Komedia satirë “Dëshira e tretë” pas premierës në skenën e teatrit “Petro Marko” merr pjesë në Festivalin e Teatrit “Moisiu”, që do të zhvillohet këtë muaj në Tiranë. Festivali i Teatrit Shqiptar “Moisiu” pas Shkupit mbërrin në Tiranë, ku vepra e dramaturgut Ferdinand Hysi, “Dëshira e tretë” me regji nga Roland Minga do të shfaqet në 22 nëntor, në sallën e Universitetit të Arteve. Pjesëmarrjen në këtë festival e ka bërë me dije më parë dhe vetë regjisori Minga, që shprehet se në skenë do të jetë një komedi, ku publiku do të gjejë veten e tij. “Në karakteret e personazheve, plot të papritura e humor”, shprehet Minga. Në kastin e aktorëve në role janë Astrit Mamaj, Artan Islami, Algiona Aga, Margent Caushi, Ermir Hoxhaj, Matilda Avduli, Eliona Thomaraj dhe Vladimir Abilaliaj. Vepra “Dëshira e tretë” ka në qendër një familje brenda së cilës lindin konflikte. Nga një llampë e vjetër del nje xhind (Llampa e Aladinit) që ndodhet jo para një Aladini, por një familje e tërë dhe është i gatshëm t’ju plotësojë tre dëshira. Por për këtë ata duhet të bien në një mendje. Këtu fillon problemi, sepse të bien në një mendje pjesëtarë të ndryshëm të një familje nuk është e lehtë. Regjisori Roland Minga më herët ka treguar se premiera që vinte në skenë natyrisht e ka një mesazh edhe për publikun. Vepra që u shfaq për disa mbrëmje në teatrin e Vlorës u mirëprit nga publiku, duke i sjellë një tjetër sukses regjisorit në jetën artistike. Dramaturgu Ferdinand Hysi është i njohur me veprat e tij ndër vite, që janë vënë në skena të ndryshme teatrore, por “Dëshira e tretë” është një vepër e re e shkruar prej tij. Skenografia dhe kostumografia janë nga Drini Shehu. Formulimi muzikor në shfaqje vjen nga Artur Dhamo.
15 shfaqje në festival
Festivali i Teatrit Shqiptar “Moisiu” në edicionin e dytë do të zhvillohet nga data 20 deri më 27 nëntor dhe do të sjellë krijimet më të mira në fushën e teatrit në Tiranë. Kjo bëhet me dije nga Teatri Kombëtar, që shprehet se edicioni i parë i këtij festivali u mbajt në qytetin e Shkupit në Maqedoninë e Veriut, mbërrin në Tiranë dhe vitin që vjen do jetë në Prishtinë. Sipas institucionit, publiku do t’i ndjekë shfaqjet në dy orare, 19.00 dhe 21.00. Nga data 20-27 nëntor; 8 mbrëmje, 15 trupa e shfaqje. Shfaqjet teatrore do të jenë në sallën e Teatrit Kombëtar dhe sallën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivgoli” te “ArTurbina” në Tiranë, në sallën e UA dhe teatri Metropol. Në këtë festival do të marrin pjesë me shfaqjet e tyre teatri i Shkodrës, Gjilanit, Korçës, Teatri Kombëtar, Teatri i Gjakovës, etj. Festivali i Teatrit Shqiptar “Moisiu” vjet u zhvillua me pjesëmarrjen e 12 trupave teatrore nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia e Veriut në Teatrin Shqiptar në Shkup. Festivali startoi me shfaqjen teatrore “Ivanovi” të Teatrit Kombëtar të Shqipërisë, vepër e autorit Anton Chekhov dhe me regji të Hervin Çulit. Festivali organizohet nga Teatri Kombëtar i Shqipërisë, Teatri Shqiptar Shkup, Teatri Kombëtar i Kosovës dhe Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”.