Regjisorë dhe aktorë janë në garë për drejtor të Teatrit Kombëtar, ku pak ditë më parë në Ministrinë e Kulturës u zhvillua dhe dëgjesa me kandidatët, që prezantuan platformat e tyre. Sekretari i përgjithshëm i Sindikatës së Përgjithshme të Artistëve të Shqipërisë Julian Kazazi ishte i pranishëm në dëgjesën, që u zhvillua në Ministri të Kulturës me kandidatët për drejtor në Teatrin Kombëtar. Në intervistën për gazetën “SOT” Julian Kazazi tregon se komisioni i përzgjedhur nga Ministria e Kulturës për këtë proces ishte serioz dhe korrekt, por mungonin specialistë të huaj në fushën e teatrit siç ishte menduar që t’u ngrinte ky komision. Sipas tij është e domosdoshme që konkurse të tilla të jenë transparente për grupet e interesit, siç ishte pjesë në këtë proces edhe sindikata e Teatrit Kombëtar. Artisti Julian Kazazi ndalet dhe tek problemet në jetën artistike. Ai thotë se në fushën e artit dhe kulturës edhe ky vit ka qenë me shumë probleme. Kazazi tregon se ende nuk ka përgjigje nga Ministria e Kulturës për statusin e artistit, ligjin e ri “Për Artin dhe Kulturën”, uljen e moshës së pensionit dhe rritjen e pagave.
-Ju si sekretar i përgjithshëm i Sindikatës së Përgjithshme të Artistëve të Shqipërisë ishit të pranishëm në dëgjesën që u zhvillua pak ditë më parë me kandidatët për drejtor të Teatrit Kombëtar. Çfarë i kërkuat ministrisë dhe pse kërkuat të merrnit pjesë në këtë dëgjesë?
Në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Sindikatës së Pavarur të Artistëve të Shqipërisë (SPASH) i kërkuam Ministrisë së Kulturës (MK) të bëj transparente procesin e konkurrimit për titullar të Teatrit Kombëtar. Prezantimi i platformave dhe angazhimi për zbatueshmërinë e tyre ka ndikim të drejtpërdrejtë në interesat e anëtarëve tanë. I kërkuam të jemi të pranishëm në fazën kur kandidatët konkurrues do të prezantonin platformën e tyre përpara komisionit të ngritur nga ana e Ministrisë së Kulturës.
-Me aq sa ju dëgjuat, si u zhvillua ky proces me kandidatët, çfarë mund të na thoni mbi përbërjen e komisionit të ngritur në Ministri të Kulturës?
Procesi intervistimit dhe prezantimi i një pjese të platformave nga vet konkurrentët shkoi mirë. Komisioni i përzgjedhur nga Ministria e Kulturës për këtë proces ishte serioz dhe korrekt, por mungonin specialistë të huaj në fushën e teatrit siç ishte menduar që t’u ngrinte ky komision, bazuar edhe në shkresën, kthim-përgjigje drejtuar SPASH-së në muajin prill të këtij viti.
-Është hera e parë që përfaqësues të sindikatës marrin pjesë në procese të tilla kur janë zhvilluar konkurse për titullarë në institucione?
Në dijeninë time është hera e parë që Sindikata e Përgjithshme e Artistëve të Shqipërisë merr pjesë në një proces të tillë. Është e domosdoshme, që konkurse të tilla të jenë transparente për grupet e interesit siç ishte pjesë në këtë proces edhe Sindikata e Teatrit Kombëtar me kryetarin e saj z. Artan Imami.
-Ju dhe më parë jeni shprehur që duhet të hapet gara për konkurs në Teatrin Kombëtar, pasi drejtorit i mbaroi mandati para disa muajsh, po ashtu keni kërkuar dhe hapjen për konkurse të tjera në institucione. Këto vonesa çfarë sjellin?
Është e vërtetë që prej muajsh kam ngritur zërin, duke shprehur se Ministria e Kulturës duhet patjetër të hapi konkurset për titullar në disa institucione kombëtare. Vonesa në hapjen e tyre sjell ngërçe dhe mosfunksionim të vetë institucionit. Edhe në shkresën e fundit të datës 16.11. 2022, i kemi kërkuar përsëri që të vazhdojnë konkurset për titullar të Cirkut Kombëtar, Galerisë Kombëtare të Arteve, Muzeut Historik Kombëtar, etj.
-Sa besoni në vlerësimin e duhur në konkurset, që zhvillon Ministria e Kulturës dhe pse?
Përsa i përket vlerësimit të platformave për drejtimin dhe menaxhimin e Teatrit Kombëtar besoj se në këto momente nuk kam një përgjigje dhe se jemi në pritje për të dëgjuar vendimin e këtij komisioni. Vendimi i duhur duke vlerësuar platformën më të mirë i jep pikë jo vetëm procesit, por është e domosdoshme për kohën që jetojmë.
-Jemi në muajt e fundit të vitit, por Ministri Kulture dhe SPASH ende nuk janë ulur në tryezë për kërkesat, që ju keni shprehur. Deri tani çfarë ka ndodhur?
Edhe një muaj e pak ditë kanë mbetur nga viti 2022 dhe tani që reflektojmë pak shikojmë që në fushën e artit dhe kulturës edhe ky vit ka qenë me shumë probleme. Ende pa asnjë përgjigje për statusin e artistit, ligjin e ri “Për Artin dhe Kulturën”, uljen e moshës së pensionit dhe rritjen e pagave.
-Si ndikon në art dhe kulturë apo dhe punën në institucione kur kërkesat tuaja ende janë në letër?
Normalisht ne e kemi shprehur shpesh, që mungon vullneti dhe dëshira nga ana e qeverisë për ti kthyer dinjitetin artistëve dhe për të bërë disa punë të mira për ta. Ne këtë e dimë, por që sindikata do vazhdojë me kërkesat e saj deri sa të gjejnë zgjidhje. Ne nuk tërhiqemi, sepse po kërkojmë minimumin e asaj çfarë japin artistët për artin e tyre, kohën që ata ja kushtojnë artit të tyre, etj.
-Keni shprehur herë pas here se duhet një ligj i ri arti, ju vetë ndërkohë si SPASH a keni ndonjë draft apo kjo do jetë pjesë e diskutimeve me ministrinë ?
Prej më shumë se 10 vitesh ne kemi kërkuar Statusin e Artistit, kemi depozituar dhe pranë Ministrisë së Kulturës një draft propozim, gjithashtu edhe për disa ndryshime në ligjin “Për Artin dhe Kulturës” dhe uljen e moshës së pensionit për disa gjini arti. Në takimin e fundit me përfaqësuesit e Sindikatës së Përgjithshme të Artistëve të Shqipërisë, Ministria e Kulturës u shpreh se do ngrinte një grup pune ku dhe ne do ishim pjesë vendimmarrëse, por që ende sot mbas 3 muajsh nuk kemi asnjë informacion për këtë premtim që u dha.
-Ju jeni sekretar i përgjithshëm i Sindikatës së Përgjithshme të Artistëve të Shqipërisë (SPASH), por dhe artis dhe i përkisnin komunitetit artistik. Me Cirkun Kombëtar çfarë është bërë deri tani për ato, që ju keni kërkuar?
Cirku Kombëtar, një institucion unikal dhe me një nivel të lartë artistik po lihet në rrugë, pa një çadër, pa një truall pa një përgjigje për fatin e këtij institucioni 63 vjeçar që vetëm ka dhuruar art, kulturë dhe buzëqeshje për çdo spektator, ka argëtuar të vegjël e të rritur pa dallim moshe. Marrë shkasë nga kjo intervistë ti them kryeministrit të Shqipërisë që ktheji sytë nga Cirku Kombëtar. Mos e cilëso si shkatërrimtari i Cirkut Kombëtar. Publiku e do këtë art dhe se e fakton me mbushjet e sallave plot në çdo vend ku ne performojmë. Qeverisë shqiptare nuk i kushton asgjë ringritja e Cirkut Kombëtar shqiptar në një ambient të përshtatshëm, çadër e re apo dhe godinë ku të ketë kushtet dhe formën e çadrës sëbashku me të gjitha parametrat dhe kapacitetin e nevojshëm. Gjithashtu dua të them se po mundohemi që në fillim të vitit të ardhshëm të bëjmë të munduar që publiku të rikthehet përsëri çdo të shtunë e të diel për të parë magjinë e numrave të cirkut, jo në çadër, por po mundohemi të marrim një sallë me qera që shfaqjet tona mos ti mungojnë publikut deri sa të gjendet një zgjidhje
-Ju kërkoni ligjin për pensionet, por si ndikon kjo në institucionet e artit, pasi sa mundet të performojë një balerin apo artist cirku në këtë moshë, që ka ligji aktual? Si ndikon në jetën artistike, duke mos pasur sa duhet elementin e ri?
Ulja e moshës së pensionit për disa gjini arti është e domosdoshme që të realizohet sa më shpejt. Është e pa pranueshme që një balerin, një akrobat i cirkut, një valltar të dali në pension gruaja në moshën 60 vjeçare dhe burri në moshën 65 vjeçare. Pavarësisht pjekurisë artistike të gjithsecilit prej tyre duhet të dalin në pension në kategorinë e parë, gruaja në moshën 45 vjeçare dhe burri në moshën 50 vjeç. Ky propozim nga ana jonë është referuar ligjit të minatorëve të përshtatur me specifikat e artistëve, sipas dhe pozicioneve të përcaktuara në VKM-në e vitit 1958. Kategoria e dytë i përket solistëve të operas, teatrove muzikale të ansambleve, si dhe muzikantët e veglave të frymës të orkestrave dhe bandave. Për këtë kategori kemi propozua,r që për gruan të dali në pension në moshën 50 vjeçare dhe burri në moshën 55 vjeç.