Përmirësimi i infrastrukturës kulturore në Shqipëri, trashëgimia kulturore si dhe investimet e bashkëpunimet ishin në fokus të takimit të ministrit Blendi Gonxhja me znj Stefania Vizzaccaro drejtoreshën e Agjencisë Italiane të Bashkëpunimit për Zhvillim në Tiranë. Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja shprehet se gjatë këtij takimi u diktua dhe mbi projektet që janë në proces, si dhe ato të ardhshme. “Trashëgimia dhe kultura si themele e katalizatorë të zhvillimit ekonomik! Së bashku me drejtoreshën e Agjencisë Italiane të Bashkëpunimit për Zhvillim në Tiranë, znj. Stefania Vizzaccaro dhe ekipin e saj, diskutuam mbi strategjitë dhe projektet në proces e të ardhshme për të përmirësuar infrastrukturën kulturore në Shqipëri, për të promovuar dhe mbrojtur trashëgiminë kulturore, si dhe për të inkurajuar investimet në fushën e kulturës e në programet e mbështetjes direkte për ekonominë e industrinë kreative dhe artizanatet”, shprehet ministri Blendi Gonxhja në rrjete sociale, ku ka ndarë dhe foto gjatë këtij takimi që u zhvillua këto ditë. Sipas ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit bashkëpunimi synon gjithashtu të krijojë mundësi të reja për bizneset lokale dhe të nxisë inovacionin e zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm përmes financimeve të ndërmarrjeve të vogla e të mesme. Ministri Blendi Gonxhja shprehet gjithashtu se ndihma për kushte më të mira për shkollat profesionale është gjithashtu vlerë shumë e rëndësishme e shtuar. Agjencia Italiane për Bashkëpunim Zhvillimor është agjencia e qeverisë Italiane, e krijuar me ligjin 125/2014 , për zbatimin e politikave të bashkëpunimit ndërkombëtar për zhvillim. Përfaqësuesja e saj në Ballkanin Perëndimor është Stefania Vizzaccaro. Zyra e Tiranës ka përgjegjësi për Shqipërinë, Bosnje dhe Hercegovinën, Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë.