Ajo shfaqje e nivelit aq të lartë më 12 maj 2024 në mes të kryeqytetit grek Athinë, ku pamë të gërshetuara më së larti ndjenjat e emigrantëve tanë në Greqi:atdhetarinë, shqiptarinë, miqësinë, bukurinë e shpirtit shqiptar, mallin, hallin, dertet dhe qejfet, dëshirat dhe urrejtjet … është e para e ndoshta e fundit e këtij lloji. Si për pjesëmarrjen e emigrantëve të malluar e të sfilitur, si për problemet që trajtoi Edi Rama, kryetari i qeverisë shqiptare që -demek- atje kish vajtur me etiketën ”kryetar i partisë socialiste”,ashtu edhe për qëndrimet, reagimet dhe opinionet greke nga trotuari deri në zyrat e qeverisë së Mitsotaqisit. Ka shumë cilësime, epitete, vlerësime dhe por edhe cungime, deri edhe poshtërime, që bëjnë me zë e me shkrim në media, gurmazet që nxjerrin avaze këtu brenda vendit dhe atje, rreth e qark atij aktiviteti. Por le të flasin,pëllasin apo pëlcasin: ai takim shqiptarësh do të quhet vetëm madhështor. Është aksion furtunal që ua mbyll gojën zemërligjve, smirëzinjve, hasetçinjve dhe pse mos ta themi, edhe armiqve të mirëfilltë të Shqipërisë dhe tregon forcë, fuqi, energji shqiptarësh; energji ta pashteruar, edhe pse të shpërfillur. Kuptohet: ashtu si çdo takim njerëzish me organizim të paracaktuar,me përgatitje të mirëmenduar e bashkërenduar edhe me ustallarët e mëdhenj, ka fasadë, ka edhe maskaradë, ka rezultate që çmohen ka edhe të meta të kritikohen. Por mbi të gjitha ka shpirt-shqiptarizmi që nga organizatorët, oratori, operatori, roja dhe punëtori. Kjo veprimtari-quajeni si të doni o, ju trukashtë të opozitës, ju keqdashës të atdheut tonë, ju armiq të Shqipërisë,- ishte shfaqje e fuqisë që është mbrojtur në shekuj në shpirtin e shqiptarit dhe që shpërthen kur ai organizohet,drejtohet me kahje pozitive dhe udhëhiqet drejt më të mirës së mundshme të të ardhmes së tij. Kryetari ynë u tregua trim, objektiv,realist dhe miqësor me palën greke . Tregoni ju lutem, kush kryetar shteti a kryetar partie e ka bërë këtë lloj vizite në historinë e shtetit shqiptar deri më sot në Athinë? Kush e ka thënë me ton të lartë në mes të Athinës se cila është Bubulina-Laskarina? Cila është Çamëria dhe padrejtësia greke e europiane ndaj saj? Kush është i kobshmi ‘ligj i luftës’ mes dy vendeve fqinjë historikë me qeveritë që venë e vijnë dhe që mbajnë thika në dorë për të armiqësuar popujt ndaj njeri-tjetrit? Kush është lobi shqiptar në Greqinë e sotme dhe çfarë roli luajnë ata në ecurinë e Greqisë ishullore me synime europiane? Cilat janë disa çështje të njëjta të përbashkëta, që duhet t’i njohim objektivisht thellë e t’i zgjidhim me qetësi, barazi, dhe një vlefshmëri? Askush! I pari është e do të mbetet në historinë tone, kryeministri Edi Rama. Mahisjet negative, nxitëse, njollosëse, nënvlerësuese, që i bëjnë disa sado pak kanale mediatike-ky lloj pushteti i pavarur-gjasme!- kësaj vizite, ka qëllime të këqija që në vend të mbulojë, çjerr maskën e klaneve të cilëve u shërbejnë dhe që u lëshon lëng goja për të sunduar Shqipërinë, me anë të përçarjes, me anë të groposjes të së vërtetës, me anë të joshjes me ryshfete, dhe më tej akoma…sajesa e intriga, ndërhyrje brutale dhe tendenca aneksimi. Akti i Edi Ramës në këtë organizim shqiptarësh në mes të Greqisë dhe shpjegimi që ai u bëri ngjarjeve, dëmeve dhe fitoreve, të shkuarës dhe të ardhmes së bijve të Shqipërisë të cilët tashmë janë ‘akomoduar në territorin gjeografik si grekër duke qenë thelbësisht shqiptarë’, është pa dyshim një meritë e padiskutueshme e diplomacisë shqiptare të kohës që po jetojmë në këto vorbulla e dallgë asgjësuese të rrymës së globalizmit, pjellë e kapitalizmit botëror, vdekjeprurëse e groposëse për popujt e kombet e vegjël në territor e në popullsi. Natyrisht jo për krahasim, se ato janë të rrezikshme, por për kujtesë historike, mendoj se është rasti të sjellim ndërmend se vetëm Enver Hoxha,për 50 vjet radhazi dinte të bënte diplomaci të atillë që grekërit t’i quante popull mik dhe monarko-fashistëve dhe kolonelëve të zinj grekë e qarqeve drejtuese greke të asaj kohe, t’ua përplaste në fytyrë se” nuk kanë lindur akoma ata burra që të frikësojnë shqiptarët”. Edhe një herë le të duartrokasim kryeministrin tonë Edi Rama! Le të shpresojmë se edhe në shtetin ishull anglez ku drejton qeverinë një indian si mjet në dorë të imperializmit dhe neokolonializmit britanik, ku mijërat e shqiptarëve janë perzevalur edhe më shumë se kudo gjetkë, të ketë rezultat sa më dinjitoz jehona shqiptare e vrulleve liridashëse, miqësisë mes popujve dhe për një të ardhme më të qetë, më të sinqertë e më paqësore.
Spektakël në koncertin e Noizy-t, reperi surprizon në mënyrë të veçantë fansin e tij, video-ja bën xhiro në rrjet
Reperi mjaft i dashur për publikun, Noizy është gjithmonë në qendër të vëmendjes sa i përket këngëve dhe koncerteve të...
Lexo më shumë