“Indian party” një komedi premierë, ku do të trajtohen tema të ndryshme sociale. Janë pesë aktore, që nën regjinë e Madi Selimit do të sjellin në skenë veprën e autorit Francesco Apolloni. Një komedi teatrore plot surpriza, që do të interpretohet nga aktoret Jorida Meta, Ermela Ruri, Anila Balla, Delina Disha dhe Deljana Topulli. Pesë aktore në një komedi situate dedikuar femrës dhe energjive të saj shpërthyese të pashterueshme. Një komedi plot surpriza dhe të papritura, ku gruaja kontemporane është më në fund protagonistja e vërtetë. Në fokus të komedisë premierë “Indian party” janë katër shoqe fëmijërie, të cilat tashmë janë të plotësuara profesionalisht, të bukura, sharmante, në moshën ku pjekuria është shoqe e pandarë e jetës dhe ku bukuria është në kulmin e saj. Më në fund dita e shumë pritur erdhi, tani rasti i solli të takohen në një suitë hoteli për të festuar fundin e beqarisë së njërës prej shoqeve ( e cila nuk do të dali kurrë në skenë), dhe pikërisht këtu fillon aksioni, sepse kur femrat bëhen bashkë pritet të ndodh gjithçka. Ato fillojnë pak nga pak që në këtë takim të zbulojnë sekrete të mbartura prej vitesh, konfidenca të pathëna si dhe disa rivalitete mes personazheve të fshehura ndër vite. Në këtë natë të gjatë do të flitet për shumë tema të ndryshme, për marrëdhënie të dështuara, për meshkujt, për lidhjet, për familjen, për fëmijë, sikurse edhe për orientimet seksuale të tyre. Por një vend të rëndësishëm në këtë komedi zënë gjithashtu temat sociale të ndryshme që sot shqetësojnë shoqërinë tonë. Mënyrat e ushqimit, bullizimi, raporti prindër-fëmijë dhe anasjelltas, aborti, divorci, homoseksualiteti, etj. Debati është mjaft interesant, pasi personazhet i bazojnë argumentet e tyre nga eksperiencat jetësore.
“Indian party” në skenë
Vepra e autorit Francesco Apolloni “Indian party” që është përkthyer dhe përshtatur nga Madi Selimi këtë muaj bëhet pjesë e aktiviteteve artistike që zhvillohen në Tiranë dhe do të shfaqet në sallën e qendrës “Kristal” në datat 23 dhe 24 prill. Vepra vjen në skenë për një publik me moshë mbi 16 vjeç. Skenografia dhe kostumografia nga Eldo Disha, koreograf Luixhino Hala, grafik dizajn Renat Aliçkolli dhe fotograf Sonny K. Elson. Vepra teatrore vjen si premierë për publikun me mbështetjen e Bashkisë Tiranë, si dhe donatorëve të tjerë. Komedia premierë “Indian party” do të vijojë për publikun edhe në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivgoli” te “ArTurbina” në Tiranë në datat 29 dhe 30 prill. Në aktivitetin e saj si regjisore Madi Selimi ka sjellë në skenë për publikun vepra të ndryshme teatrore. Vepra që kanë përcjellë mesazhe, kanë trajtuar tema të ndryshme dhe kanë ngjallur interesin te publiku artdashës. Përpara kësaj komedia që pritet të jetë premierë në skenë, regjisorja Madi Selimi solli premierën “Flaka dhe baruti”.