Grupi i punës i ngarkuar për vlerësimin e gjendjes dhe për ndryshimet e nevojshme në rregulloren e botimit të periodikëve shkencorë zhvilloi një takim me kryetarin e Akademisë së Shkencave akademik Skënder Gjinushin. Të pranishëm ishin anëtarët e grupit të punës: akad. Anila Hoda, akad. asoc. Adrian Civici, prof. asoc. dr. Gjon Boriçi e akad. Marenglen Verli. Akad. Gjinushi theksoi se, me gjithë stabilizimin e periodicitetit, duke tejkaluar prapambetjen e madhe të trashëguar, revistat shkencore të akademisë: “Studia albanica”, “AJNTS”, “Iliria”, “Studime historike”, “Studime filologjike”, “Antropologji”, “Studime për artin”, “Candavia”, “Albanian studies”, “Gjuha jonë”, “Çështje të folklorit”, kanë probleme, sidomos për indeksimin ndërkombëtar e të brendshëm. “Është bërë e nevojshme të rishihet rregullorja ekzistuese e periodikëve, ndoshta dhe ajo e veprimtarisë botuese, me qëllim që këto revista të kenë nivelin e nevojshëm për t’u listuar e njohur siç e kërkon dinjiteti i kërkuesve shkencorë në ASHSH. Disa ndryshime janë të karakterit teknik, disa të karakterit procedurial, disa kanë të bëjnë me përmbajtjen. Këto duhet të propozohen nga ju, duke pasur parasysh jo vetëm rregulloren e Ministrisë së Arsimit për kushtet e regjistrimit të revistave, periodikëve e anuarëve shkencorë, por më së pari kërkesat që kanë agjenci të tilla të klasifikimit ndërkombëtar si “Scopus”, “Tempus”, “Google Scholar”, “Research Gate”, etj”, tha ai. Po ashtu sipas tij, duhet të propozohet një kalendar, me detyra të përcaktuara qartë, çfarë do të ndryshojë këtë vit, çfarë do të ndryshojë vitin tjetër; si të përmirësohen këshillat botues (publishing boards) dhe redaksitë shkencore (editorial boards); si e ku të aplikohet për indeksim etj. Nga të pranishmit u paraqitën disa propozime, që lidhen me kërkesa e standarde ndërkombëtare, duke filluar prej respektimit me rreptësi të periodicitetit, botimit online; daljen në gjuhë të huaj ose me përmbledhje në gjuhë të huaj, zbatimi i një sistemi të njësuar referencash, plotësimi i kërkesave strukturore, etj. Në takim u kërkua që sa më parë të themelohet faqja e dedikuar e revistave të numerizuara të ASHSH; të bëhet abonimi në një nga programet e kontrollit digjital të plagjiaturës; të stabilizohet funksioni i sekretarit shkencor të revistave etj.