“Himara International Music Festival” është një ngjarje e përvitshme muzikore, ku pjesë bëhen artistët më të mirë. Himara është një nga destinacionet turistike verore më të frekuentuara të jugut të vendit nga turistët dhe gjatë verës kalendarit të veprimtarive artistike në bregdetin jugor iu shtua dhe Festivali Ndërkombëtar i Muzikës. Ky festival si nismë e dy pianistëve Endri Nini e Rea Veizi zhvillohet prej dy vitesh në Himarë gjatë stinës së verës, duke sjellë një programacion të larmishëm dhe mbi tridhjetë artistë nga vendi, Europa, USA, Amerika Latine e Azia. “Himara International Music Festival” erdhi dhe përmes një dokumentari. Në ambientet e Qendrës së Artit “Agimi” në kryeqytet mbrëmjen e 22 shkurtit u zhvillua eventi promovues i “Himara International Music Festival- A Documentary Journey”. Dokumentari i realizuar nga Octular Studio, ftoi publikun në një rrugëtim emocionesh, përshtypjesh dhe peizazhesh mbresëlënëse të Himarës në brendësi të këtij festivali. Eventi që nisi me shfaqjen e dokumentarit në sallën historike të kinema “Agimi”, u moderua nga gazetarja Arlinda Çausholli, e cila përmes fjalës së artikuluar me shumë elegancë e ngrohtësi ftoi në bashkëbisedim panelistët Aleksandër Çipa, gazetar i njohur dhe drejtues mediatik, Herida Duro, violiste dhe drejtore e përgjithshme në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, dhe Rea Veizi si udhëheqëse artistike e festivalit, bashkëbisedim ky në të cilin mori pjesë edhe publiku në sallë me pyetje e kuriozitete të ndryshme rreth organizimit të tij dhe pritja që i kanë bërë turistët e shumtë në dy edicionet. Realizimi i festivalit në një nga monumentet më të bukura të jugut siç është kalaja e Himarës, risia artistike, veprat premierë, promovimi i muzikës dhe artistëve shqiptarë, ekselenca artistike, natyra ndërkombëtare e festivalit, sfidat për realizimin e tij si dhe vlera e këtij festivali për kulturën dhe turizmin e Himarës në veçanti dhe për të gjithë vendin në përgjithësi, ishin disa nga temat gjatë bashkëbisedimit në sallë.
Projekti për festivalin
“Himara International Music Festival” lindi si një projekt muzikor ku gjithsecili prej nesh mund të përjetojë muzikën e tij të preferuar. Pianistja Rea Veizi drejtuese artistike e “Himara International Music Festival” thotë se ideja për të zhvilluar një festival muzikor në Himarë lindi për shkak të marrëdhënies shumë të afërt e të dashur që ajo dhe Endri kanë me Himarën, duke qenë se është vendi i origjinës së prindërve të tyre, vendi ku ata kanë kaluar pushimet verore gjatë fëmijërisë dhe rinisë. “Kemi një marrëdhënie shumë të veçantë me Himarën dhe është një vend shumë i dashur për ne. Sigurisht kur ne morën përsipër iniciativë për të sjellë një propozim muzikor këtu në Shqipëri instikti im parë ishte ta sillnim në Himarë, por kjo nuk është arsyeja e vetme. Himara është një vend me një kulturë shumë të pasur, me një karakteristikë muzikore siç është isopolifonia, me peizazhe të mrekullueshme, me monumente kulture, por ne konstatuam që ndoshta një alternativë kulturore muzikore si festivali që ne po zhvillojmë i nevojitej Himarës. Kjo qe dhe shtysa kryesore për të cilën ne vendosëm që ta zhvillojmë festivalin”, tregon Veizi. “Himara International Music Festival” vjen sërish gjatë gushtit 2024 në edicionin e tij të tretë, i cili premton të sjellë për publikun artdashës një programacion plot ngjyra e performanca mbresëlënëse.