Pasuritë tona kulturore dhe natyrore si dhe planet e punës ishin në fokus të takimit që zhvilluan ministrat e Kulturës dhe Turizmit me përfaqësues të UNESCO-s në Paris. Si përfaqësues të qeverisë shqiptare, ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, së bashku me ministren e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, ishin në selinë qendrore të UNESCO-s në Paris, ku zhvilluan një takim me përfaqësuesit e nivelit më të lartë të drejtuesve të trashëgimisë botërore, si z. Ernesto Ottone nëndrejtor i përgjithshëm në UNESCO, z. Lazare Eloundou Assomo, drejtor i Qendrës së Trashëgimisë Botërore dhe znj. Berta de Sancritobal, drejtoreshë e Njësisë së Evropës dhe Amerikës së Veriut, Sektori i Kulturës së Trashëgimisë Botërore. Ministri Gonxhja u shpreh se në takim palët arritën që të bien në dakordësi për planifikimin e punës që duhet të ecë përpara mes UNESCO-s dhe qeverisë shqiptare, një bashkëpunim që i shërben mirë trashëgimisë kulturore në Shqipëri dhe trashëgimisë botërore. “Ishte një ditë shumë intensive në selinë qendrore të UNESCO-s në Paris, ku me shumë kënaqësi u takuam me nivelin më të lartë të drejtuesve të trashëgimisë botërore dhe ku jemi krenarë si Ministri e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit që jemi në sintoni të plotë, një bashkëpunim i shkëlqyer, një programim dhe planifikim shumë i mirë i të gjithë punës që na pret së bashku, në të mirë të trashëgimisë kulturore në Shqipëri dhe trashëgimisë botërore. Dakordësuam një plan pune dhe protokoll shumë të mirë teknik, por edhe politik për të qenë gjithmonë e më afër me njëri-tjetrin, në të gjitha sfidat që na presin për menaxhimin, mbrojtjen dhe ruajtjen e qëndrueshme të qendrave të trashëgimisë botërore dhe qendrave të trashëgimisë kulturore në Shqipëri”, u shpreh ministri Gonxhja. Ministrja e Mjedisit dhe Turizmit, Mirela Kumbaro tha se pala shqiptare ka shtuar një tjetër dosje në UNESCO, ajo e lumit Vjosa. Ky takim i parapriu sesionit nr. 46 të Komitetit të Trashëgimisë Botërore në New Delhi, Indi, që do të mbahet në datat 21-31 korrik 2024.