Statusi i artistit, kushtet e punës, si dhe të tjera probleme të jetës artistike u diskutuan sërish mes artistëve. Punimet e Kongresit të 5-të të Sindikatës së Pavarur të Artistëve të Shqipërisë (SPASH) mblodhën artistët nga institucionet tona të artit kulturës dhe më gjerë. Artisti Julian Kazazi u zgjodh dhe president i SPAKMSH. Në fjalën e tij Kazazi foli dhe për punën në 5 vitet e ardhshme, ku dhe u shpreh se do vazhdojnë rrugën për përmirësimin e kushteve të punës, vazhdimësinë për ti siguruar anëtarësisë punë të denjë dhe paga të barabarta për punë të barabarta, statusin e artistit, etj. Në një reagim të tij pas punimeve të kongresit, artisti Julian Kazazi tha se për kërkesat dhe problemet që kanë bërë me dije më parë artistët janë në pritje dhe për të zhvilluar një takim me përfaqësues të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. “Kërkesat tona për përmirësim të kushteve të punës dhe status të artistit do të vazhdojnë në drejtim të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, por dhe duhet të gjejnë zgjidhje dhe çështje të tjera në institucionet e artit dhe kulturës në vend. Ne kemi ngritur gjithashtu dhe dy komisione, ku një është Komisioni i Sigurisë dhe Shëndetit në Punë për të kontrolluar kushtet në punë, si dhe Institutin e Studimeve Sindikale. Ne shpresojmë që të zhvillojmë javës që vjen për të gjitha kërkesat dhe një takim me përfaqësues të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Jemi në pritje për ta vendosur si datë kur do zhvillohet takimi”, shprehet artisti Julian Kazazi, president i SPAKMSH.
Vendimet në kongres
Në kongresin që u zhvillua ditën e shtunë morën pjesë delegatë që përfaqësonin anëtarët e Sindikatës së Pavarur të Artistëve të Shqipërisë nga të gjitha institucionet e artit dhe kulturës, miq të SPASH, përfaqësues nga sindikatat simotra pjesë e BSPSH si dhe zv.presidenti i BSPSH Sami Kariqi dhe stafi i tij. Ai përshëndeti Kongresin e 5-të SPASH-së dhe deklaroi në emër të BSPSH bashkëpunimin dhe ndihmën në rritjen, forcimin dhe zgjerimin e SPASH. Kongresi mori disa vendime , ku riemëroi sindikatën e cila në vazhdimësi do të quhet Sindikata e Pavarur e Artit, Kulturës dhe Medias të Shqipërisë (SPAKMSH), e cila do të ketë një shtrirje më të gjerë në të gjitha institucionet qëndrore dhe lokale të artit, kulturës, etj; krijimin e Komisionit të Sigurisë dhe Shëndetit në Punë ku kryetar i saj do të jetë artisti Rudin Sata; krijimin e Institutit të Studimeve Sindikale, ku në krye të tij do të drejtojë prof. dr. Ermir Nika. Sindikata e Pavarur e Artistëve të Shqipërisë zhvilloi disa ditë më parë dhe mbledhjen e Këshillit Kombëtar, ku u pasqyrua puna e bërë për riorganizimin e SPASH-së në disa nga institucionet e artit dhe kulturës në Shqipëri. Më herët drejtues të SPASH kanë shprehur se Ministria e Kulturës nuk i ka dhënë vëmendjen e duhur artistëve, ku një nga kërkesat e tyre ka qenë dhe përmirësimi i ligjit të artit.