Ekspozita “Kur Pranvera Vonohet” u hap në kuadër të Javës së Kulturës Bashkëkohore Kosovare, që po zhvillohet me aktivitete të ndryshme në Tiranë. Kinematografia, teatri, muzika dhe arti vizual i Kosovës janë pjesë e programit të kësaj jave kulturore. Me rastin e përvjetorit të Pavarësisë së Kosovës, Tulla – Culture Center po organizon Javën e Kulturës Bashkëkohore të Kosovës – KS #16 Showcase nga data 19 deri 28 shkurt 2024. Më datë 19 shkurt te Tulla-Culture Centre aktiviteti i parë ishte ekspozita “Kur Pranvera Vonohet”, ku në bashkëpunim me Kosovafilm dhe Qendrën Kinematografike të Kosovës në kuadër të KS#16 Showcase u prezantua ekspozita me poster të dizanjuar nga profesor Shyqri Nimani dhe disa nga filmat më të suksesshëm të prodhuar nga Kosovafilm. Filmat me një kastë të shkëlqyer aktorësh si Abdurrahman Shala, Faruk Begolli, Istref Beholli, Muharrem Qena, etj. Filmat ishin “Lepuri me pesë këmbë” nga Ismail Ymeri, “Era dhe Lisi” regjia Ekrem Kryeziu, “117” regjia Besim Sahatçiu. Mbrëmja e datës 22 shkurt solli koncert nga The Milk Snatchers, që është një bend i krijuar në kohën e pandemisë nga muzikantët Donat Vatoci, Lek Morina, Viola Recaj, Granit Havolli dhe Jon Shala. Fillimisht kanë krijuar muzikë në garazhet e Dardanisë dhe më tej e panë si nevojë të performonin live, duke sjellë për audiencën albumin e tyre të parë. Po këtë mbrëmje ishte dhe një ekspozitë. Në vijim të aktiviteteve në datë 24 shkurt u zhvillua promovim i librit “Balada e Buburrecit” autor Shpëtim Selmani. Po kjo mbrëmje solli dhe performancë teatrale nga Shpëtim Selmani, Liburn Jupolli dhe Alban Nimani. Në vijim të aktiviteteve do të jetë mbrëmjen e sotme filmi “Kur Pranvera Vonohet” me regji nga Ekrem Kryeziu, që do të shfaqet te Tulla në Tiranë.
Koncerti “Nëpër gjemba drejt yjeve”
Mbrëmja e 27 shkurtit sjell “Nëpër gjemba drejt yjeve” koncert in memoriam – Shyqri Nimani, që do të zhvillohet te Teatrit Kombëtar te “ArTurbina” në Tiranë. Kantautori Shyqri Nimani gjatë karrierës së tij muzikore, të viteve ’60, ’70 dhe të viteve ’80, ka realizuar rreth 100 këngë në Radio Televizionin e Prishtinës, si dhe ka botuar 3 albume (me Jazz orkestrën e Radio Televizionit të Beogradit, prodhim i PGP dhe Radio Televizionit të Zagrebit). Këngët Adriatiku, Ilirjana dhe Adriana kanë arritur në top listat muzikore të Jugosllavisë së asaj periudhe. “Nëpër gjemba drejt yjeve” është një koncert organizohet në kuadër të KS #16 Showcase – Java e Kulturës Kosovare, ku do të interpretohen këngët e Nimani’t të publikuara gjatë viteve ‘60-‘80 në Kosovë, të cilat janë ri-orkestruar nga Rroni Gjura dhe do të interpretohen prej disa nga muzikantët më të dashur të skenës shqiptare, siç janë: Eneda Tarifa, Soni Malaj, Kejsi Tola, Dren Abazi, Genc Salihu, Shpat Deda, Alban Nimani, Olimpia Smajlaj, Elsa Rraqi dhe Agron Peni. Tulla-Culture Center në Tiranë shprehej në njoftim më parë se programi i Javës së Kulturës Bashkëkohore Kosovare realizohet me mbështetjen e institucioneve Kosovare dhe Shqiptare: Bashkia e Tiranës, Qendra Kinematografike e Kosovës, Kosovafilmi dhe Teatri Kombëtar i Shqipërisë.