Në kalanë Rozafa ka pasur rritje të numrit të vizitorëve. Kjo bëhet me dije nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër, që ka publikuar dhe të dhënat për numrin e vizitorëve në faqen e saj, ku këtë shtator numri i tyre është më i lartë se në shtatorin e një viti më parë. “Me rritjen e vizitueshmërisë në kalanë Rozafa gjatë muajit shtator me + 5.535 vizitorë më shumë se gjatë të njëjtës periudhë në vitin 2022, ju urojmë një javë të mbarë të pasur me histori dhe aventura të paharrueshme në kala. Të mirëpritur në kalanë e Shkodrës!”, thuhet nga DRTK. Kalaja e Shkodrës nga data 1 deri më 30 shtator 2023 ka pasur 17.984 vizitorë. Ndërsa në 1-30 shtator 2022 ishin 12.449 vizitorë. Kalaja e Shkodrës që mban emrin Rozafa është një monument mijëvjeçar i ngritur mbi një kodër shkëmbore në hyrje të qytetit të Shkodrës, në jug-lindje të tij. Qëndron mbi një kodër shkëmbore 130 metra mbi nivelin e detit, e rrethuar nga lumi Buna e Drin, me një sipërfaqe prej gati 9 hektarësh. Kalaja përbën një simbol të qytetit, e pranishme ndër piktura, gdhendje, etj. Hyrjen kryesore kalaja e ka nga veri-lindja, sipërfaqja e brendshme ndahet nga muret e tre oborreve, me porta mes tyre. Oborret vijnë duke u ngritur njëri pas tjetrit, i treti është në pjesën e lartë të kodrës. Muret dalëse kanë të dalura drejtkëndore që zëvendësojnë kullat, ndërsa në murin e jashtëm kullat janë më të dendura. Brenda kalasë ka disa ambiente që lidhen me një kullë cilindrike, një depo si dhe një godinë trekatëshe të kohëve venedikase, quajtur Kapiteneria. Oborri i dytë në pjesën qendrore ka katër depozita për grumbullim uji, katërkëndëshe të mbuluara me qemerë, prej ku merrej uji përmes grykave të puseve rrethore. Aty është depoja, burgu si dhe xhamia e Fatihut.
Spektakël në koncertin e Noizy-t, reperi surprizon në mënyrë të veçantë fansin e tij, video-ja bën xhiro në rrjet
Reperi mjaft i dashur për publikun, Noizy është gjithmonë në qendër të vëmendjes sa i përket këngëve dhe koncerteve të...
Lexo më shumë