Veprat teatrore shqiptare dominojnë në Festivalin e Teatrit Shqiptar “Moisiu”, që këtë të premte shënon ditën e pestë të tij. Gjatë këtyre mbrëmjeve në Tiranë nuk kanë munguar dhe pjesë teatrore të huaja, si dhe diskutimet mbi prurjet e këtij festivali që këtë vit shënon edicionin e dytë. Koreografi Gjergj Prevazi drejtor i Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” thotë se është e rëndësishme, që festivali me shfaqjet e tij përfshin gjithë hapësirën teatrore shqiptare. “Qëllimi i festivalit “Moisiu” është që ta shikojë teatrin shqiptar si një hapësirë e vetme teatrore, pa kufijtë administrativë”, thotë drejtori Prevazi. Ndërsa në mbrëmje në skena jepen shfaqjet teatrore në Teatrin Kombëtar Eksperimental dhe në Teatrin Kombëtar te “ArTubina”, gjatë paraditeve aktorë, regjisorë, studiues, etj, janë në diskutime mbi veprat teatrore. Prevazi thotë se këto takime janë me rëndësi, pasi bëhet dhe një lloj skaneri i shfaqjes teatrore. “Çdo ditë në orën 11:00 zhvillohen diskutime, debate, rrahje mendimesh, opinionesh dhe një lloj skaneri i shfaqjes teatrore nga pikëpamja estetike, nga pikëpamja e produksionit, e aktrimit, regjisë, etj. Çdo diskutim është në të mirë të mirëkuptimit, të ballafaqimit të ideve, të shijeve, sepse pa komunikim gjithçka është e vdekur. Komunikimi është jetik për teatrin dhe siç e dini dhe ju unë jam për komunikim jo vetëm brenda kufijve të Shqipërisë dhe hapësirës teatrore shqiptare, por dhe përtej saj”, thotë Prevazi.
Prurje me interes në festival
Deri tani në festival janë shfaqur disa vepra, por sipas Prevazit këtë edicion ka pasur prurje teatrore me mjaft interes, ku ai veçon shfaqjen e teatrit “Migjeni” të Shkodrës me titull “Vizita” e sjell në skenë nga regjisori italian Davide Iodice, si dhe “Fausti” me autor dhe regji nga Fadil Hysaj, një shfaqje kjo nga Teatri i Qytetit Gjilan, Teatri Kombëtar i Kosovës dhe Teatri “Bekim Fehmiu” Prizren. “Festivali i Teatrit Shqiptar “Moisiu” është një shembull i shkëlqyer se si një regjisor i njohur ka vënë në skenë pjesë që ka mesazhe universale, por që paraqet një nivel jashtëzakonisht të mirë për teatrin shqiptar dhe në tërësi si produksion, si realizim, etj. Po dhe produksioni me regji nga Fadil Hysaj është shumë serioz, një regjisor shqiptar i Kosovës”, shprehet Prevazi. Festivali i Teatrit Shqiptar “Moisiu” mbahet në datat 20-27 nëntor në Tiranë. Ky ballafaqim veprash, ku dominojnë ato të gjuhës shqipe, edhe si mënyrë për ta promovuar sa më shumë, ka nisur vitin e kaluar me iniciativën e Teatrit Kombëtar të Shqipërisë, Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe Teatrit Shqiptar të Shkupit. Shfaqjet e festivalit kanë hyrje të lirë për spektatorët, për t’u dhënë mundësinë secilit të ndjekin nga afër punën e regjisorëve, aktorëve, skenografëve, kostumografëve, kompozitorëve. Festivali është mbajtur në Shkup vitin e kaluar, këtë vit në Tiranë dhe vitin e ardhshëm do mbahet në Prishtinë.