teatror “Hapat”, ngjarja më e rëndësishme e skenës teatrore për të rinjtë po afron. Shfaqjet pjesëmarrëse në këtë festival garues janë realizuar përmes “Fondit të teatrit për të rinj 2023”. Sa ka rëndësi për ju si drejtues i Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, në skenën e të cilit do të zhvillohet ky festival?
Zhvillimi i festivali teatror “Hapat” ka një rëndësi të veçantë. “Fondi për teatrin për të rinj” është një fond i dedikuar për regjisorët dhe koreografët e rinj. Ka qenë një thirrje e hapur për aplikim, ku kanë aplikuar një pjesë shumë e madhe regjisorësh dhe koreografësh të rinj dhe kanë dalë dhjetë fitues. Gjatë një harku kohor prej 5-9 muajsh secili nga ata ka kryer pesë shfaqje dhe në total janë realizuar deri tani dhjetë premiera teatrore dhe 50 shfaqje për publikun, që janë dhënë jo vetëm në skenën e Tiranës, por dhe në skena të teatrove të tjera në rrethe. Nga këto shfaqje teatrore organizohet si një konkluzion i gjithë kësaj pune festivali teatror i quajtur “Hapat”, i cili ka nisur me këtë emërtim vitin e kaluar, por në fakt është një festival që ka ekzistuar dikur po më pas është ndërprerë. Që nga viti i kaluar dhe sivjet është në vazhdimësi dhe mendoj e shpresoj që do të kthehet në një festival traditë për regjisorët e rinj.
-Festivali teatror “Hapat” do të zhvillohet në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental te “ArTurbina” dhe sallën “Black Box” në UA nga data 5 – 10 dhjetor, ku në fund do të ndahen dhe çmime. Një festival garues për të rinjtë në fushën e teatrit, por ky ballafaqim për prurjet në skenë mes tyre sa shërben për ata?
Konkurrenca rrit përgjegjshmërinë për të selektuar vlera, tek e fundit konkursi nuk është gjithçka, por është një mjet që evidenton disa vlera, punë, disa kërkime që janë më interesante, që të çojnë më së miri qasjet për të cilat ne i kemi bërë të qarta që në krye të herës. Që ka të bëjë kryesisht me teatrin bashkëkohor, pra kërkimin teatror, eksperimentin teatror dhe konkurrimi në këtë rast evidentohet më mirë në ato vlera të cilat ne kërkojmë ti selektojmë, kërkojmë ti ndajmë nga shumë punë për të ardhur tek punët teatrore më të spikatura dhe më të realizuara.
– Festivali “Hapat” është faza finale e “Fondi të teatrit për të rinj 2023”, por shfaqjet janë vënë më parë dhe në skena në teatrot në rrethe. Sipas jush, a duhet bërë më shumë për këtë bashkëpunim me shfaqjet në teatrot në rrethe?
Kjo është diçka që duhet të vijë në përmirësim. Diku ka funksionuar më mirë, diku nuk ka funksionuar dhe aq mirë, por besoj dhe shpresoj që duke u kthyer në një eksperiencë në kohë sigurisht edhe ne si teatër edhe regjisorët e rinj, por dhe ato teatro pritëse do të bëhen më të përgjegjshëm dhe do jenë më të interesuar për ti mirëpritur dhe stimuluar regjisorët e rinj. Ti inkurajosh regjisorët e rinj është dhe duhet të jetë detyrë e çdo teatri dhe institucioni publik apo lokal.
-Këtë vit mes aplikimeve bordi artistik i Teatrit Kombëtar Eksperimental zgjodhi 10 projekte fituese. Mes tyre, artistët e rinj kanë propozuar pesë pjesë të dramaturgjisë shqiptare dhe pesë të dramaturgjisë së huaj. I gjithë ky proces do të kulmojë me festivalin “Hapat”, ku do të ndahen edhe çmimet e më të mirëve. Çfarë mund të na thoni mbi jurinë e këtij festivali këtë vit?
Juria e festivalit teatror “Hapat” përbëhet prej 7 vetash. Një juri profesioniste, që do të ketë në përbërje të saj artistë të njohur, etj.
-Jemi në muajin e fundit të vitit 2023, por gjatë këtij viti në teatrin që ju drejtoni ka pasur një aktivitet të pasur artistik me shfaqje të ndryshme, ku nuk kanë munguar dhe bashkëprodhimet. Në teatrin që ju drejtoni priten gjatë këtyre ditëve dhe të tjera premiera. A janë këto vepra produksione të Teatrit Kombëtar Eksperimental apo bashkëprodhime teatrore?
Ne aktivitetin e teatrit ne kemi dhe tre premiera të tjera teatrore për të dalë në skenë për publikun deri në fund të këtij viti. Janë shfaqje teatrore, ku dy janë prodhime teatrore ekskluzivisht të Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” dhe një shfaqje është kooproduksion.
Çmimet që do të ndahen në festival
Dhjetë produksionet e festivalit teatror “Hapat” do të shfaqen nga data 5 deri më 10 dhjetor në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” dhe në sallën “Black box” të Universitetit të Arteve në Tiranë. Festivali ka natyrë kompetitive. Në programin e festivalit më 5 dhjetor janë shfaqja “Të parët dhe të fundit” dhe “Yjësit” ; 6 dhjetor shfaqja “Zot” dhe “Mi gjeni këngët e rinisë”; 7 dhjetor shfaqja “Krim në hotel” dhe “E kuqe e errët”; 8 dhjetor shfaqja “Xhoni dhe Xhoi” dhe “Qorri”; 9 dhjetor shfaqja “Ikja” dhe “Audienca e Vaclav Havel”, ndërsa më 10 dhjetor zhvillohet mbrëmja gala e ndarjes së çmimeve, ora 20:00 te “ArTurbina”. Vlerësimet e shfaqjeve do të bëhen nga juria e përbërë nga Besfort Idrizi, Robert Nuha, Endri Sina, Alert Çeloaliaj, Sofi Kara, Beqo Nanaj dhe Iris Canaj. Çmimet që do të ndahen në festival janë: Shfaqja më e mirë; Regjia më e mirë; Aktori më i mirë; Aktorja më e mirë; Koreografia më e mirë; Skenografia më e mirë; Kostumografia më e mirë; Muzika më e mirë. Në njoftimin e TKE thuhej më parë se festivali është faza finale e “Fondi të teatrit për të rinj”, që është një nga ato iniciativa të Ministrisë së Kulturës, në përputhje me misionin dhe politikat mbi nxitjen, promovimin dhe krijimin e hapësirave mbështetëse për skenën e pavarur artistike, e veçanërisht në fushën e teatrit, duke aktivizuar krijuesit dhe interpretuesit e rinj dhe adresuar ata të punojnë dhe sigurojnë mbarëvajtjen jo vetëm në infrastrukturën e teatrit në Tiranë, por edhe në Korçë, Shkodër, Vlorë, Elbasan dhe Gjirokastër.