BREAKING NEWS

Si ndodhi plagosja në Tiranë, policia jep detaje për ngjarjen

Si ndodhi plagosja në Tiranë, policia jep detaje për ngjarjen
x
BREAKING NEWS

'Kërcet' thika në Tiranë, dalin detajet e para

'Kërcet' thika në Tiranë, dalin detajet e para
x
BREAKING NEWS

Andi Bushati i kthehet Belind Këlliçit: Me frazën e fundit më tmerrove

Andi Bushati i kthehet Belind Këlliçit: Me frazën e fundit
x
BREAKING NEWS

Andi Bushati ka dy fjalë për Këlliçin dhe i tregon "skenarin" e fushatës: Më duket masë joshëse, sepse përballë një kandidati të pushtetshëm mediatikishit...

Andi Bushati ka dy fjalë për Këlliçin dhe i tregon
x
BREAKING NEWS

"E vrau me thikë, ai me pistoletë", flet dëshmitari i sherrit me dy viktima në Kavajë

"E vrau me thikë, ai me pistoletë", flet dëshmitari i
x
BREAKING NEWS

Të shtëna me dy të vdekur në Kavajë, policia nxjerr detaje për identitetin e tyre: Viktimat kishin ndryshuar emrat

Të shtëna me dy të vdekur në Kavajë, policia nxjerr
x
BREAKING NEWS

Ishin përplasur fizikisht ditë më parë, dalin detaje të reja nga të shtënat në Kavajë, ku humbën jetën dy persona

Ishin përplasur fizikisht ditë më parë, dalin detaje
x
BREAKING NEWS

Tronditet Shqipëria/ Dy të vdekur në Kavajë, një në Elbasan dhe një në Mat, ç’po ndodh në vend?

Tronditet Shqipëria/ Dy të vdekur në Kavajë, një
x

Kultura

Hapja e shkolla së parë shqipe në Fier dhe rrethanat historike të kohës

Hapja e shkolla së parë shqipe në Fier dhe rrethanat historike

Hapja e shkollës së parë shqipe në Fier, përbën një rast të veçantë në historinë e arsimit fierak. Teksa gjetkë, ato  janë hapur brenda qyteteve, e më vonë, jashtë tyre, në Fier ka ndodhur e kundërta. Madje në periudhën osmane, kur shkolla e parë u hap në Libofshë më 1908 dhe në Cakran më 1909, në Fier nuk u hap fare. Ndërsa në periudhën e Qeverisë së Vlorës, sërish ndodhi po i njëjti fenomen. Në Libofshë u hap më 3 tetor 1913, në Sheqishte në nëntor 1913, në Peshtanin e Madh, më 20 janar 1914, ndërsa në Fier më 8 shkurt të vitit 1914, pra 5 muaj më vonë nga Libofsha. Patriotizmi i qendrës urbane në këtë rast është “përmbysur” nga zona rurale dhe këtu qendron paradoksi.

Ç’ka ndodhur vallë?

Kjo është një pyetje e hershme historike, por ka marrë një përgjigje mëshiruese nga politika e kohës. Në rastin e parë, faji u është hedhur vrionasve, të cilët si feudalë që ishin, gjoja nuk e donin arsimimin e popullit. Në historikun e arsimit Fier – Mallakastër, hartuar nga një grup autorësh në periudhën e socializmit, thuhet:“Patriotët e Myzeqesë luftuan e punuan për çështjet e arsimit në kushte të vështira. Ata u ndeshën jo vetëm me pushtuesit osmanë dhe prapagandën e patrikanës, por edhe me çifligarët, sidomos me vrionët, të cilëve u mungonte plotësisht ndjenja e bashkimit kombëtar.” Sesa i vërtetë është ky përcaktim mjafton të kujtojmë se patriotizmi në qytetin e Fierit fillon pikërisht me Omer pashë Vrionin, i cili e përfshiu atë në Lidhjen e Prizrenit dhe ishte i pari patriot fierak i arrestuar nga Porta e Lartë dhe dënuar me 3 vjet burg në Çanak Kala, si anëtar i Lidhjes. Viti i Pavarësisë ka katër ngjarje të rëndësishme për qytetin e Fierit dhe të katërta lidhen po me vrionasit. Ngjarja e parë është Kuvendi i Sinjës, mbajtur më 23 korrik 1912, ku qyteti përfaqësohej nga Kahreman dhe Qemal bej Vrioni. Ngjarja e dytë është çlirimi i Fierit nga çetat komite, ku bënin pjesë edhe dy komandantë vrionas. Ngjarja e tretë lidhet me tri ardhjet e Ismail Qemalit dhe në të tria ato, ai u prit nga vrionasit, në sarajet e tyre. Ngjarja e katërt është Kuvendi i Fierit, i cili u zhvillua po në sarajet e vrionasve, më 10 gusht 1912. Madje, në udhëtimin e tij historik për ngritjen e Flamurit, nga Fieri për në Cakran, Ismail Beu udhëtoi me kaloshinën e Omer Pashait. E, mbi të gjitha, ishin vrionasit e Fierit ndër ata që sponsorizuan hapjen e Normales së Elbasanit. Por, pavarësisht kësaj, cili patriot myzeqarë e mori iniciativën për hapjen e shkollës në Fier dhe u pengua prej tyre? Asnjë e dhënë historike nuk e konfirmon deri më sot këtë fakt. Gjithsesi, kjo mbetet një temë e hapur për studiuesit dhe kërkon një përgjigje të argumentuar e të denjë për historinë e arsimit fierak.

Pengesat

Por edhe në periudhën e Qeverisë së Vlorës, për hapjen e shkollës shqipe në Fier, vihen re pengesa të theksuara. Paradoksi ende vazhdon. Veçse këtë herë, ndryshe nga periudha osmane, pengesat janë më të qarta, më të argumentuara dhe kanë vetëm një emër: Mitropolinë e Beratit.

Që në ditët e para të krijimit të saj, Qeveria e Përkohshme e Vlorës i dha rëndësi të veçantë çështjes së arsimit. Në shtator të vitit 1913, ajo nxori një qarkore dhe urdhëresën që shkollat të hapeshin më 16 shtator të atij viti. Në qarkoren e publikuar, vihej si detyrë mbyllja e shkollave të huaja, të cilat konsideroheshin si të rrezikshme për vendin dhe hapja e shkollave shqipe. “Shkollat greke në Shqipënië asht krimbi që do ta gryejë pa pushim edhe jetën politike të shtetit t’onë”-  shkruante gazeta “Përlindja e Shqypniës,”më 25 janar 1914.

Kjo ishte edhe arsyeja që reaksioni fetar grek bëri çmos për pengimin e programit të qeverisë. Kleri ortodoks ka zhvilluar në këtë periudhë një fushatë aq të egër kundër hapjes së shkollave shqipe, sa kaloi deri në mallkimin e familjeve, që çonin fëmijët në bangat e tyre.

 Reaksioni mbështetej edhe nga një pjesë e besimtarëve ortodoksë, të cilët me fanatizmin e tyre bëheshin mjaft frenetikë. Ky realitet, krijonte një situatë të vështirë për qeverinë dhe në gjirin e popullsisë ortodokse filluan konfliktet e ashpra midis grupeve, pro dhe kundër hapjes së shkollave. “Shumë nga të krishterët, - shkruan kjo gazetë, - shohim që kërkojnë të çelin shkollat që kanë pasur Greqisht. Ashtu nesër edhe myslimanët do të duan të përdorin shkollat Tyrqisht.”

Të krishterët e Vlorës patën një përplasje të hapur midis tyre. Patriotët përparimtarë u grupuan dhe, nëpërmjet një telegrami dërguar Kryetarit të Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit, u prononcuan në mbështetje të qeverisë. Telegrami mban datën 7 shkurt 1914 dhe firmoset nga 47 ortodoksë, midis të cilëve emra të njohur si: Kostandin Minga, Spiro Koleka, Dhimitër e Sotir Kolea, Dhimitër Karbunara , Kristo Floqi etj. “Kemi marë vesh, - shkruajnë ata, - se disa njerëz, po bëjnë disa kërkime n’emër t’ënë për çështje që i përkasin arësimit, na të nënshkruarit shqipëtarë orthodhoksë po dëshmojmë se jemi të kënaqur nga shkollat shqipe e nuk kemi tjatër dëshirë.”

Edhe të krishterët e  Lushnjës e shfaqin mbështetjen e tyre ndaj qeverisë, nëpërmjet një

telegrami dërguar“Të nderçmës Drejtoriës së Përgjithshëme të Arrësimit, Vlonë.” Edhe

ky telegram, ashtu si ai i Vlorës, firmoset vetëm nga  të krishterët. “Të nënshkruarit në emërin popullit shqiptar të Lushnjes, - thuhet në tekstin e tij, paraqitim Zotërisë Tuaj  falnderjet t’ona, për të mprojturit e të drejtavet të krishterëvet të Lushnjes të cilët janë Shqiptar, për punën e arsyshme që kini bërë duke e hapur shkollat me gjyhën t’onë amtare, vetëm shqip.”

Telegrami firmoset nga 10 persona me në krye  mëkëmbësin e mitropolitit, Ikonom Dhima. Më pas firmosin Kryekatundari (kryetari i bashkisë) Vasili, prifti Grabianit, Ikonom Papa Sotiri, Marin Semini e Gjergj Semini nga qyteti i Lushnjës, Aleksi Pario Hristo dhe Thoma  Mihal Përmeti nga Grabiani dhe Trifon Shtëmbari e Ligor Mëhilli nga Krutja.

Në tekstin e këtij telegrami, duket qartazi sakrifica patriotike për hapjen e shkollës shqipe dhe adresimi i saj vetëm për të krishterët e këtij qyteti. “Për të mbrojtur të drejtat e krishterëve të Lushnjes”thuhet aty, d.m.th. se gjithë beteja është bërë prej tyre dhe kjo është e arsyeshme, sepse vetëm të krishterët u vunë tërësisht nën peshën e anatemës klerikale të mitropolisë së Beratit.

Telegrami i dërguar nga Elbasani, më 9 shkurt 1914, i drejtohet “Administratorit t’arësimit Vlonë” dhe firmoset gjithashtu vetëm nga të krishterët. Në përmbajtjen e tij, pasqyrohet edhe më qartë kjo situatë e vështirë, para së cilës ishte vënë Qeveria e Vlorës. Aty reflektojnë edhe tonet më të larta luftarake të krishterëve të këtij qyteti. “Jan ca njerëz, - theksohet në telegram, -  të cilët tuke ndjekur qëllime, qëllime propagandash të huaja përpiqen të çelin shkolla në gjuhë të botës. Andaj na protestojmë kundrë këtyne njerëzish, qofshin këta dhe kryetarë feve, i mohojmë e nuk’i njohim, dhe i quajmë tradhëtorë të kombit, se të përpjekunat e t’yne kanë qëllim të fusin përsëri kombin t’onë në zgjedhje të huaj. Besojmë se Zotnia juaj do të përpiqeni me çfarë do mënyrë, që të mos i bahet kombit një tradhëti e tillë nga ana e atyre tradhëtorëve e agjentve propagandash të huaja. Shkollat Shqipe do të rrojnë e do të përparojnë e asnjë gjuhë e huaj nuk do të lamë që të zej vëndin e gjuhës s’onë.Të krishterët e Elbasanit. Grigor Nosi,Nikoll Papajani, Simon Popa etj.

 Pikërisht në këtë periudhë sa kritike, aq dhe të ngarkuar me konflikte, shfaqet sërish vullneti patriotik i ortodoksëve të Libofshës dhe Sheqishtes. Ndërsa në Fier e kudo, vazhdonin përplasjet midis të krishterëve; të krishterët e Libofshës jo vetëm nuk u përfshinë në këtë aradhe,  por, përkundrazi me ndjenjat e tyre të theksuara patriotike, u bënë përsëri misionarët e parë të gjuhës dhe shkollës shqipe. Edhe në këtë relacion të ri historik, ata u prezantuan sërish si në vitin 1908, mbyllën shkollën greke të djemve, ku ishin tre mësues dhe hapën shkollën shqipe, më 3 tetor 1913, pra vetëm pak ditë nga data e caktuar në urdhëresën e qeverisë. Ndërsa një muaj më vonë, në nëntor të këtij viti edhe të krishterët e Sheqishtes hapën shkollën shqipe me 28 nxënës me mësues Mustafa Xhemalin nga Vlora.

Në Fier,funksiononte shkolla qytetse e djemve me tre mësues dhe shkolla fillore e vajzave. Sipas shënimeve të lëna nga Lef Nosi, zbardhet fakti se presioni frenetik i Mitropolisë së Beratit në Myzeqe, ka qenë edhe më i ashpër nga ç’mund të imagjinohej. “Mitropoliti i Beratit, - shkruan Nosi,- qendroi dy muaj në Myzeqe duke kundërshtuar mbylljen e shkollave greke dhe duke mallkuar hapjen e shkollave shqipe, prindërit që do çonin fëmijët atje dhe vetë fëmijët që do uleshin në bangat e atyre mësonjëtoreve.” Më tej, Nosi shkruan për punën sabotuese të klanit ortodoks frenetik në qytetin e Fierit.“Ditën, përkrahnin hapjen e shkollës, natën mblidheshin në kishën e Shën Gjergjit e punojnë kundër hapjes së saj. - shkruan ai.”

Telegrami

 Në kushtet e vështira të asaj periudhe, ngjeshur me konflikte dhe kontradikta të ashpra, hapja e shkollës së Fierit u bë e mundur vetëm në ditët e para të muajit shkurt. Ditën e hapjes së saj, iu dërgua një telegram qeverisë së Vlorës, nënshkruar nga gjashtë përfaqësues ortodoksë të qytetit: Telegrami i drejtohet “Drejtorit të Përgjithshëm t’ Arësimit në Vlonë” dhe ka këtë tekst:”Sot, me një gjindjë të madhe u-hap shkolla shqip në Fier per këtë gëzim i tërë populli u-falet nderit më gjithë zemër q’u bëtë shkak për të mburuar të drejtat e tij. N’ emërin e popullit të Fierit: Kush Bufi, Hil Pando(Lil Panda), Nas Xoxa, Gjergj Bugaçi, Hil Koraqe (Lil Koraqe), Ton Orilica (Tonç Kilica) Koçi Zozo (Xoxa) dhe Sil Tiçi. Siç shihet, kjo përmbajtje, në krahasim me telegramet e qyteteve të tjerë, është bërë mjaft protokollare dhe nuk të lejon dyshime për pengesat fetare. Madje, kjo hije mbulohet edhe nga firmosja, “në emër të popullit të Fierit.”Në pamje të parë të krijohet përshtypja sikur ky grup firmëtarësh është përfaqësues i gjithë popullsisë së qytetit, por në fakt, ashtu si edhe në qytetet e tjerë të vendit, ata përfaqësojnë vetëm popullsinë ortodokse. Madje, përpos kësaj, në krahasim me Lushnjën, telegramin e Fierit nuk e firmos asnjë prift. Këtu shfaqet figura madhore e patriotit Ikonom Dhima, i cili megjithëse ishte zv. mitropolit, është i pari që firmos telegramin, së bashku me disa priftërinj të tjerë.

Kjo e dhënë, mjerisht dëshmon se stafi i kishës së “Shën Gjergjit” në Fier, ka qenë në unison me Mitropolitin e Beratit.

Është interesant edhe fakti se në kishën e Fierit edhe më vonë, ka munguar inisiativa për futjen  e gjuhës shqipe në altar. Ndërkohë, në kisha të tjera jan të njohura inisiativa të tilla, si ajo e Ikonom Dhimës në Lushnjë e At Isaisë në Vlorë, apo gjetkë. Madje në kishën e Fierit edhe vendimi i Kongresit Ortodoks të Beratit, mbajtur në vitin 1922, për predikimet në gjuhën shqipe, nuk u zbatua. Në Fier, gjuha shqipe në altar nuk u fut as në vitin 1923 kur doli statuti i komuniteteve fetare dhe orientimi për përdorimin e shqipes. Përdorimi i shqipes në kishën e Fierit ka filluar të zbatohej vetëm në tetor të vitit 1929. Ky ndryshim lidhet me vendimet e kongresit të KOASH-it  mbajtur në Korçë më 16 – 29 qershor të vitit 1929, i cili vendosi që gjuha zyrtare e kishës të jetë shqipja. Dëshmi e kësaj vonese janë blloqet e regjistrimit të lindjeve, vdekjeve dhe kurorëzimet që bëheshin aty e që ndodhen në arkivin e shtetit Tiranë. Jan të gjitha në greqisht. Duke hedhur një vështrim mbi rrethanat historike të hapjes së shkollës së parë shqipe në qytetin e Fierit, vihen re edhe disa pasaktësi të trashëguara në opinion, në tre elementët e saj kryesorë: Për datën e hapjes, emrin e mësuesit të parë dhe godinën e saj. Shpesh, si datë e hapjes, merret 12 shkurti 1914, data e botimit së gazetës “Përlindja e Shqipniës,”ku publikohet telegrami i Fierit. Por dihet se telegrami ka mbërritur në Vlorë, më parë se gazeta të futej në shtyp. Madje, redaksia i ka grumbulluar telegramet dhe i boton të gjithë në një numër. Kjo duket nga telegrami i Vlorës, i cili mban datën 7 shkurt dhe mund të botohej më 8 shkurt, në numrin e ri të gazetës.

 

Por, cila është kjo datë që mungon “de facto” në telegramin e Fierit?

 Duke iu referuar një shkrimi të botuar në numrin pasardhës të kësaj gazete, që mban datën 13 shkurt 1914, me titull“Shkollat e huaja” vëmë re se autori i tij, me pseudonimin “E vërteta,” bën një renditje të telegrameve dhe atë të Fierit e vendos para atyre të Lushnjës dhe Elbasanit. “ … telegramat që arritnë nga Fieri, Lushnja dhe ma shumë ay i burravet Elbasanit, - shkruan ai, - i cili me ato fjalët për të vënë re; i mohojmë gjith’ ata që janë kundër shkollavet kombëtare, qofshin dhe kryefetarë, bëri një përshtypje të madhe në qarqet e këtushme...”  Sipas kësaj renditjeje, mendojmë se ky eveniment i përket datës 8 shkurt 1914. Kjo datë duhet konsideruar si hapja e shkollës së parë shqipe në qytetin e Fierit.

 

 Ndërkohë, i gabuar është edhe emri i Xhevdet Mehqemesë që përmendet si mësuesi i parë i shkollës shqipe në Fier.  Xhevdet Mehqemeja përmendet se është emëruar mësues në Fier, por ai u largua sërisht ende pa u hapur shkolla. Emërime të tilla të kuadrit arsimor ishin praktikë e kohës, pasi bëheshin për të nxitur më tej procesin e hapjes së tyre. Kjo duket qartazi edhe në emërimin e Jani Mingës në shkollën e Vlorës. “Z. Jani Minga, i vjetri luftëtar për mendimet kombëtare t’ona, - shkruan kjo gazetë, -  u – emënua drejtor i shkollës që do të hapet në Vlonë.”

 

Mehqemeja, megjithëse ishte një kuadër i shkolluar në Stamboll, nuk mundi dot të hapte shkollën e Fierit. Për këtë arsye ai iu drejtua një vatre të re arsimore, Peshtanit të Madh, i cili kishte 200 shtëpi dhe shprehu para Fierit dëshirën për hapjen e mësonjëtores dhe e realizoi atë më 20 janar 1914. Pikërisht në këtë datë, ai shkruan edhe një artikull nga Peshtani, ku njofton Vlorën për hapjen e kësaj shkolle. Në këtë artikull, ai përmend edhe vonesën e hapjes së shkollës në Fier. “Po, nga disa shkake që nuk asht mirë sot të shkruhen, vonimi i hapjes së shkollës në Fier, më preu guximin të shkruaj edhe për të tjera gjëra, - thotë ai.” “Shkaket që nuk asht mirë të shkruhen”të përmendura nga Mehqemeja, janë pikërisht ato të cituara  nga Nosi. Në po këtë numër, pra në janar të vitit 1914, “Përlindja...” publikon edhe kuadrin e ri arsimor në Fier. Drejtor emërohet Llazar Bebi, ish - drejtor i shkollës në Berat dhe mësues, Lil Prençia ish - mësues në shkollën greke të Fierit. Krahas emërimit shprehet edhe besimi për ta. “Shpresojmë, - shkruan gazeta, - se z. Llazar Bebi me gjithë mësonjësin e tij, ka për të hapur dhe rregulluar shkollën e Fierit si pat rregulluar shkollën e Beratit.”

Godina

Problemi i godinës së kësaj shkolle ngre gjithashtu një pikëpyetje mbi saktësinë e saj.

Sipas historikut të arsimit Fier – Mallakastër, shkolla është hapur “në një godinë të vjetër të lagjes Shkozë (1 Majë) në një ndërtesë të thurur me kallamb e lyer me baltë.” Bëhet fjalë për shkollën greke të çunave, por në fakt ajo ka qenë në gjendje jo të përshtatshme për mësim. Në një shkrim tjetër të “Përlindjes...” mësojmë se drejtori i porsa emëruar në Fier, Llazar Bebi në përpjekje për hapjen e shkollës, interesohet veçanërisht për godinën e saj. “ Epitropët e Fieri, - thuhet në këtë shkrim, - i kan dhënë fjalën z. Llazar Bebit se do të ndreqin shkollënë që pat qënë e vajzavet gjer sa të ujdiset shkolla e djemve që është fare e prishur.” Nga ky fakt, mund të gjykojmë se shkolla e parë shqipe, duhet të jetë hapur tek ish - shkolla e vajzave, godina dykatëshe që ndodhej pranë urës me shkallë ndërtuar në vitin 1882, pasi shkolla e djemve ishte “fare e prishur.” Në mbështetje të këtij versioni është edhe rihapja e shkollën gjatë Luftës së Parë Botërore, në po këtë godinë.

 

Gjithashtu, edhe fotografia e godinës shkollore njëkatëshe që ndodhet ende në vendin që dikur quhej“Kurorëza e kishës” e përhapur dhe interpretuar si ish - shkolla e parë e Fierit, nuk është e saktë. Sipas dokumenteve arkivore kjo godinë është ngritur në kohën e Mbretërisë Shqiptare. Në vitin 1914, asaj i janë hedhur vetëm themelet nga kisha për një shkollë të re greke. Me ndryshimin e realiteteve të mëvonshme sociale, në pamundësi për shkollë greke, lindi mendimi që mbi themelet e saj të ndërtohej një shtëpi banimi për mitropolinë. Por as ky pretendim nuk u realizua për arsye financiare. Në prill të vitit 1936, trualli me themelet, iu shit bashkisë  me çmim 130 napolona ari. Aty u ndërtua shkolla, që ekspozohet në foto, ndërsa kisha me shumën që mori, ndërtoi shtëpinë e mitropolisë, përballë hyrjes së saj, në ballin e rrugës “Kurt Pasha”. Është godina që jepej vazhdimisht me qira nga kisha, është shtetëzuar më vonë dhe ka ekzistuar deri në ndërtimin e kishës së sotme.  Pra, nga ballafaqimi i këtyre të dhënave, duhet thënë se shkolla shqipe e Fierit është hapur më 8 shkurt 1914, në ndërtesën dykatëshe buzë Gjanicës dhe mësuesit e parë të saj kanë qenë: Llazar Bebi dhe Lil Prençia. Por mjerisht, shkolla qendroi e hapur vetëm pak muaj. Në korrik të vitit 1914 Fieri u pushtua nga rrebelët. Tashmë, fanatizmi i një pjese të besimtarëve ortodoksë, do pasohej nga grupi ekstremist i besimtarëve islamë, të cilët, nën udhëheqjen e Haxhi Fejzës dhe Haxhi Qamilit me urën e zjarrit në dorë dhe parullat otomane në gojë, do vërshonin si lukuni egërsirash mbi shkollat shqipe dhe mësuesit e tyre. Shkolla u hap sërish gjatë Luftës së Parë Botërore sipas programit të politikës arsimore të Perandorisë Austrohungareze, aplikuar në vendet e zotëruara.

 

 Por udhëtimin më të plotë e më të sigurt kjo shkollë do ta merrte vetëm në vitin 1920 kur kaloi në godinën qeveritare në Bishanakë. Ndërsa në godinën e mëparshme do të hapej shkolla shqipe e vashave. Këto pak rreshta kushtuar shkollës së parë shqipe të hapur në qytetin e Fierit, në një nga situatat më të vështira e më të komplikuara që kalonte populli ynë, mbushur më paradokse dhe  refleksione fetare nga më të ashprat dhe më kontradiktoret, janë leksionet më të trishta të historisë sonë arsimore, në Fier e kudo, ku ushtronte juridiksionin e saj Qeveria e Përkohshme e Vlorës e drejtuar nga Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit.

Më të lexuarat