Kolonat zanore më të bukura të filmave shqiptarë vijnë në koncertin, që do të zhvillohet në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit. Mbrëmjen e së premtes, “Kino Music” do të risjellë kolonat zanore të filmave shqiptarë, të punuara me mjeshtëri nga kompozitorë shqiptarë në një format që bashkon profesionistët e fushës dhe brezin e rinj të artistëve. “Emrat si Çesk Zadeja, Limos Disdari, Agim Krajka, Aleksandër Lalo, Feim Ibrahimi, etj, janë refreni i shumë brezave që me nostalgji ende i jetësojnë”, thuhet nga TKOB për këtë koncert që do të zhvillohet mbrëmjen e datës 24 nëntor në orën 19:00 në hollin koncertor. Nën dirigjimin e Gridi Krajës, koncerti zhvillohet me një orkestër që ka në përbërje të saj instrumentistë të njohur. Si dirigjent Gridi Kraja është i vlerësuar në aktivitetin e tij. Herë pas here nën drejtimin e tij janë zhvilluar koncerte të ndryshme që janë mirëpritur nga publiku, ku në vijim do të jetë dhe koncerti i së premtes. Një poster që lajmëron zhvillimin e koncertit i publikuar në faqen e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit ka dy filma të njohur prodhime të para viteve ‘90 në vendin tonë. “Lulëkuqet mbi mure” dhe “Skënderbeu”, ku kolonat zanore të tyre do të jenë pjesë e këtij koncerti që premton një mbrëmje të veçantë në TKOB për artdashësit që do ta ndjekin. Ndër filmat e tjerë muzika e të cilëve do të jetë në koncert përmendim dhe “Ballë për ballë”, “Pylli i lirisë”, “Dueli i heshtur”, “Mësonjëtorja” apo dhe “Nëntori i dytë”.
“Kino Music” në Javën Kulturore Kombëtare
Koncerti që do të sjellë kolonat zanore të filmave shqiptarë është në kudër të Javës Kulturore Kombëtare, ku po zhvillohen aktivitete të ndryshme. Java Kulturore Kombëtare është java përmbyllëse e programit të Javëve Kulturore Ndërkombëtare, të cilat edhe në këtë edicion të dytë, sollën në Shqipëri qindra aktivitete e artistë nga e gjithë bota. “Java Kulturore Kombëtare vjen me një program që mbart shpirtin shqiptar që këndon, vallëzon e krijon. Ju presin ditë plot emocione dhe ngjarje të paharrueshme”, thuhet në faqen e Javëve Kulturore Ndërkombëtare. Në programin e këtyre ditëve gjejmë ekspozita të ndryshme të artit, shfaqje filmash shqiptarë, koncerti në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit, ligjërata e hapur rreth gjuhës shqipe, etj. Javët Kulturore Ndërkombëtare (JKN) është një nismë e Ministrisë së Kulturës, ku pas një programi të suksesshëm përgjatë vitit 2022, ministrja e Kulturës, Elva Margariti njoftoi disa muaj më parë se ky program do të vijonte edhe këtë vit. Edicioni i dytë i JKN nisi në maj e përfundon më 30 nëntor 2023. Javët Kulturore Ndërkombëtare, një nismë e re e Ministrisë së Kulturës, që shërben si një mundësi njohjeje, bashkëpunimi, shkëmbimi mes artistëve e padyshim pasurimi të jetës kulturore jo vetëm në kryeqytet, por në të gjithë Shqipërinë, si projekt u prezantua në janar të vitit 2022 në një takim me përfaqësues të trupit diplomatik në Tiranë.