Veprimtaria për promovimin e botimeve “Shqiptarët 1830-1908” dhe “Shqiptarët e Shqipëria 1908-1912” nga Ethem Çeku mblodhi historianë dhe akademikë. Në këtë veprimtari që u organizua nga Akademia e Shkencave dhe Instituti i Historisë folën për dy botimet dhe autorin Marenglen Verli, Hamit Kaba, Pëllumb Xhufi dhe Shaban Sinani. Në këtë veprimtari morën pjesë edhe z. Agim Çeku, kryeministër i mëparshëm i Kosovës; historiani Paskal Milo, deputetët Namik Dokle e Spartak Braho e të tjerë. Akad. Marenglen Verli prezantoi dy studimet e prof. Ethem Çekut për prurjet në rrafshin historik. “Shqiptarët dhe Shqipëria 1908-1912”, tha ai, i vë ngjarjet në kontekstin më të gjerë të gjithë faktorëve që kanë çuar në krijimin e shtetit shqiptar dhe më pas, shqiptarëve si komb, duke hedhur dritë në një kuptim më të mirë të situatës aktuale politike në Ballkanin Perëndimor. “Ky libër trajton atë që mbetet çështja kryesore e luftës së shqiptarëve për pavarësi: marrëdhëniet konfliktuale midis lëvizjeve kombëtare shqiptare dhe xhonturqve, por edhe marrëdhëniet me monarkitë ballkanike”, tha akad. prof. dr. Marenglen Verli. Ethem Çeku, vijoi ai ofron një perspektivë njohëse të dokumentuar mirë dhe një perspektivë të të parit edhe më përtej çështjeve të historisë shqiptare. Ndërsa për librin “Shqiptarët 1830-1908”, ai tha se analizon thellë marrëdhëniet shumë komplekse të shqiptarëve me Perandorinë Osmane, duke u mbështetur në burime dhe literaturë të pasur, që i shërbejnë studimit të raporteve të popujve të Ballkanit me Perandorinë Osmane. Prof. Hamit Kaba mbajti një kumtesë për librin “Shqiptarët dhe Shqipëria 1908-1912”. Ai tha se dy vëllimet e fundit “Shqiptarët 1830-1908” dhe “Shqiptarët dhe Shqipëria 1908-1912” shënojnë arritjen më të mirë të prof. Çekut. Akad. Pëllumb Xhufi mbajti një kumtesë për librin “Shqiptarët 1830-1908”. Për dy vëllimet e porsabotuar të autorit foli edhe studiuesi Shaban Sinani. Ai theksoi si vlerë të veçantë të dy vëllimeve paraqitjen e çështjes shqiptare në kontekste zhvillimesh më të mëdha në perandori e në pjesën europiane të saj, si luftërat, rebelimet, krizat e reformat.