Në Kampionatin Evropian të vitit të ardhshëm do të jetë një mungesë e dukshme. Sulmuesi Erling Haland. Ndërkohë, Kristiano Ronaldo, Herri Kejn, Kilian Mbape dhe Romelu Lukaku do ta kenë mundësinë të zgjasin rekordet dhe trashëgiminë e tyre të golave në “Euro 2024”. Për dallim prej tyre, Haland ka të ngjarë të jetë në pushime pas dështimit të Norvegjisë për t’u kualifikuar në turneun që do të mbahet në qershor dhe korrik të vitit të ardhshëm në Gjermani. Po ashtu, ky turne mund të ndikojë gjithashtu në ambiciet e Halandit për ta fituar “Topin e Artë” vitin e ardhshëm dhe për t’u konfirmuar si futbollisti numër një në botë. Trofetë ndërkombëtarë janë një faktor kyç në përcaktimin se kush e fiton çmimin më të madh individual të këtij sporti. Hiqni triumfin e Lionel Mesit në Kupën e Botës me Argjentinën vitin e kaluar dhe “Topi i Artë” ka të ngjarë të ishte fituar nga fuqia e golave që qëndron pas tripletës të Mançester Sitit, ekip që triumfoi në Premier League, FA Cup dhe Ligën e Kampionëve. Mesi mori “Topin e Artë” për herën e tetë, duke vendosur një rekord të ri. Ndoshta, ai do të jetë në garë për herën e nëntë nëse mund ta udhëheqë Argjentinën drejt fitores në “Copa America” të vitit të ardhshëm dhe të fitojë më shumë trofe me fanellën e Inter Miamit. Ronaldo, gjithashtu, po tregon pak shenja të uljes së ambicieve të tij në skenën ndërkombëtare, pavarësisht se u transferua në Arabinë Saudite, tek Al-Nasr. Ai tashmë është golashënuesi më i mirë në futbollin ndërkombëtar me 128 gola të shënuar. Nëse ftohet nga Portugalia, ai do të paraqitet në Evropianin e tij të gjashtë, pasi ka luajtur 25 ndeshje dhe ka shënuar më së shumti gola në historinë e turneut – 14. Anglezi Herri Kejn mund t’i ketë dhënë fund pritjes së tij të gjatë për trofe në kohën kur Evropiani do të vijë pas kalimit të tij te Bajerni i Munihut. Golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave të Anglisë ka bërë një fillim spektakolar në Gjermani me 21 gola në 15 paraqitje për klubin e tij të ri. Bajerni ka të ngjarë të jetë një nga rivalët kryesorë të Sitit për Ligën e Kampionëve, falë golave të Kejn. Edhe Lukaku, karriera e të cilit në nivel klubi ka qenë në rënie gjatë dy vjetëve të fundit, ka më shumë shpresë se Haland për të fituar trofe me vendin e tij. Lukaku është i rëndësishëm për Belgjikën, pasi deri më tani ka shënuar 83 gola në 113 paraqitje, ndërsa ishte gjithashtu golashënuesi më i mirë në këtë cikël kualifikues me 14 gola të realizuar.
Spektakël në koncertin e Noizy-t, reperi surprizon në mënyrë të veçantë fansin e tij, video-ja bën xhiro në rrjet
Reperi mjaft i dashur për publikun, Noizy është gjithmonë në qendër të vëmendjes sa i përket këngëve dhe koncerteve të...
Lexo më shumë